Beograd: “Ushtria dhe policia serbe – një grusht mjerim”

VucicProvokimi me trenin ishte “budallallëk”, thuhet në Beograd. Mediat qeveritare thonë se vetëm politika e “urtë” e kryeministrit Vuçiq e ka evituar konfliktin e armatosur. Por të tjerët paralajmërojnë.

Vetë qeveria e ka kijuar krizën, sepse ajo është përgjegjëse për mbishkrimet dhe provokimet në trenin e nisur për Mitrovicë, thonë kundërshtarët e kryeministrit Aleksandar Vuçiq. Ndërsa tani kryeministri po përpiqet të paraqitet si paqëbërës, me deklaratat se e ka evituar konfliktin. Por mbështetësit e Vuçiqit thonë se “konfliktin e ka evituar politika paqësore dhe nervat e fuqishme të Vuçiqit“. Politikani i Rusisë Unike, Sergej Zheleznjak pohon madje se “duke i falënderuar kësaj politike të Vuçiqit, është evituar konflikti i armatosur në zemër të Evropës”.

A mund zjarrvënësi të jetë zjarrfikës?

Mrendoj se e gjitha ajo që po ndodhë mes Beogradit dhe Prishtinës është vetëm një vazhdimësi logjike e politikës së qeverisë serbe, e cila ka lidhje me zgjedhjet që po afrohen, thotë për DW Dragan Popoviq, kryetar i Qendrës për politikë praktike në Beograd. “Kjo është një politikë e cila po e shfrytëzon Kosovën dhe të gjitha që lidhen me Kosovën për t’i dërguar mesazhe opinionit të brendshëm dhe të jashtëm. Varësisht nga nevojat, dërgohen mesazhe ashpërsuese apo nënshkruhet ndonjë marrëveshje. Ndaj edhe kjo është një krizë artificiale e krijuar qëllimisht, që dëshmon se ne nuk kemi nisur procesin serioz të normalizimit të raporteve mes serbëve dhe shqiptarëve“.

Popoviq mendon se treni është përdorur për qëllime të brendshme dhe për të ngritur tensionet, sepse gazetat e Serbisë janë përplot me paralajmërime për konflikte dhe luftë. “Mediat qeveritare me ditë të tëra janë duke zhvilluar një fushatë jo normale, ku njerëzit përgatiten për njëfarë lufte dhe skenarë katastrofash. Ndaj edhe treni nuk mund të konsiderohet ndryshe por vetëm një budallallëk dhe provokim i panevojëshëm”

Kush ka fituar në Bruksel?

Kam përshtpjen se të dy palët po përpiqen të zhvendosin vëmendjen nga problemet e tyre të brendshme në Kosovë apo Serbi, thotë për DW Filip Shvarm, redaktor përgjegjës në revistën “Vreme”. “Ata po përpiqen që Marrëveshjen e Brukselit ta paraqesin si fitore të tyre. Ndaj tani kemi një situatë kur secila anë përpiqet ta prezantojë si fitore për vete atë që është nënshkruar në Bruksel. Në Ballkan kemi pra oligarki të cilat përfitojnë nga ashpërsimi i gjendjes dhe ngritja e tensioneve“.

Pushteti në Serbi ka dëshmuar edhe në këtë rast se vet krijon probleme, ndërsa pastaj paraqitet si “shpëtimtar”.  Në këtë mënyrë përpiqet të përfitojë edhe mbështetjen e Perëndimit. “Qeveria e tanishme paraqitet si faktor stabiliteti dhe paqe në Ballkan. Në fund të fundit, që nuk është e vërtetë. Qeveria po e shfrytëzon këtë paraqitje jashtë vendit për të shkelur lirinë e mendimit dhe të mediave në Serbi si dhe për shkatërrimin e institucioneve. Qeveria e Aleksandar Vuçiqit po prodhon pa ndërprerë kriza dhe më pas përpiqet t’i zgjidhë ato. Vuçiqi pohon se e ka evituar luftën, ndërsa vet ai e ka dërguar trenin“, pohon Popoviq.

Serbët viktima më e madhe

Filip Shvarm pohon se kjo lojë me armë dhe kërcënimet e Beogradit kanë një karakter ritual, sepse “Serbia nuk ka potencial dhe dëshirë për një luftë të re”. “Ushtria dhe policia janë një grusht mjerim. Por pushteti po përpiqet që në këtë vit zgjedhor të futet me legjitimime nacionale dhe të paraqitet si mbrojtës universal i interesave të serbëve, por edhe si liderë rajonalë“.

Ndaj Dragan Popoviq pohon se “humbësi më i madh i këtyre krizave është qytetari serb dhe në veçanti serbët e Kosovës. Ata do të jenë viktimat e para në qoftë se situata del jashtë kontrollit. Ata janë një monedhë e qeverisë për kusur. Qeveria serbe po vazhdon strategjinë e krijimit të tensioneve dhe frikës në prag të zgjedhjeve“. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>