Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalya Apostolova u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë që urgjentisht të ndryshojnë politikat që ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Ajo tha se këto ndryshime janë edhe pjesë e standardeve që Kosova duhet t’i përmbush në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
Ajo i bëri këto komente gjatë fillimit të javës për zhvillim të qëndrueshëm, një konferencë pesëditëshe që ka për synim trajtimin e sfidave të mjedisit në Kosovë.
Zonja Apostolova tha se zhvillimi i qëndrueshëm është parakusht për qëndrueshmërinë politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Ajo tha se Kosova ka burime të kufizuara natyrore që duhet të përdoren në mënyrë të kujdesshme.
“Po e shfrytëzoj këtë mundësi që të nxisë autoritetet e Kosovës që të miratojnë strategjinë për ujërat që është shumë i rëndësishme, strategjinë për ndryshimet klimatike dhe të rrisin efiçencën në energji sa më shpejt që mundet”, tha ajo duke nënvizuar se Kosova duhet të ndryshojë në mënyrë rrënjësore perceptimin e saj lidhur me mbrojtjen e mjedisit.
“Kosova duhet që urgjentisht të ri përqendrojë politikat e saja në reforma që kanë ndikim të madh në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova drejt rrugës së saj evropiane duhet të përafrohet me standardet evropiane dhe me strategji afatgjata”, tha zonja Apostolova.
Ajo tha se edhe në raportin e përparimit të publikuar muajin e kaluar nga Komisioni Evropian, çështja e mjedisit në Kosovë vlerësohet shqetësuese dhe se Bashkimi Evropian mbetet i shqetësuar për përparimin e paktë në sektorin e ruajtjes së mjedisit.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se përmirësimi i kushteve për një mjedis më të pastër do të jetë përparësi e qeverisë së tij. Ai tha se nëpërmjet investimeve në energjinë e ripërtërishme përveç ruajtjes së mjedisit, vendi do të fitoj edhe ekonomikisht.
“Njëkohësisht një vetëdije e ngritur për energjinë miqësore po ndihmon që objektet e banimit dhe objektet industriale dhe në përgjithësi infrastruktura publike po ndihmon në përfitime afatgjate, por po hap edhe vende të punës”, tha ai.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj numëroi disa nga problemet më të mëdha me të cilat përballet Kosova në fushën e mjedisit.
“Ndërtimet pa kritere, përdorimi i teknologjive të vjetruara, mungesa e trajtimit të ujërave të zeza, ndryshimet klimatike, ndotja e ajrit, menaxhimi i dobët i mbeturinave dhe shfrytëzimi i egër i resurseve natyrore janë problemet kryesore me të cilat përballet Kosova me mjedisin”, tha ministrja Reshitaj.
Ndotja e mjedisit në Kosovë sipas studimeve të organizatave të ndryshme tejkalon normat e përcaktuara me standardet evropiane. Përveç mbeturinave, mjedisi është i ndotur edhe nga disa prodhues, në mesin e të cilëve si më kryesori është termocentrali Kosova A, që është prodhuesi më i vjetër i energjisë elektrike. Mbrojtësit e mjedisit thonë se kujdesi për këtë çështje është më rëndësi thelbësore për të ardhmen e Kosovës dhe për integrimet evropiane të saj. (voa)