Policia e Kosovës e ka arrestuar më 19 tetor një person të nacionalitetit serb me inicialet M.M., nën dyshimet se ka qenë anëtar i një grupi kriminal të përfshirë në vrasjen e politikanit opozitar serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviqit.
Urdhrin për arrestimin e të dyshuarit e ka dhënë Prokuroria Speciale e Kosovës.
Oliver Ivanoviq, i cili ka udhëhequr nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), është vrarë më 16 janar të vitit 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria ka thënë se i arrestuari dyshohet se ka qenë anëtar i grupit kriminal të organizuar dhe ka marrë pjesë aktive në kryerjen e veprave penale ‘pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal’.
Sipas deklaratës, për këtë person ka pasur urdhërarrest në fuqi prej vitit 2019, mirëpo ai ka qenë “i paarritshëm për organet e ndjekjes”.
Ndërkohë autoritetet pritet t’i caktojnë masën e paraburgimit.
Deri ku ka arritur hetimi për vrasjen e Ivanoviqit?
Deri më tani, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza për vrasjen, në të cilat nuk ka pasur ndryshime të mëdha thelbësore.
Procesi gjyqësor po vazhdon ende.
Seanca e fundit në rastin e vrasjes së liderit së Ivanoviqit është mbajtur më 18 tetor, në të cilin një dëshmitar i mbrojtur ka refuzuar të japë deklaratë me arsyetimet se nuk dihet i sigurt.
Aktakuza janë ngritur kundër Nedelko Spasojeviqit (oficer policie), Marko Roshiqit (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviqit (sekretare e të ndjerit Oliver Ivanoviq), Dragisha Markoviqit (oficer policie), Zharko Jovanoviqit (oficer policie) dhe Rade Basaras (oficer policie).
Me vrasjen po ashtu janë të lidhur edhe Zhelko Bojiq (shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (biznesmen).
Ndaj këtyre të fundit nuk është ngritur aktakuzë pasi ata kanë qenë në arrati kur Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngritur aktakuzën e parë.
Në aktakuzë përmenden Radoiçiq dhe Vesellinoviq si “udhëheqës të një grupi kriminal” që ka planifikuar vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviq.
Më 2019, Kosova ka lëshuar një urdhërarrest për Radoiçiqin nën dyshimin se ka pasur lidhje me vrasjen e Ivanoviqit.
Mirëpo, ky fletarrest për Radoiçiqin është tërhequr në mars të vitit 2021 pa ndonjë shpjegim, dhe që nga ajo kohë ai është parë disa herë në veri të Kosovës.
Të gjithë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Të dyshuarit për vrasjen e Ivanoviqit, në listën e sanksioneve të SHBA-së
Millan Radoiçiq dhe Zvonko Vesellinoviq ndodhen tashmë në listën e sanksioneve nga Departamenti amerikan i Thesarit, për shkak “të përfshirjes në rrjete korruptive me krimin e organizuar ndërkombëtar”.
Sanksionet vlejnë edhe për 10 persona të tjerë, serbë nga veriu i Kosovës, që janë të ndërlidhur me Veselinoviqin, të cilin SHBA-ja e përmend si udhëheqës i grupit kriminal.
Në mesin e tyre janë edhe Zhelko Bojiq, emri i të cilit ndërlidhet me vrasjen e Ivanoviqit dhe Marko Roshiq, i cili është njëri prej të akuzuarve në këtë rast.
Sanksionet e SHBA-së nënkuptojnë që pronat e individëve, të cilët ndodhën në listën e zezë, do të bllokohen derisa shtetasve amerikanë u ndalohet bashkëpunimi me ta.
rel