Qeveria e Serbisë dhe qeveria e Kosovës interpretojnë në mënyra të ndryshme praninë dhe shpërbërjen e strukturave paralele serbe në Kosovë.
Prishtina dhe Beogradi kohët e fundit kanë ashpërsuar retorikën kur bëhet fjalë për procesin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve. Është shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili tha për mediat lokale serbe se “serbët në Kosovë mund të jenë të sigurtë, se askush nuk do t’i shpërbëjë institucionet serbe në Kosovë. Sipas zyrtarëve të qeverisë së Kosovës, në bazë të marrëveshjeve të dala nga dialogu Kosovë-Serbi, asnjë strukturë paralele serbe, apo institucion i Serbisë, nuk mund të funksionojë në Kosovë. “Marrëveshja e parë e Brukselit dha parimet për vendosjen e Asociacionit të Komunave Serbe dhe askund nuk përmendet dispozita e suspendimit të institucioneve të Serbisë në Kosovë, si kusht për zbatimin e asaj që përmban marrëveshja”, citojnë mediet lokale serbe Marko Gjuriqin.
Mirëpo krejt të kundërtën e thotë ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri. Ajo i tha DW-së, se qëndrimi i Prishtinës zyrtare tashmë dihet: asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të themelohet pa u shpërbërë të gjitha strukturat paralele në Kosovë. “Çështja e zbatimit që është temë që më shumë e merr fokusin është çështja e ndërlidhjes së asociacionit të komunave me shumicë serbe për zhbërjen e të gjitha strukturave paralele serbe. Në kohën kur ne kemi biseduar për asociacionin, ne si palë në bisedime kemi kërkuar që procesi i hartimit të statutit, që ende nuk ka filluar dhe zhbërja e strukturave paralele të jenë procese sinkrone, në mënyrë që pasi të ndodhë zhbërja e verifikueshme e strukturave paralele serbe, atëherë, ne do ta themelojmë asociacionin”, thotë Edita Tahiri.
Nga ana tjetër Marko Gjuriq, thotë se “Prishtina zyrtare në deklarata për opinion jo rrallë marrëveshjet e Brukselit i prezanton ashtu siç nuk janë”.
“Deklarata e Zonjës Tahiri është edhe një shembull i praktikës së tillë. Institucione të Serbisë në Kosovë, në të cilat bëjnë pjesë jo vetëm 29 organe të përkohshme komunale, por edhe sistemi arsimor e shëndetësor në mjediset serbe, kurrë nuk kanë qenë temë e dialogut të Brukselit”, ka thënë Marko Gjuriq.
Mirëpo, ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, thotë se Beogradi zyrtar shpesh herë nuk e raporton të vërtetën në Bruksel sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të arritura me Prishtinën. Sipas saj, edhe Bashkimi Evropian tashmë e ka kuptuar sic thotë “lojën e Serbisë, sepse, diçka tjetër raporton në Bruksel, ndërsa diçka tjetër vepron në terren.”
Tahiri shton më tej, se “kur unë jap vlerësime për këtë proces në emër të qeverisë së Kosovës, kam thënë gjithmonë që Serbia nuk i zbaton sa duhet dhe si duhet marrëveshjet. Me këtë kam menduar që Serbia derisa në një anë zbaton marrëveshjet, në anën tjetër ende i mban strukturat paralele në Kosovë dhe ky standard i dyfishtë i Serbisë, e cila raporton në Bruksel që i ka zbatuar marrëveshjet dhe në anën tjetër mban strukturat paralele, kjo për neve nuk është zbatim cilësor i marrëveshjes”.
Analistët politik nga ana e tyre, thonë se qeveria e Kosovës duhet të verë kusht Serbisë, shpërbërjen e plotë të strukturave paralele dhe më pastaj të vazhdojë dialogu. Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, i tha DW, se thelbësorja e dialogut Kosovë-Serbi, ka qenë largimi përfundimtar i strukturave paralele serbe nga Kosova. “Rezultati aktual i dialogut është shumë i qartë: vazhdon të këtë ekzistencë të palëkundur të strukturave paralele ende dhe kjo jo vetëm në veriun e vendit por edhe në pjesët tjera të Kosovës. Pozicioni i Serbisë, përballë këtij fakti, është gjithashtu i qartë. Serbia pretendon të mos lëviz nga kontrolli faktik që u bën strukturave paralele dhe refuzon të ndalojë përfundimisht financimin e tyre. Në këtë situatë, do të ishte veprim krejtësisht jostrategjik nëse Kosova do të vazhdonte të dialogonte me Serbinë kur njëherë nuk është përmbushur qëllimi më fillestar, për të cilin është bërë ky dialog, pra largimin përfundimtar të strukturave paralele dhe ndalimin e financimit të tyre”, thotë Fisnik Korenica.
Por është pikërisht dialogu me Serbinë dhe disa nga marrëveshjet e arritura që e ka përçarë skenën politike kosovare, pozitë-opozitë, përçarje kjo që rezultoi edhe me dhunë në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij. Analisti, Fisnik Korenica mendon, se “në këtë situatë Kosova nuk duhet të pranojë të bëjë veprime përpara në Dialog me Serbinë pa u gjetur konsensusi ndërmjet të gjitha palëve politike për të”.
Sipas tij: “strategjia e Serbisë në këtë mes është gjithashtu e qartë. Ajo ka për qëllim të mos lëvizԹ nga pozicioni aktual përballë Kosovës, por po bën përpjekje që në Bruksel përgjegjësinë për mosvazhdimin e dialogut t’ia faturojë Kosovës. Bashkimi Evropian nuk duhet të qendrojë neutral në këtë kontekst, sepse, tolerimi i skajshëm i Serbisë po sjell pasoja të pariparueshme jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për gjendjen politike e shoqërore që negativisht po reflekton brenda në Kosovë. BE duhet të kuptoj që një vend i paqëndrueshëm si Kosova nuk duhet të bëhet objekt i presionit për t’ju rikthyer dialogut në kohën kur nuk ka ende zbatim minimal të detyrimeve të Serbisë për heqje dore nga Kosova dhe strukturat e saj atje”, thotë Fisnik Korenica.
Sidoqoftë, ashpërsimi i retorikës politike ndërmjet zyrtarëve të qeverisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të dala nga dialogu, ndodhi sidomos pasi Serbia nuk lejoi të hyjnë në territorin e saj, kamionët me libra të Kosovës për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës. Serbia nuk po lejon që të hyjnë në territorin e saj as maunet e Kosovës që transportojnë mallra të rrezikshme, siç janë nafta apo gazi natyror, mallra këto që janë të çertifikuara nga institucionet e Kosovës. Për të dyja këto çështje, Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje.
Qeveria e Kosovës i dha afat qeverisë së Serbisë që deri në fund të muajit mars t’i pranojë çertifikatat të njohura si (ADR), të lëshuara nga institucionet e Kosovës. Në të kundërtën qeveria e Kosovës do të përdorë masat e reciprocitetit ndaj Serbisë. (dw)