Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ka ndarë një kredi prej rreth 40 milion eurosh për të financuar modernizimin e infrastrukturës hekurudhore të Kosovës, thelluar integrimin rajonal dhe për të forcuar zhvillimin ekonomik të vendit.
Kjo është transaksioni më i madh i BERZH-it në Kosovë deri më sot dhe investimi i parë i bankës në sektorin e transportit të vendit. Projekti do të përmirësojë lidhjen midis rrjetit hekurudhor të Kosovës dhe rrjetit evropian përmes korridorit VIII dhe korridorit të X-të në Maqedoni në jug të vendit dhe kufirin serb në veri.
Modernizimi i infrastrukturës së transporteve është përparësi e BERZH-it në Ballkanin Perëndimorë, për të ndihmuar përmirësimin e rrugëve tregtare dhe zhvillimin e një bashkëpunimi më të fuqishëm ndërkufitar.
Kredia për Infrastrukturën e Hekurudhave te Kosovës (Infrakos), do të sigurojë fonde për të përmirësuar vetëm lidhjen hekurudhore ndërkombëtare të Kosovës, e njohur si rruga hekurudhore 10. Ajo është 148 kilometra e gjatë dhe e ndarë në tre seksione: seksioni jugor Fushë Kosovë – Maqedoni; pjesa qendrore Fushë Kosovë-Mitrovicë; dhe pjesa veriore e Mitrovicës deri në kufirin me Serbinë. Kredia do të përdoret për rehabilitimin dhe modernizimin e këtyre seksioneve në faza të veçanta.
Bashkë me BERZH-in, projektin është duke e ndihmuar edhe Banka Evropiane për Investime. Projekti përfiton edhe nga mbështetja e rëndësishme e Bashkimit Evropian dhe paratë e për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve nga kuadri investues për Ballkanin Perëndimor.
Nënpresidenti i parë i BERZH-it Phil Bennett tha se “infrastruktura bashkëkohore dhe e zhvilluar mirë e transporteve është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Jemi krenar që rruga hekurudhore 10 e Kosovës është projekti ynë i parë në transportet e vendit. Rehabilitimi i linjës së vetme hekurudhore ndërkombëtare të Kosovës, është jetike për integrimin e mëtejmë të vendit në tregjet rajonale e ndërkombëtare. Lidhjet e përmirësuara të transporteve do të ndihmojnë shumë tregjet dhe bashkëpunimin rajonal e pan evropian”.
“Ky është një projekt më përparësi të lartë për Kosovën, meqë modernizimi i linjës hekurudhore do të sjellë përfitime të shumanshme politike dhe ekonomike për vendin. Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt përmirësimit të lidhjeve tregtare kombëtare e ndërkombëtare dhe rritë efikasitetin dhe cilësinë e transportit të njerëzve dhe mallrave”, tha ministri i financave të Kosovës, Abdullah Hoti gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes në selinë e BERZH-it në Londër.
Linja hekurudhore 10 e Kosovës, është pjesë e rrjetit kryesor hekurudhor të Ballkanit Perëndimorë, një zgjatje e rrjetit transportues trans evropian, që është pjesë synimeve të Bashkimit Evropian për të nxitur lidhjet e transporteve në rajon.
BERSZH-i filloi të investojë në Kosovë që në vitin 1999. Deri tash, banka ka nënshkruar 39 projekte me një vlerë prek 124 milion eurosh. Kosova u bë pjesë e BERZH-it në dhjetor të vitit 2012. (voa)