Kosova vazhdon të importojë më së shumti nga Serbia. Sipas statistikave të muajit shkurt, përqindja e importit nga Serbia është 14.5%, ndërsa nga Shqipëria 3.5%.
Por, 4 ditë pas fillimit të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ekspertët e ekonomisë kanë vlerësuar se, kjo do të ndryshojë me praninë e produkteve të vendeve të BE-së.
“Tashmë që kemi nisur zbatimin e MSA-së, importuesit nga Serbia rrezikohen seriozisht. Kjo nuk është e mirëseardhur për përfaqësuesit e saj në Kosovë, nga të cilët, dy vitet e fundit Kosova ka importuar rreth 800 milionë euro produkte të ndryshme. Ndërsa përmes rrugëve ilegale, shifrat jozyrtare përllogariten të jenë më shumë se 35%, që ka një vlerë rreth 280 milionë eurosh”, tha Agim Shahini, kryetar i Aleancës kosovare të Biznesit.
Në 5 vitet e para, Kosova do të importojë mbi 1.000 produkte me tarifën zero nga 28 vende të Bashkimit Europian, duke rritur kështu konkurrencën në tregun kosovar.
Këto vlerësime, ekspertët i shprehën në tryezën e Aleancës kosovare të Biznesit, me temë “Importet nga Serbia dhe ndikimi i MSA-së në produktet që hyjnë nga vendi fqinj”.
Vlera e mallrave që janë importuar nga Serbia në vitin 2014 ka qenë 368 milionë euro, 83 milionë më shumë se në vitin 2013.
/ Top Channel