Amb. amerikane: Vazhdojnë diskutimet me qeverinë e Kosovës për gazsjellësin

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë, i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara janë duke vazhduar diskutimet me qeverinë e Kosovës rreth lidhjes me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut, një projekt i propozuar nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit.

Ai i bëri këto komente pas debateve që u hapën të premten në Prishtinë rreth kësaj çështjeje.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli tha gjatë një konference me gazetarë se qeveria e Kosovës është në bashkëpunim të vazhdueshëm me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit për çështjen e infrastrukturës së gazit.

“Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka filluar një studim para-fizibiliteti dhe pastaj ka filluar punën në studimin e fizibilitetit gjatë këtij viti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë dhe ka përcaktuar një grant prej deri 200 milionë dollarë, jo domosdo 200 milionë i cili do të mund të shfrytëzohej për ndërtimin pjesërisht të kësaj infrastrukture. MCC ose ndonjë organizatë tjetër nuk do të financonte tërë rrjetin, pra kemi të bëjmë për një investim më të madh se kaq, disa herë më të madh se kaq, do të kishim bënin nëse vendosim ndërsa granti i MCC do të mund të përdorej për financimin e një pjese të investimit”, tha ajo.

Ministrja Rizvanolli tha se kostoja e investimit si dhe kapitali janë disa nga dilemat e qeverisë.

“Jemi duke folur dhe varësisht prej cilit model dhe zgjedhje, por llogaritjet që mund të kushtojë 600 milionë ose më shumë – nëse flasim vetëm për gazsjellësin dhe termocentralin. Kostoja operative pastaj është çështje tjetër. Te prodhimi i energjisë me gaz për dallim prej burimeve të tjera kostoja operative është relativisht e lartë. Sipas disa vlerësimeve, 40 për qind është kostoja e kapitalit, 60 për qind është kostoja operative”, tha zonja Rizvanolli.

Zëdhënësi i ambasadës amerikane iu referua qëndrimeve të ministres Rizvanolli se qeveria e Kosovës është ende duke diskutuar dhe duke shqyrtuar një projekt të propozuar që do të ndihmonte Kosovën për t’u lidhur me një tubacion ekzistues të gazit natyror në Maqedoninë e Veriut. Shumica e financimit, tha ai, do të bëhej nga fondet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

“Diskutimet janë duke vazhduar nëse qeveria e Kosovës do ta mbështesë këtë propozim”, tha zëdhënësi.

Ky projekt, tha ai, është një ndër propozimet e shumta në shqyrtim mes qeverisë së Kosovës dhe Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit si pjesë e programit Kompact.

Në përgjigjen me shkrim dhënë Zërit të Amerikës, ai tha se një faktor thelbësor që pengon rritjen e fuqishme ekonomike të Kosovës është infrastruktura e papërshtatshme, veçanërisht infrastruktura energjetike. Ndërsa qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme në sektorin e energjisë, mos qëndrueshmëria e furnizimit aktual të energjisë elektrike me qymyr, rrit kostot operative për kompanitë dhe kufizon konkurrencën e tyre. Ndërprerjet e shpeshta të energjisë dëmtojnë dhe veprimtaritë e tjera që krijojnë të ardhura, duke imponuar çmime për bizneset dhe familjet dhe duke penguar investimet.

Për të lehtësuar shkaqet rrënjësore të këtij kufizimi, qeveria amerikane po punon me qeverinë e Kosovës për zhvillimin e projekteve të propozuara, që Bordi i Drejtorëve të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit do të merrte parasysh një program të mundshëm në vitin 2022.

Sipas zëdhënësit, projektet e tilla të mundshme do të përqendroheshin në disa koncepte që janë në dobi të Kosovës.

Projekti për Zhvillimin e Sektorit të Gazit Natyror do t’u jepte përdoruesve të energjisë një mundësi më efikase të përdorimit të energjisë termike dhe do të kontribuonte në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

“Ky projekt nuk lidhet me gazin natyror të lëngshëm apo ndonjë burim tjetër gazi amerikan. Kjo do t’i jepte Kosovës mundësinë për të përdorur gazin si lëndë djegëse kalimtare derisa të ketë qasje në hidrogjen”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e zëdhënësit të ambasadës amerikane në Prishtinë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>