Presidenti amerikan Joe Biden i ka dërguar letër presidentit serb Vuҫiq. Ai i uron festën por edhe kërkon marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën – me përqendrim tek njohja e ndërsjellë. Vuҫiq shprehet kundër.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden, thotë se Shtetet e Bashkuara mbesin të palëkundura në qëllimin për të mbështetur integrimin evropian të Serbisë. Por ai në letrën dërguar presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq kërkon edhe reforma si dhe arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën, e cila do të përqendrohej tek njohja e ndërsjellë. Këtë letër presidenti Biden i ka dërguar Vuçiqit në prag të ditës së shtetësisë së Serbisë, e cila shënohet me 15 shkurt.
“Ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim përfshirë realizimin reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”, thuhet ndër tjerash në letrën e cila është publikuar edhe në faqën zyrtare të presidencës serbe.
Pak kohë pas publikimit të letrës ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “në Uashington ka treguar çfarë mendon për njohjen e Kosovës dhe se përgjigjja e tij nuk do të jetë ndryshe”.
Vuçiqi kundër njohjes së Kosovës
“Kam marrë një mesazh urimi nga presidenti Biden. Faleminderit për urimet. Ndërsa sa i përket njohjes reciproke, kjo nuk figuron në asnjë akt të ndonjë organizate botërore. Ne e kuptojmë se kjo është politika e re amerikane. Ka pasur përpjekje për të imponuar atë term si diçka që duhet ta pranojmë si zgjidhje përfundimtare në Uashington. Unë ua kam thënë një herë në fytyrë se çfarë mendoj për njohjen dhe përgjigja ime nuk do të jetë ndryshe”, ka thënë Vuçiq.
Sipas tij, “me e rëndësishme është që të mbrojë interesat e Republikës së Serbisë, sesa dëshirat shqiptare dhe amerikane”. Vuçiq pohon se situata “nuk është e këndshme sepse është e qartë se e gjithë iniciativa e politikës së jashtme amerikane do të shkojë në drejtim të arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi”.
Reagimet në Kosovë
Kryeministri i Kosovës në detyrë Avdullah Hoti, e sheh letrën e presidentit amerikan Joe Biden dërguar presidentit Vuҫiq, “si një garanci amerikane, se integriteti territorial i Kosovës nuk cenohet”.
“Integriteti territorial nuk është në shitje dhe nuk negociohet”, tha Hoti duke shtuar se “partnerët tanë na kanë garantuar ashtu siç ndodhi me 4 shtator në Zyrën Ovale dhe sot me letrën e presidentit Biden”, tha Avdullah Hoti.
Që nga viti 2011 Kosova dhe Serbia kanë nisur një dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, që për qëllim final ka arritjen e një marrëveshje marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.
Takimi i fundit ndërmjet presidentit serb Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës në detyrë Avdullah Hoti, u zhvillua në korrik të vitit 2020. Takime të tjera nuk priten në një të ardhme të afërt për shkak të zgjedhjeve në Kosovë dhe krijimit të institucioneve të reja.
Më 4 shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia nënshkruan dy dokumente në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, në prani të ish-presidentit Donald Trump. Këto dokumente kanë për qëllim normalizimin e raporteve ekonomike Kosovë-Serbi.
dw