Aktakuzë kundër Thaçit dhe Veselit për krime lufte

Kadri dhe Hashim arkiviZyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit ka bërë të ditur se:

“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Aty është thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe se një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale është duke analizuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

“Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.

Reagimet pas ngritjes së aktakuzave

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian (BE), u ka thënë gazetarëve se blloku evropian është “mbështetës i fortë i punës” së Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale, sepse ato janë “dëshmi e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit”, i cili njëherësh është element kryesor i rrugës së Kosovës në BE.

Autoritetet e Kosovës nuk kanë reaguar ende pas lajmit për ngritje të aktakuzave.

Mirëpo, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendimin për aktakuza, e ka konsideruar krejtësisht politik.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se kjo aktakuzë është ngritur në një kohë të ndjeshme kur pritet të nisin bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Deri më sot asnjë aktakuzë nuk është vërtetuar mbi pjesëtarët e UÇK-së, kështu që nuk do të ketë fakte dhe argumente që do të mund të dokumentojnë se ka pasur krime në Kosovë nga pjesëtarët e UÇK-së apo nga vetë presidenti, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Gucati ka thënë se ngritja e aktakuzës në këtë kohë është bërë për të kënaqur disa persona shqipfolës, Serbinë dhe siç është shprehur ai, për gjunjëzimin e Thaçit dhe Veselit.

Lajmi për ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale vjen pak kohë para nisjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi drejt Uashingtonit, për t’u takuar me zyrtarët serbë, me ndërmjetësim të të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Toby Vogel, ekspert në Këshillin për Politikën e Demokratizimit, në një përgjigjje për Radion Evropa e Lirë, ka bërë lidhje në mes të deklaratës së Prokurorisë në Hagë, dhe takimit të​ planifikuar në Uashington, më 27 qershor.

“Ka qenë e ditur që Prokuroria po punonte në aktakuzë, kështu që thelbi i saj nuk është befasi. Sidoqoftë, koha dhe formulimi i ashpër i njoftimit për shtyp, tregojnë se Prokuroria ka frikë nga një lloj marrëveshjeje e presidentit Thaçi, i cili mund të dëmtojë punën e Gjykatës. Ka mundësi që ky njoftim publik, të jetë i provokuar nga takimi në Shtëpinë e Bardhë, të shtunën”, ka thënë Vogël për REL-in.

Si funksionon Gjykata Speciale?

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato. Gjykatësi ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

rel

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>