Ndërsa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara angazhohen në një raund tjetër diplomacie për të shmangur tensione të mëtejshme mes Kosovës dhe Serbisë, dy njohës amerikanë të marrëdhënieve të vështira mes dy vendeve, bien dakord se megjithë përplasjet për targat dhe dokumentat e identifikimit, problemi kryesor është mosnjohja e Kosovës nga Serbia. Por ish-i dërguari i posaçëm për bisedimet për statusin, Frank Wisner dhe ish-analisti i lartë i CIA-s për Ballkanin dhe Evropën, David Kanin kanë qëndrime të ndryshme për rolin e Perëndimit dhe ndikimin që mund të ushtrojë. Në intervista për Zërin e Amerikës ata thonë se nuk besojnë që ekziston rreziku për dhunë në përmasa të mëdha në rajon, por se situata gjeopolitike e bën gjendjen më të brishtë.
Bisedimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç javën e kaluar nuk dhanë rezultat dhe kanë mbetur vetëm pak ditë deri në 1 shtator kur pritet të hyjnë në fuqi masat e Prishtinës për reciprocitet për targat dhe dokumentet e identifikimit.
Ish-i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet për statusin mes Kosovës dhe Serbisë, Frank Wisner thotë “nga përvoja ime personale në çështjet mes Kosovës dhe Serbisë, një raund bisedimesh nuk zgjidh kurrë asgjë. Duhet të kesh raunde të mëtejshme”.
Zoti Wisner thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se çështja e reciprocitetit për dokumentat e identifikimit dhe targat duhet të zgjidhet në mënyrë që palët të përqendrohen tek normalizimi i marrëdhënieve.
Por për ish-analistin e lartë të CIA-s për Ballkanin dhe Evropën David Kanin… “ka vetëm një problem mes Serbisë dhe Kosovës, ai i statusit të Kosovës”.
Sot profesor për Studime Evropiane në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, ai i thotë Zërit të Amerikës se përpjekjet perëndimore dhe amerikane për të zgjidhur përfundimisht këtë problem, kanë dështuar.
“Çështja e targave është thjesht pjesë e këtij problemi dhe duhet pasur parasysh se ky është konteksti i krizës aktuale”, thotë zoti Kanin.
Ambasadori Wisner thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë shprehur qartë që nuk pajtohen me qëndrimin e Serbisë për çështjen e targave dhe dokumentave të identifikimit.
“Por ne në të vërtetë kërkojmë shumë më tepër se kaq: ne kërkojmë një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet një Kosove të pavarur dhe Serbisë. Ky qëndrim është i palëkundur nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së”, tha zoti Wisner.
Ai thotë se kjo nuk do të jetë e lehtë.
“Unë nuk parashikoj që njohja të vijë nesër, por është objektivi përfundimtar, është ajo që duan Shtetet e Bashkuara. Por aty mund të arrish vetëm hap pas hapi”, vlerëson zoti Wisner.
Ai thotë se angazhimi i të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe vizita e tij këtë javë në dy vendet, është një sinjal i fuqishëm nga ana e Uashingtonit se është plotësisht në krah të BE-së për një zgjidhje paqësore.
“Ky qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vjen në kohën e duhur, është i fuqishëm dhe efektiv dhe nënkupton përkushtimin e plotë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, thotë më tej ai.
Uashingtoni thotë se rezultati përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë, por sipas prof. Kanin, qëndrimi amerikan është bërë statik.
“Administratat nga të dyja partitë, nuk kanë arritur të kenë sukses me njohjet e mëtejshme të Kosovës, nuk kanë arritur të sigurojnë njohjen nga pesë anëtarët e BE-së, që nuk e kanë njohur atë”, vlerëson profesori Kanin.
Ai thotë se në kushtet aktuale Bashkimi Evropian mund të bëjë përpjekje për marrëveshje për çështje teknike dhe të thotë se po ecet në drejtimin e duhur.
“Por ato do të ishin vetëm fasadë. Çështja është statusi i Kosovës. Unë nuk besoj se Perëndimi është në një pozicion ta shtyjë procesin përpara”, shton më tej ai.
Profesori Kanin u referohet përpjekjeve sipas tij të pasuksesshme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës për ta konsoliduar pozitën e saj ndërkombëtarisht, por edhe marrëveshjes së vitit 2013 që ai e konsideron të pafavorshme për Kosovën, përfshirë Asociacionin e Komunave Serbe. Ai thotë se për këtë arsye Serbia është në një pozitë më të favorshme.
Por për ambasadorin Wisner, Serbia ka mjaft për të humbur, nëse këmbëngul në qëndrimin e mosnjohjes.
“Besoj se është Serbia ajo që do të paguajë një çmim afatgjatë, duke vazhduar të jetë e paarsyeshme për një çështje që është e vendosur, e përcaktuar në shkallë ndërkombëtare, dhe partnerët kryesorë të Serbisë në Perëndim, e mbështesin atë (pavarësinë e Kosovës). Kështu që shpresoj që të vijë një ditë që Beogradi ta pranojë realitetin”, thotë zoti Wisner.
BE-ja dhe NATO-ja kanë paralajmëruar vazhdimisht kundër dhunës në rajon. Zoti Kanin nuk beson se ka rrezikshmëri për dhunë në shkallë të gjerë, por potenciali mbetet.
“Por në një moment të caktuar një nga këto kriza mund të sjellë dhunë, sepse përsëri, statusi i Kosovës mbetet një çështje e hapur dhe një plagë e hapur në sigurinë evropiane”, thotë ai.
Ambasadori Wisner thotë se udhëheqësit ballkanikë në përgjithësi nuk duan të shohin një kthim tek dhuna.
“Ata mund të bëjnë përpjekje maksimale për të siguruar avantazhe politike, por e kam vështirë ta imagjinoj që të ketë një rikthim tek krizat e fundit të viteve 1990”.
Rëndësia e ruajtjes së sigurisë në rajon, duke pasur parasysh tensionet e fundit, u nënvizua kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se forcat paqeruajtëse të KFOR-it janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria në Kosovë.
Ambasadori Wisner thotë se angazhimi i NATO-s është shumë i rëndësishëm.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht NATO-n, janë pjesë e saj, pjesë e forcës së NATO-s në Kosovë. Vënia e theksit tek fakti se NATO-ja nuk do të qëndrojë duarkryq kur Serbia kërcënon sigurinë e Kosovës për këtë çështje, është pikërisht qëndrimi i duhur. Kjo tregon, edhe pa u thënë shprehimisht, përkushtimin e plotë të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të qetësimit dhe të një zgjidhjeje të situatës”, thotë zoti Wisner.
Ai thotë se e sheh deklaratën e presidentit Vucic se nëse NATO nuk i mbron serbët e veriut të Kosovës, Serbia do ta bëjë një gjë të tillë, thjesht si një deklaratë bombastike politike.
“Nuk mund ta imagjinoj që qeveria e Serbisë të mendojë të shkojë në luftë për dokumentet e identitetit, dhe targat dhe të sfidojë fuqinë e plotë të përkushtimit të NATO-s ndaj Kosovës”, vlerëson zoti Wisner.
Edhe Prof. Kanin thotë se deklarata e zotit Vuçiç është një qëndrim për konsum të brendshëm dhe se në fakt ai mbështetet tek KFOR-i që të mos lejojë ndonjë veprim kundër serbëve.
Ai e konsideron vizitën e Ministrit të brendshëm serb Aleksandar Vulin dhe komentet e tij në Moskë, si vazhdimësi e qëndrimit të dyzuar të Serbisë ndaj Rusisë dhe Perëndimit.
Ai thotë se Presidenti serb është komod të ulet në dy karrige.
“Ka pasur disa raste kur Vuçiç anon nga Perëndimi. Në situata të caktuar anon nga rusët. Vuçiç ankohet gjithmonë se është një situatë të vështirë, gjithmonë ankohet për kërcënimet nga ky apo ai, se Serbia është e kërcënuar nga të gjitha anët. Ai i thotë të gjitha këto dhe e mban këtë qëndrim të dyzuar me shumë zotësi për konsum politik të brendshëm. Sipas mendimit tim, në fakt pozicioni i Serbisë është mjaft konstant, mjaft jokomod, por ai nuk është i kërcënuar nga asnjëra anë”, vlerëson profesori Kanin.
Por me gjithë rolin e BE-së dhe SHBA-së, megjithë përpjekjet e Moskës për të ndërhyrë në përpjekje për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë, ekspertët thonë se në fund të fundit, janë vetë Kosova dhe Serbia që do të vendosin për të ardhmen e tyre. Zoti Kanin thotë se qëndrimet e palëve mund të ndryshojnë për mirë ose për keq.
“Ato mund t’i çojnë gjërat përpara, ose mund t’i kthejnë prapa, por duhet të vijnë nga brenda rajonit. Perëndimi i ka ezauruar të gjitha mundësitë. Perëndimi ka bërë të njëjtën gjë në mënyrë të përsëritur gjatë gjithë kohës”.
Ambasadori Wisner thotë se palët duhet të mendojnë për të ardhmen.
“U takon dy qeverive në Beograd dhe Prishtinë të gjejnë mënyra për të bërë hapa përpara që do të sillnin mirëkuptim në rajon dhe që do të lejonin zgjidhje praktike për problemet praktike, për t’i dhënë kohës një shans që të sjellë ndryshim në çështjen e përgjithshme të njohjes.”
Megjithëse rajoni i Ballkanit nuk është fushëbetejë kryesore në luftën që po kërcënon sigurinë evropiane, angazhimi diplomatik perëndimor për shmangien e tensioneve të mëtejshme, nënvizon përpjekjet për të shmangur përshkallëzimin në një front tjetër në kontinent.
voa