Albin Kurti – kryeministër i Kosovës

Albin KurtiMe 66 vota parlamenti i Kosovës miratoi sot qeverinë e koalicionit ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Qeveria e re do të drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, kryetar i lëvizjes Vetëvendosje, e cila doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Kosova u bë me qeveri të re gati katër muaj pas atyre zgjedhjeve dhe miratimi i saj pasoi negociatat e gjata ndërmjet dy partive.

Votimi i sotëm pasoi disa orë diskutime gjatë të cilave partitë në opozitë kritikuan koalicionin e ri qeverisës dhe kryeministrin Albin Kurti.

Duke paraqitur programin dhe përbërjen e kabinetit të tij, zoti Kurti, tha mes tjerash se qeveria e tij do të jetë e zhvillimit dhe punësimit dhe se buxheti i vendit do të arrijë në 3 miliardë euro.

Përbërja e qeverisë së Kosovës

Qeveria e re e Kosovës do të ketë gjithsej 15 ministri, dy zëvendëskryeministra, dhe 33 zëvendësministra.

Kryeministër i Kosovës – Albin Kurti (VETËVENDOSJE)

Zëvendëskryeministër i parë – Avdullah Hoti (LDK)

Zëvendëskryeministër i dytë – Haki Abazi (VETËVENDOSJE)

Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporë – Glauk Konjufca (VETËVENDOSJE)

Ministër i Integrimit Evropian -Blerim Reka (VETËVENDOSJE)

Ministre e Drejtësisë – Albulena Haxhiu (VETËVENDOSJE)

Ministre e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit -Hykmete Bajrami (LDK)

Ministër i Financave dhe Transfereve – Besnik Bislimi (VETËVENDOSJE)

Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike – Agim Veliu (LDK)

Ministër i Ekonomisë, Punësimit Tregtisë, Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Investimeve Strategjike – Rozeta Hajdari (VETËVENDOSJE)

Ministër i Mbrojtjes – Anton Çuni (LDK)

Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit- Lumir Abdixhiku (LDK)

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Besian Mustafa (LDK)

Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitia (VETËVENDOSJE)

Ministre e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Vlora Dumoshi (LDK)

Ministre e Administrimit të Pushteti Lokal – Emilia Rexhepi (Grupi 6+, pakicat joserbe)

Ministër për Komunitet dhe Kthim – Dalibor Jevtiç (Lista Serbe)

Ministër për Zhvillim Rajonal – Ivan Milojeviç (Lista Serbe)

Ai tha se siguria e jashtme do të jetë përparësi e qeverisë bashkë më përgatitjet për anëtarësim në NATO. Zoti Kurti tha se askush nuk do të jetë më i fortë se shteti dhe do të luftohet korrupsioni ndërsa paralajmëroi një proces të vetingut në sistemin e drejtësisë.

Ai tha se shërbimi ushtarak do të bëhet i detyrueshëm për të gjithë.

Qeveria e re do të miratojë ligjin për krimet e luftës dhe gjenocidin dhe do të përgatitet padi kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e luftës në Kosovë.

Zoti Kurti paralajmëroi edhe reforma në sistemin e arsimit dhe ndërprerjen e “rrjedhjes së trurit”. Ai u zotua për qasje të drejtë në shëndetësi dhe rritjen e buxhetit për këtë sistem.

Zoti Kurti tha se në bisedimet me Serbinë do të përfshijnë çështjen e personave të zhdukur, dëmet e luftës, trashëgiminë e ish Jugosllavisë dhe njohjen e ndërsjellë. Ai tha se qeveria e tij do të vendosë reciprocitetin e plotë me Serbinë.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, kritikuan programin dhe përbërjen e kabinetit qeveritar të zotit Kurti, duke vënë theksin tek qëndrimet politike të deritashme të tij.Qeverinë e re e presin shumë sfida dhe ndër më të mëdhatë është ajo e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e cila refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>