I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë një interviste për “Zërin” mohon që Unioni i Komunave Shqiptare në Ballkan të jetë një kundërpërgjigje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Thotë se Unioni nuk ka fuqi ekzekutive në asnjërën prej këtyre shteteve, shkruan “Zeri.info”.
Ahmeti ndër të tjera thotë se Asociacioni i Komunave Serbe ka për qëllim rrënimin e shtetit të Kosovës, duke shtuar se ideja e tyre është qe të kenë edhe fuqi ekzekutive.
Zëri: A është kjo njëfarë kundërpërgjigje për Asociacionin e Komunave Serbe apo jo?
Ahmeti: Absolutisht jo. Domethënë, Asociacioni i Komunave Serbe është një ide komplet tjetër me qëllim të rrënimit të funksionimit normal të shtetit të Kosovës dhe ideja e tyre është që të kenë edhe fuqi ekzekutive. Ne thjesht po e bëjmë një rrjet të komunave shqiptare, që është platformë e bashkëpunimit. Ne nuk kemi fuqi ekzekutive në asnjërin prej këtyre shteteve si rrjet. Ne e kemi edhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, është thjesht sikurse plot rrjetet e tjera ku jemi. Tash dikush mund ta quajë përse kështu, përse ashtu? Por nuk na ka çuditur apo së paku mua nuk më ka çuditur reagimi i Serbisë edhe atë prej kryetarit të Serbisë.