Berlini dhe kriza e fundit në Ballkan

Ballkani hartaSi i sheh Gjermania tensionet e fundit në Ballkan, autokracinë në Serbi dhe perspektivën evropiane? Për këto çëshjte flasin tre deputetë gjermanë.

Brexit, kriza ekonomike, Trumpi… ka shumë probleme me të cilat aktualisht merret Komisioni i Bundestag-ut për Politikën e Jashtme. E megjithatë të mërkurën (26.01) ai gjeti kohë të trajtojë seriozisht edhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Tre deputetë të këtij Komisioni thonë për Deutsche Welle-n se qëllimi i takimit ishte që Gjermania dhe Bashkimi Evropian janë të interesuara për zhvillimet në këtë rajon.

Problemet me fushatat

Thorsten Frei, deputet i Partisë Kristiandemokrate (CDU) në këtë Komision, thotë se as Rusia dhe as Truqia nuk po flenë, kur bëhet fjalë për gjendjen në Ballkan. Ndërkohë që ende nuk dihet se cili do të jetë roli i SHBA-së, pas marrjes së postit të Presidentit nga Donald Trump. Roli i Rusisë është forcuar veçanërisht në Serbi. “Në Rusi kemi një sistem autokrat për të cilin më të rëndësishme janë lojërat gjeopolitike për pushtet se sa interesat e popullit serb. Nuk dua të mohoj lidhjet historike mes këtyre vendeve, por fakt është që raportet tregtare mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian, e në veçanti Gjermanisë janë shumë më të fuqishme se ato me Rusinë. Në 15 vitet e fundit, nga BE në Serbi kanë shkuar donacione në vlerë prej rreth pesë miliardë Euro, ndërsa nga Rusia – asgjë, përveç ndoshta trenit të nisur së fundi për Kosovë”, thotë Frei për Deutsche Welle-n.

Ndryshe mendon deputetja majtiste, Sevim Dagdelen. “Qeveria federale duket qartë që nuk është e interesuar që Serbia si kandidate për anëtarësim në BE të jetë partnere e afërt me Rusinë. Nga Serbia po kërkohet që të ketë kurs antirus. Në këtë kontekst kërkohet normalizimi gjoja i raporteve me Kosovën, që do të detyronte Serbinë edhe të njohë pavarësinë e kësaj krahine që ka shpallur pavarësinë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, thotë Dagdelen për DW.

Josip Juratoviq, deputet socialdemokrat (SPD), është i shqetësuar për shkak të tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë. Episodi me trenin, siç thotë, shtron pyetjen: në ç’drejtim po shkon Serbia – rrugës së Nikoliqit apo të Vuçiqit, i cili flet se i mbetet besnik procesit të integrimeve evropiane dhe se do të bëjë ç’është në mundësinë e tij për ta realizuar këtë qëllim. Juratoviq pohon se gjendjen në Ballkan e rëndojnë edhe fushatat elektorale atje, sepse shumë shpesh ka zgjedhje dhe fushata. “Ne tërë kohën kemi zgjedhje në ndonjë vend. Para ca kohësh ka pasur zgjedhje në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë e tani do të ketë edhe në Serbi. Partitë politike në këto vende nuk kanë asgjë konstruktive të ofrojnë dhe për këtë qëllim krijojnë tensione mbi bazën e të cilave i kanë fituar zgjedhjet me dekada.”

Në pyetjen se si e komenton faktin që presidentët e Serbisë dhe Kosovës kanë dalë edhe pas takimit në Bruksel me deklarata luftarake, Juratoviq thotë se nuk do të flas me emra, por ka shumë politikanë në rajon që nuk duan afrimin me BE-në. “Ata kanë krijuar në dekadat e fundit një sistem të përshtatshëm ku zotëron një gjendje gjysmë e qartë dhe në këtë kontekst janë dakord të gjithë nacionalistët.”

Juratoviq kërkon që të mos vazhdohet me diskutime nëpër seanca e konferenca pa fund, por të punohet konkretisht për projekte dhe reforma. E “në këtë drejtim duhet të ushtrohet presion”, thotë Juratoviq. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>