Ambasadori gjerman në Kosovë Joern Rohde: Gjermania do që dialogu Kosovë-Serbi, të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, e cila i zgjidh të gjitha çështjet, përfshirë edhe atë të njohjes reciproke.
DW: Ambasador Rohde, nuk jeni shumë gjatë që keni ardhur në Kosovë si ambasador i Gjemanisë, cilat janë përshtypjet e para tuaja për Kosovën?
Ambasadori Rohde: Në kohë të koronavirusit shumëçka është ndryshe, e në veçanti kur bëhet fjalë për mundësitë e kufizuara për takime të drejtëpërdrejta me njerëz. Sidoqoftë, kam pasur mundësi të takoj shumë aktorë politikë, e gjithashtu kam njohur edhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Nga aspekti politik Kosova gjendet në një periudhë sfiduese, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në politikën e jashtme. Unë shpresoj që p.sh. dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të sjellë progres konkret për njerëzit; e njëjta vlen edhe për liberalizimin e vizave. Për të gjitha këto është e rëndësishme që Kosova të ketë një qeveri stabile, ashtu që të mund të fokusohet në sfidat e mëdha në këtë kohë të pandemisë, siç janë luftimi i pandemisë, ndihmat për qytetarët, marrë parasysh pasojat ekonomike të pandemisë e gjithashtu edhe një marrëveshje me fqinjin, Serbinë.
Në fundjavë përpiqem të mësoj më shumë për vendin dhe njerëzit dhe të provoj specialitete nga kuzhina e shkëlqyer e rajonit. Para ca dite isha për shetitje në malet e Istogut, në Prizren bëra një pushim të shkurtër, vizitova objektet e trashëgimisë kulturore botërore në Graçanicë dhe Deçan dhe hulumtova me biçikletë Parkun e Gërmisë dhe zonën përreth Kalasë në Novobërdë/Artanë.
Me pak fjalë, këtu ka shumë për të parë dhe pres të zbuloj edhe më shumë. Është e rëndësishme që natyra dhe trashëgimia kulturore të mbrohen edhe me tepër, në mënyrë që jo vetëm unë, por edhe shumë turistë të tjerë dhe breza të ardhshëm të përjetojnë dhe shijojnë këto bukuri.
DW: Kosova dhe Serbia kanë rinisur dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por, kohët e fundit kemi parë një shtim të retorikës politike Prishtinë-Beograd, me shkëmbim akuzash të ndërsjella. Pyetja është në këtë klimë që po zhvillohet dialogu, e shihni Ju një kompromis të mundshëm për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi?
Ambasadori Rohde: Ne e mirëpresim rifillimin e dialogut të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka alternativë tjetër për të gjetur zgjidhje, pos dialogut. Edhe nëse ndaleni, siç ka ndodhur që nga viti 2015, në fund përsëri duhet të uleni bashkë. Gjermania mbështet plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak. Ne duam që dialogu të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, e cila i zgjidh të gjitha çështjet, përfshirë edhe atë të njohjes reciproke, sepse është krejtësisht e paimagjinueshme, që BE të pranojë anëtarë, të cilat nuk e njohin njëri-tjetrin. Presim nga të gjithë lideret e përfshirë të përmbahen nga deklaratat e papërgjegjshme që mund të dëmtojnë raportet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimit, e me këtë të pengojnë procesin e dialogut. Të dyja palët tani duhet të punojnë me përkushtim të plotë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që zgjidh të gjitha çështjet e hapura. Kjo do të thotë për mua që të dyja palet duhet të negociojnë në mënyrë kompetente dhe në besim të ndërsjelltë. Për të ecur përpara të dyja palët duhet përqendrohen në potencialin e madh të bashkëpunimit rajonal dhe në perspektivën evropiane për qytetarët e tyre.
DW: Serbia po insiston që në kuadër të dialogut të futet edhe çështja e asociacionit të komunave më shumicë serbe, gjë që Prishtina po refuzon. Cili është qëndrimi i qeverisë gjermane për këtë çështje?
Ambasadori Rohde: Pyetja lidhur me qasjen ndaj marrëveshjeve të nënshkuara më parë në Bruksel, në parim duhej t’u drejtohej palëve dhe zotit Lajcak. Në mendojmë se marrëveshja eventuale nuk duhet të mos përputhet me zotimet tashmë të bëra. Siç e ka deklaruar z. Lajcak më herët, çështje shumë komplekse dhe të ndjeshme duhet të diskutohen gjatë bisedimeve. Bisedimet nuk do të jenë më të lehta dhe të dyja palët do të duhet të jenë të gatshme të bëjnë kompromise. Ne mendojmë se të gjitha çështjet e hapura do të duhet të diskutohen dhe të zgjidhen në mënyrë që të normalizohen plotësisht marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të jetë banale të thuhet, por një parakusht për suksesin e bisedimeve është që të dyja palët të kenë një besim fundamental dhe vullnet për kompromis. Shpresojmë të jetë ashtu, dhe jo vetëm për bisedimet e mëtutjeshme në kuader të dialogut, por edhe për fushat tjera politike.
DW: Ambasador Rohde, kohët e fundit kemi parë disa zhvillime rreth Gjykatës Speciale, ku dosje të Prokurorisë Speciale ranë në duar të veteranëve të ish-UCK-së dhe për pasojë e publikimit të disa prej tyre, kemi edhe persona të arrestuar për këtë çështje. Si duhet të sillet Kosova përballë kësaj situate dhe këtyre zhvillimeve?
Ambasadori Rohde: Hetimi i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit është pjesë e përkushtimit kosovar për sundim të ligjit. Nuk mund të ketë paqe të qëndrushme në një shoqëri pa pasur drejtësi. Gjermania është e bindur se luftimi i pandëshkueshmërisë përmes gjykatave vendore dhe ndërkombëtare është pjesë e politikave të përgjegjshme ligjore dhe të jashtme. Së bashku me BE-në, Kosova me krijimin e Dhomave të Specializuara, sipas ligjit kosovar ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt këtij qëllimi. Gjermania mbështet punën e Dhomave të Specializuara si pjesë e përpjekjeve të përgjithshme për të adresuar krimet gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi.
Është e rëndësishme të theksohet se Dhomat e Specializuara hetojnë vetëm krimet e pretenduara të individëve dhe nuk paragjykojnë një shtet të tërë, ose popullin e tij.
DW: Kosova vazhdon të mbetet vendi më i izoluar në Evropë, nuk ka liberalizim të vizave, ndërkohë që kriteret tashmë i ka plotësuar të gjitha gjë që u konfirmua edhe në Raportin e Progresit për Kosovën. Shpresat e Kosovës janë tek Gjemania si kryesuese e presidencës së BE-së, që kjo çështje mund të përfundojë sivjet me një vendim pozitiv të Këshillit të Ministrave të BE-së.
Ambasadori Rohde: Unë kam arritur në Kosovë para një kohe të shkurtër, por natyrisht se jam tejet i vetëdijshëm për zhgënjimet lidhur me vendimin në pritje për liberalizimin e vizave dhe rëndësinë që ai vendim ka për qytetarët dhe bizneset në Kosovë.
Siç ka thënë së fundmi Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ne jemi duke punuar në këtë drejtim dhe duke biseduar me partnerët tanë në BE. Është e qartë se duhet të punojmë së bashku për të bindur kritikët e fundit. Këtu duhet të jetë e qartë se për ne dhe partnerët tanë në BE çelës për të arritur një gjë të tillë përfundimisht mbetet angazhimi i vazhdueshëm dhe rezultatet e dukshme në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit.
DW: Shume analistë thonë se izolimi i qytetareve te Kosovës, prodhon migrimin, sa pajtoheni ju me ketë konstatim?
Ambasadori Rohde: Pandemia globale ka përkeqësuar situatën për shumë njerëz në të gjithë botën, përfshirë këtu edhe njerëzit në Gjermani dhe në Kosovë. Prandaj, Gjermania dhe BE-ja po e mbështesin Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor me një paketë asistence përkitazi me pandeminë COVID-19 në vlerë prej 3.3 miliardë Euro. E kuptoj se situata ekonomike për momentin është sfiduese për shumë qytetarë në Kosovë. Këtu qeveria ka një prioritet të rëndësishem në adresimin e nevojave të rimëkëmbjes ekonomike që janë shfaqur si pasojë e pandemisë. Në mënyrë që të përmirësohet situata ekonomike, Kosova gjithashtu duhet të bëjë “detyrat e shtëpisë”, dmth. duke përmirësuar urgjentisht kornizën e kushteve, ashtu që të rinjtë të shohin se e ardhmja e tyre është në Kosovë dhe për investitorët Kosova të bëhet një vend më tërheqës për investime dhe në atë mënyrë të krijohen mundësi punësimi. Një element i rëndësishëm në këtë drejtim – siç mund të kuptohet nga raporti i sapo publikuar i Komisionit të BE-së për Kosovën – është lufta efektive kundër korrupsionit.
Gjermania është një mbështetëse afatgjate për forcimin e tregut të punës në Kosovë, në mënyrë që të përmirësojë situatën në vend, si për shembull përmes trajnimit profesional të avancuar dhe përmes iniciativës për përmirësimin e exporteve kosovare për një qasje më të gjërë në tregjet evropiane. Më lejoni ta theksoj këtë përsëri: mbështetja e jashtëzakonshme e BE-së dhe Gjermanisë për zhvillimin e Kosovës në rrugën e saj për t’iu bashkuar familjes evropiane është e reale. Ne i konkretizojmë premtimet tona. Ne jemi investitori dhe donatori më i madh këtu. As një vend tjetër nuk mund të krahasohet me angazhimin tonë financiar për Kosovën dhe tërë rajonin. Gjatë vizitës së tij në javën e fundit ne Kosovë, Komisioneri i BE-së Varhelyi prezantoi planin e plotë ekonomik dhe investues të BE-së për Balkanin Perëndimor në vlerë prej 9 miliardë Euro – ndërsa 8 miliardë Euro nga vlera totale do të vihen në dispozicion në formë të granteve – me synim përkrahjen në rritjen ekonomike dhe mbështetjen në reformat e nevojshme për të ecur përpara në rrugën drejtë BE-së.
DW: Shumë qytetar të Kosovës tashmë në rrugë legale kanë fituar kontrata pune në Gjermani, por ata po ankohen për kohën e gjatë të pritjes për takim që të pajisen më vizë. Nëse e përjashtojmë fazën e fundit të mbylljes nga Covic-19, pse e gjithë kjo kohë duhet për t’u pajisur me vizë në ambasadën gjermane këtu në Prishtinë?
Ambasadori Rohde: Ambasada Gjermane në Prishtinë vitin e kaluar ka lëshuar më shumë se 50.000 viza. Kjo edhe në krahasim mbarëbotëror është një shifër shumë e madhe. Në këto shifra, krahas 36.000 vizave për qëndrime afatshkurtëra, përfshihen edhe rreth 15.000 viza për qëndrime afatgjata (bashkim familjar, punësim, studime etj.). Këtu në vitet e kaluara i kemi ngritur dukshëm kapacitetet e përpunimit të kërkesave për viza. Mirëpo kërkesa edhe më tej i tejkalon kapacitetet dhe koha e pritjes fatkeqësisht është e pamënjanueshme. Pikërisht në rastin e vizave nacionale, ne gjithmonë jemi të varur nga puna e nevojshme shtesë e zyrave kompetente në Gjermani.
Lidhur me pasojat e pandemisë COVID-19, dua të shtoj se Ambasada që nga fillimi i korrikut sërish është duke pranuar kërkesa për viza për qëndrime afatgjata (viza nacionale) për kategoritë, të cilat nuk janë të prekura nga kufizimet e udhëtimit për në Gjermani.
Kërkesa për viza për fillim punësimi sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor aktualisht nuk mund të pranohen. Për shkak të masave të detyrueshme shëndetësore dhe higjienike përkitazi me pandeminë, kapacitetet e zyrës së vizave – megjithë shtrirjen e kohës së pranimit të kërkesave deri në orët e mbrëmjes – gjithashtu janë reduktuar dukshëm.
Rregullat e udhëtimit në BE dhe në vendet e origjininës shqyrtohen rregullisht, në bazë të situatës së pandemisë. Se kur mund të ndryshojnë ato rregulla, kjo varet nga rrjedha e situatës së pandemisë në BE dhe në shtetet e origjinës.
DW: Kur jemi tek Covid-19, një ekip ekspertësh gjermanë ka ardhur në Kosovë që të ndihmojë mjekët kosovarë në përballje për pandeminë. Si mendoni ju e ka menaxhuar Kosova pandeminë?
Ambasadori Rohde: Sfida globale e shkaktuar nga pandemia COVID-19 kërkon një reagim të koordinuar dhe të përbashkët në Evropë dhe më gjerë. Gjermania dhe BE-ja e mbështesin Kosovën dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë prekur nga pandemia COVID-19.
Dua të theksoj bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm me autoritetet kosovare në luftimin e pandemisë. Unë jam në kontakt të rregullt me Ministrin e Shëndetësisë, Zemaj. Gjermania e ndihmon Kosovën edhe përmes partneritetit afatgjatë në mes të Institutit Robert Koch (RKI) dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK). Me kërkesë të Ministrit të Shëndetësisë Zemaj, një mission i përbashkët gjerman dhe ekspertëve të OBSH-së kanë vizituar Kosovën për dy javë. Ky deri tani ka qenë misioni më i madh i ekspertëve të RKI-së. Ai IKSHPK-së i ka ofruar ekspertizë dhe asistencë në fushën e epidemiologjisë, në punën laboratorike, të menaxhimit dhe komunimikimi të rrezikut. Një arritje e madhe me këtë rask ishte se rezultatet e testeve për COVID-19 të realizuara në IKSHPK tani zyrtarisht pranohen në Gjermani.
Siç mund të shohim edhe në vende të ndryshme në Evropë, ne duhet të jemi të përgatitur që shifrat mund të rriten përsëri së shpejti. Është esenciale që ne tani ta shfrytëzojmë mundësinë në javët në vazhdim që të përgatitemi sa më mirë që mundemi për një rast të tillë dhe që të forcojmë sektorin shëndetësor. Ne duhet të jemi të përgatitur për të rrafshuar lakoren, ashtu që sistemi shëndetësor të mos ngarkohet.
Ne përfundimisht në rrafsh global jemi së bashku në këtë edhe për ca kohë dhe deri sa një gjendet një vaksinë që do të jetë në dispozicion për të gjithë. Prandaj është thelbësore që të vazhdojmë t’i respektojmë të gjitha masat parandaluese dhe të mbajmë maska!
DW: Ambasador Rohde, edhe një here për zhvillimet politike në Kosovë. Brenda një periudhe të shkurtër u ndërruan tri qeveri, ndërkohë, që kompromisi për çështje madhore të Kosovës po mungon, kemi parë mospajtimet rreth ligjit për rimëkëmbje ekonomike ku përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës. Cila është porosia për politikën kosovare?
Ambasadori Rohde: Si në jetë, ashtu edhe në politikë qëndrueshmëria dhe stabiliteti janë të rëndësishme. Të marrim shembull dialogun Kosovë-Serbi: Pikërisht për Kosovën pajtimi me Serbinë fqinje është i një rëndësie thelbësore për një zhvillim të mëtejmë, veçanërisht marrë parasysh integrimin e shpresuar në BE. Për këtë është me rëndësi që, për shembull breda klasës politike të ketë një konsensus themelor kur bëhet fjalë për interesat nacionale, gjegjësisht që të jenë të mundura masat për ndërtim të besimit në dialogun Kosovë-Serbi, ashtu që qeveritë përkatëse të mund të udhëheqin bisedimet me mbështetjen e nevojshme dhe të mos përfundojnë në qorrsokak secilën herë për shkak se breda qeverisë nuk mund të ketë pajtim për pika kyçe të përbashkëta dhe duke qenë kështu, vështirë se mund të veprojë në nivel të barabartë, sy më sy, kundrejt partnerëve negociues.
Njësoj të rëndësishme janë edhe masat për ndërtim të besimit tek të dyja palët, të cilat në mënyrë vendimtare kontribuojnë në krijimin e një atmosfere pozitive për bisedime dhe kështu ndihmojnë largimin e mosbesimit reciprok. Është gjë e mirë që pala serbe pas vitesh hezitim, tani e ka vendosur personelin në pikën kufitare në Merdar. Vizita ime e parë me ambasadorët e Quintit në fund të gushtit ka qenë në Deçan për shkak të një mosmarrëveshjeje të pazgjidhur. Nga këndvështrimi im, ka kohë që më në fund është dashur të zbatohen vendimet e Kushtetutës së Kosovës të vendosura në vitin 2016. Një hap i tillë do të krijonte besim.