BE-ja kërkon sërish heqjen e tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe

Mogherini HahnShefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn, i kërkuan të mërkurën sërish Kosovës që të heqë tarifat prej 100 për qind të vendosura ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Komentet ishin pjesë e publikimit të Raportit vjetor të Zgjerimit, i cili përcakton përparimin që kanë bërë vendet që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Kosova duhet të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe duhet të heqë tarifat prej 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bonjë e Hercegovina. Në qershor do të bëj edhe një përpjekje për të zhbllokuar këtë situatë duke shkuar në këto vende, ndoshta për të përgatitur diçka për muajin korrik. Nuk e di nëse do të jetë e dobishme, por duhet ta përdorim çdo mundësi dhe të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të zhbllokuar këtë situatë që po pengon jo vetëm zhvillimin e këtyre dy vendeve, por tërë rajonit”, tha komisionari Johhanes Hahn.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar që nga muaji nëntor i vitit të kaluar, kur Prishtina vendosi tarifat në shenjë kundërshtimi ndaj siç është thënë, qasjes agresive serbe ndaj shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, por Prishtina ka refuzuar edhe trysninë ndërkombëtare për një gjë të tillë.

Edhe zonja Federica Mogherini, tha se Kosova duhet të heqë tarifat për t’u hapur rrugë bisedimeve meqë sipas saj, ‘status-quoja’ aktuale nuk është e qëndrueshme. Duke ju referuar operacionit të një dite më parë të policisë së Kosovës që nxiti tensione në veri dhe ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, zonja Mogherini tha se “ajo që ndodhi dje na tregon se Prishtina dhe Beogradi duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të arrijnë një marrëveshje detyruese ligjore. Ajo që ndodhi dje është përkujtues se të gjithë ne jemi për marrëveshje të tillë pasi që i tërë rajoni përfiton prej saj. Është e vërtetë, fola për bashkëpunimin në rajon. E dimë dhe pajtohemi që tendencat e së kaluarës për konfrontim, ose për retorika që nuk janë bashkëpunuese, mund të dalin në çdo moment. Dhe, për këtë arsye them se jemi në një udhëkryq”, tha zonja Mogherini.

Bisedimet tashmë të pezulluara, i patën siguruar Serbisë hapjen e negociatave për integrim, ndërsa Kosova deri më tani ka përfituar vetëm Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, por mbetet e fundit në proceset integruese në rajon. Ajo mbetet edhe vendi i vetëm, qytetarët e së cilës, nuk mund të udhëtojnë pa viza drejt Bashkimit Evropian.

Pas publikimit të raportit të zgjerimit, përfaqësuesja e posaçme e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova, tha se raportin theksohet që të gjitha kriteret janë përmbushur dhe Komisioni dhe Parlamenti Evropian rekomandojnë që liberalizimi i vizave për Kosovën të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Mendoj që kjo është gjuha më e fortë që kemi parë në raport që nxit shtetet anëtare të gjejnë zgjidhje sa më shpejt”, tha zonja Apostolova.

Raporti i publikuar sot vlerëson mes tjerash se situata ne veriun e Kosovës vazhdon të jetë sfidë edhe për agjencitë e sundimit të ligjit sa i përket krimit të organizuar.

Raporti vë re mes tjerash se korrupsioni është ende gjerësisht i shtrirë në Kosovë, e cila “është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Disa përparime janë bërë kryesisht përmes reformave të rëndësishme në fushën e sundimit të ligjit, në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të nivelit të lartë dhe në ngrirjen paraprake të pasurisë. Megjithatë, është bërë pak përparim në konfiskimin përfundimtar të pasurive dhe ende ka shumë pak hetime financiare dhe dënime përfundimtare. Masat janë të nevojshme për të siguruar qartazi se nuk ka ndërhyrje politike në organet e zbatimit të ligjit dhe prokurorisë”.

Raporti njeh përparimin “në luftën kundër terrorizmit, veçanërisht në lidhje me krijimin e kushteve më të mira për rehabilitimin dhe riintegrimin e luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre. Autoritetet e Kosovës duhet të jenë më efektive në përpjekjet e tyre për të luftuar pastrimin e parave dhe ligji përkatës duhet të jetë në përputhje me kërkesat e BE-së dhe standardet ndërkombëtare”, thuhet mes tjerash në raport.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>