Kanë mbetur edhe dy muaj deri kur Gjykata Themelore e Prishtinës, pritet të shqyrtojë çështjen se kush e ka të drejtën e shfrytëzimit të tokës mbi 4 hektarëshe, në kampusin e Universitetit të Prishtinës (UP), ku gjendet edhe një kishë ortodokse. Për këtë tokë do të përballen në gjykatë UP-ja dhe Kisha Ortodokse Serbe.
E rrethuar nga disa fakultete dhe pjesë të kampusit universitar, qëndron ndërtesa e papërfunduar e kishës ortodokse e quajtur Kisha e Krishtit Shpëtimtar.
Heshtja dhe zbrazëtia që e zotëron këtë strukturë, u thye më 10 qershor, kur u mbajt një liturgji nga Kisha Ortodokse Serbe, të cilën institucionet e Kosovës e quajtën “shkelje të rregullave të sigurisë publike”.
Se çfarë duhet të ndodhë me kishën dhe si duhet të shfrytëzohet toka e kontestuar, ka qenë subjekt i polemikave për një kohë të gjatë.
Studentët për kishën
Studentë të UP-së, konsiderojnë se problemet politike që e mbështjellin këtë çështje, po ua pamundësojnë të shfrytëzojnë në tërësi tokën që sipas tyre, do të duhej t’i takonte universitetit.
Donat Prekopuca, student i Fakultetit Juridik, tha se kisha e papërfunduar duhet të shërbejë për t’i pasqyruar krimet e luftës në Kosovë, të viteve 1998-99.
“Nuk mendoj që është e drejtë, qysh e di unë nuk ka as leje. Por nëse veç nuk rrënohet, mendoj që duhet me u bë ndonjë muze për t’i parë krimet e luftës, që janë bërë nga vet okupatori që e ka ndërtuar kishën”, tha ai.
Ndërkaq, Qëndresa Burrniku, studente e Fakultetit Filozofik, konsideron se objektet fetare të çfarëdo lloji nuk kanë vend afër ose brenda kampusit të universitetit.
“Unë mendoj që kisha nuk duhet të gjendet fare në oborre të fakulteteve. Thjesht ndonjë park ose diçka më atraktive, jo kishë ose xhami ose çfarëdo qoftë”, thekson ajo.
Mbajtja e liturgjisë në kishë në qershor, ishte konsideruar veprim politik edhe nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.
“Të organizosh liturgji politike, të bën kishë politike. Andaj në vend se të bashkojë njerëzit, ju inicioni konflikt”, kishte shkruar ai në Facebook.
Përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, nuk i janë përgjigjur kërkesës për koment lidhur me këtë çështje nga Radio Evropa e Lirë.
Megjithatë, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, Igumeni Sava Janjiq në vitin 2015 kishte deklaruar se kjo kishë është legale dhe nuk është e Millosheviqit ashtu siç po portretizohet.
“Ne konsiderojmë se ajo nuk është kishë politike. Qëndrimi ynë është dhe ne e kemi përsëritur disa herë, se ne i kemi të gjitha dokumentet se kisha është bërë në mënyrë legale dhe se ajo nuk është kishë e Milosheviqit. Ai nuk e ka ndërtuar atë”, kishte thënë ai.
Me gjithë reagimet për liturgjinë në kishë, Milica Radovanoviq, studente e juridikut e cila gjithashtu punon në organizatën Iniciativa e Re Sociale në Mitrovicë të Veriut, mendon se askush nuk mund t’ia ndalojë përdorimin e tokës Kishës Ortodokse, pasi momentalisht ata janë pronarët ligjorë të kësaj parcele.
“Diçka që shpesh harrohet në Kosovë është se në këtë kohë, Kisha Ortodokse Serbe është pronarja ligjore e tokës në pajtim me legjislacionin në fuqi në Kosovë dhe ka të drejtë t’i përdorë tokën dhe objektin e ndërtuar në të. Gjykata e ka konfirmuar pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe dy herë deri më tani dhe deri në fund të këtij gjykimi dhe ndoshta edhe pas tij, Kisha Ortodokse Serbe është pronare e plotë në pajtim me ligjin e Kosovës dhe e drejta e saj për të shfrytëzuar tokën, nuk duhet të vihet në pyetje”, tha ajo.
Gjyqi maratonik
Çështja e të drejtës së shfrytëzimit së tokës në kampusin universitar të UP-së, ka qenë objekt i gjykimit që nga viti 2012.
Universiteti i Prishtinës e kishte humbur gjyqin fillestar lidhur me këtë çështje, pasi dështuan të paraqiten në gjykatë në seancën për këtë kontest në vitin 2015.
Më pas, edhe Gjykata e Apelit në vitin 2017 i dha të drejtë kishës për pronësinë e tokës duke e hedhur poshtë padinë e UP-së.
Në po atë vit, universiteti inicioi një padi të re për të cilën nuk u mbajt asnjë seancë gjyqësore deri në fillim të vitit 2021.
Në seancën gjyqësore të mbajtur më 25 mars, përfaqësuesi ligjor i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi kishte kërkuar shtyrjen e procesit me qëllim të grumbullimit të provave.
Kjo pasi sipas tij, në mungesë të dokumenteve të kadastratit për vitet e 90-ta, ka qenë e vështirë të grumbullohen provat që tregojnë se si toka kishte kaluar në shfrytëzim të kishës.
UP-ja në këtë rast, pretendon se tokën që është në pronësi të Komunës së Prishtinës, e ka pasur në shfrytëzim të lirë e të papenguar që nga viti 1975.
Kelmendi nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, lidhur me grumbullimin e këtyre provave, duke e quajtur “procesin të ndjeshëm”.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj teme, me keqardhje ju them që në këtë fazë nuk mund të japë asnjë informatë. Lënda është në proces gjyqësor, prandaj nuk duam që në asnjë mënyrë të interferohet në proces, ndoshta edhe të dëmtohet procesi”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga UP-ja.
Edhe pse çështja e tokës është cilësuar si problem edhe politik, deri më tani, qeveria dhe avokatia e shtetit, nuk janë përfshirë zyrtarisht në këtë çështje gjyqësore.
Sami Istrefi nga avokatia shtetërore, tha për Radion Evropa e Lirë se universitetin nuk e përfaqësojnë në gjykatë, por do të mund ta bënin këtë në rast të një kërkese të arsyetuar nga këta të fundit.
“Unë kam pasur një takim me sekretarin e universitetit, një prodekan dhe një avokat që e kanë angazhuar ata. Përjashto këtë takim konsultativ, asnjë takim tjetër as përfaqësim ose çështje tjetër nuk kemi pasur. Nuk kemi asnjë kërkesë me shkrim, përjashtimisht një takimi konsultativ dhe aty jemi munduar ta shpjegojmë të drejtën tonë pronësore në atë pjesë”, tha ai.
Lidhur me këtë proces, as përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë nuk i janë përgjigjur pyetjeve.
Kishë apo muze?
Struktura e papërfunduar e kishës që gjendet në tokën e kontestuar, u ndërtua në vitet e 90-ta, përkatësisht në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Në dhjetor të vitit 1992 janë vendosur themelet e kishës, ndërsa në fillim të vitit 1999, kjo kishë ishte ndërtuar deri në formën që e ka sot.
Historiani Jusuf Buxhovi, për Radion Evropa e Lirë, tha se kjo kishë është një ndër dëshmitë e pastra të regjimit të Beogradit, përkatësisht Millosheviqit në atë kohë.
Sipas tij, as gjyqi momentalisht në proces, nuk pritet të jetë në favor të UP-së.
“Kjo kishë nuk ka histori, është e dhunshme dhe në përputhje me këtë duhet të sillet edhe politika. Më duhet ta them se ky proces është i përfunduar fatkeqësisht në dëm të Universitetit të Prishtinës, sepse në 2017 nuk janë paraqitur në gjykatë.”
Studentë, studiues por edhe organizata jo qeveritare, tash e disa vite e kanë shtyrë idenë që kjo kishë të shndërrohet në një muze.
Sipas historianit Buxhovi, kjo do të ishte një zgjidhje e pranueshme por që do duhej të arrihej edhe me një marrëveshje mes nivelit politik në Kosovë dhe faktorit ndërkombëtar.
“Ndoshta me një marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, por edhe faktorëve tjerë, që ky objekt të paktën të kthehet në një muze të Kosovës, në një muze kulturor e të tjera por këto janë mundësi vetëm teorike”, tha ai.
rel