Albin Kurti zhvillon bisedë telefonike me presidentin Macron

Albin KurtiKryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ështe shprehur, se presidenti francez, Emmanuel Macron i ka premtuar atij rritjen e rolit të Francës dhe të atij vetë në lehtësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti, njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili ka premtuar rritjen e rolit të Francës, dhe të atij vetë, në lehtësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas Kurtit, presidenti francez i ka thënë atij, se “sapo të krijohen kushtet e duhura do të organizohet Samiti i Parisit për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, nën mbikqyrjen e Francës dhe Gjermanisë”, thuhet në një njoftim të qeverisë.

Aty bëhet e ditur, se Emmanuel Macron ka shprehur mbështetjen e tij për rifillimin e qarkullimit të mallrave mes Kosovës dhe Serbisë, pas heqjes së tarifës nga Kosova më 1 prill. Qeveria e Kosovës në detyrë hoqi tarifën ndaj mallrave të Serbisë, por vendosi masë reciprociteti tregtar me Serbinë.

MacronKurti: Efektiviteti i dialogut varet nga pjesëmarrja e Evropës

Sipas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, “qeveria e tij sheh në zbatimin e reciprocitetit, zbatimin efektiv edhe të asaj çka përmbahet në marrëveshjet e Brukselit”. “Efektiviteti i dialogut varet nga pjesëmarrja e Evropës. Evropa nuk mund të zëvendësohet nga ndonjë kontinent tjetër, dhe as Franca nga ndonjë shtet tjetër. Evropa është edhe mjedisi edhe perspektiva e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, citohet t’i ketë thënë Albin Kurti presidentit francez Emmanuel Macron, në bisedën telefonike që zhvilluan.

Bashkimi Evropian një javë më parë emëroi Mirosllav Lajçak, ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi, ndonëse ky dialog është ndërprerë tash e gati dy vjet. Detyrat e përfaqësuesit të ri special të BE-së në dialogun do të jenë “arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar ata të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës”, thuhej në njoftimin e BE-së, pas emërimit të Lajçakut.

Emërimi i tij në këtë detyrë nuk u mirëprit nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke e cilësuar si një “mision i paracaktuar që të dështojë”, për faktin që Lajçak sipas presidentit, vjen nga Sllovakia, një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti, ka pasur një letër-shkëmbim me Mirosllav Lajçak, ku Kurti i ka shkruar atij se “në bisedimet me Serbinë që duhet të ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, nuk duhet të ketë harta në tryezë, e as proces që çon në ripërcaktim kufijsh”.

LajcakLajçak: Vullnet të sinqertë politik nga të dy palët

Në një letër që kryeministri Kurti i ka dërguar zotit Lajçak, thuhet se qeveria e Kosovës “është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, dhe të arrijë një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese midis dy vendeve”. “Palët duhet të sigurojnë që në asnjë rrethanë ose situatë të mos diskutohet çështja e sovranitetit të ndërsjellë, integritetit territorial dhe punët e brendshme. Ne nuk kemi nevojë as për një dialog i cili përfshin hartat në tryezë, e as për një proces që na çon në ridefinimin e kufijve. Kjo është e një rëndësie thelbësore. Dialogu duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas kësaj, marrëveshja përfundimtare duhet të shoqërohet me një garanci nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që obligon zbatimin e ndërsjellë dhe të plotë të marrëveshjes”, thuhet mes tjerash në letër.

Ndërkaq në letrën e Lajçakut drejtuar kryeministrit Albin Kurti, zoti Lajçak shprehet se ai është i gatshëm të punojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese. “Synimi im është të punoj pareshtur dhe në mënyrë dinamike për të ecur përpara në procesin e dialogut, dhe pres që edhe Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehen angazhimit të tyre me të njëjtën vendosmëri. Siç e keni theksuar edhe ju, kjo gjë është e rëndësishme për të mirën e të dy popujve. Jam i bindur që nëse ka vullnet të sinqertë politik nga të dy palët, dhe me anë të dialogut, do jemi në gjendje t’i arrijmë rezultatet, të cilat secili nga ne i synon, për të mirën e popullit në Kosovë dhe Serbi”, ka shkruar në letër Lajçak, duke e cilësuar heqjen e tarifës ndaj mallrave të Serbisë si shenjën e parë konkrete të vullnetit të Kurtit për të rinisur dialogun të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Ky dialog është ndërprerë që nga nëntori i vitit 2018, kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj, vendosi tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë, si shenjë kundërshtimi ndaj diplomacisë serbe kundër njohjeve të Kosovës. Beogradi e kushtëzoi rinisjen e dialogut me heqjen e tarifës të cilën e kërkonte vazhdimisht Bashkimi Evropian por edhe SHBA.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>