Fjala e Albin Kurtit në mbledhjen e XLIV të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
… Sa i përket politikës së jashtme, Kosova është duke zhvilluar një diplomaci intensive dhe shumë më cilësore se në vitet e shkuara. Kurrë nuk ka pasur për vetëm tre muaj më shumë vizita të udhëheqësve ndërkombëtarë e kryediplomatëve nga jashtë, si dhe pritje jashtë vendit të Presidentes Osmani, Kryeparlamentarit Konjufca, Kryeministrit, Ministres së Jashtme Gërvalla dhe qeverisë së Kosovës në përgjithësi. Së fundmi unë u prita nga presidenti i Francës Macron, patëm në Kosovë mysafir ministrin e jashtëm të Italisë Di Maio, kryeparlamentari Konjufca ka vizituar kryetarin e Bundestagut Schauble, kemi qenë në takime në Vjenë e Bruksel, dhe jemi duke zhvilluar një partneritet edhe më të fortë me ShBA-të, ku së fundmi kemi biseduar me ta për një kontratë për blerjen e dronëve dhe armatimit të teknologjisë së fundit për ushtrinë e Kosovës. Kosova është një shtet i përkushtuar për paqe, demokraci dhe fqinjësi të mirë, dhe duke mbajtur parasysh vetëm këto principe, ne do të ecim krah për krah me aleatët e partnerët tanë në rrugën e integrimit veriatlantik dhe evropian.
Sa i përket raportit me Serbinë, ju të gjithë tashmë i dini katër propozimet të cilat i kemi dhënë më herët, e që janë theksuar edhe nga takimi i 15 qershorit në Bruksel. Por sot me lejoni të potencojë katër qëndrime të rëndësishme për ecjen përpara.
Të gjithë e dimë kërkesën për marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme. Për neve marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB për Kosovën. Pra, një marrëveshje e cila ka vetëm njohjen nga Serbia por që nuk pasohet nga ulësja në OKB, ose ofron ulëse në OKB si zëvendësim për njohje nga Serbia, mund të jetë marrëveshje, por nuk mund të jetë përfundimtare.
Dhe, marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, nga pikëpamja e bindja jonë, atëherë kur ajo ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare, sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës të Vjenës për Ligjin mbi Traktatet.
E treta, po bëhen 23 vjet bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gati gjysma e kësaj periudhe nën ndërmjetësimin apo lehtësimin BE-së. Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht, por, duhet ta dinë qysh në fillim që dialogu, bisedimet, nuk janë për statusin e Kosovës, por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që duhet të bazohet në barazi dhe reciprocitet, e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjelltë.
Dhe, e katërta, pavarësia që e kemi është kompromis. Pavarësinë nuk e kemi shpallur vitin e kaluar, por para 13 viteve dhe 4 vitet e para pavarësia e kishte Piter Faith-in sipër si autoritet sovran, ndërkaq tash e 13 vjet e ka Ahtisarin brenda, këtij kompromisi që është dashur ta sjell një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por që nuk ndodhi asnjëherë… ka deklaruar Kurti në takimin, sipas fjalimit që e ka publikuar në Facebook.
Këto katër qëndrime që i potencova sot sigurisht se janë udhërrëfyes të vlefshëm për ecjen e drejtë dhe të mirë përpara…