Bislimi: Serbia nuk është e interesuar të bisedojë seriozisht me Kosovën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i tha Zërit të Amerikës se pala serbe nuk është e interesuar të vazhdojë me seriozitet procesin e bisedimeve në Bruksel dhe kjo sipas tij, është pasqyrim i ngecjeve në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Në një bisedë për Zërin e Amerikës, zoti Bislimi i cili drejton grupin negociator të Kosovës në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, tha se në takimin e një dite më parë në Bruksel është diskutuar vetëm për personat e zhdukur dhe ka pasur shumë pak përparim për të arsyetuar një takim të radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

“Përshtypja ime është se në konstelacionin aktual, pala serbe nuk ka interes që të vazhdoj me seriozitet në procesin e dialogut për arsye se ngecja evidente në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian e ka ulur koston edhe për Serbinë të konstruktivitetit në dialog, rrjedhimisht i ka lënë komoditetin zotit (Aleksandër) Vuçiç që të merret me problemet tjera të regjionit. Jeni dëshmitar të përfshirjes së tij dhe të Kishës Ortodokse Serbe në trazirat në Malin e Zi, iniciativa e tij që i vendoset si oponencë proceseve regjionale të orientuara nga BE-ja siç është ideja e mini Shengenit apo Ballkanit të Hapur ku ai paskrupullt po e shfrytëzon pakënaqësinë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me mos hapjen e negociatave dhe po mundohet që me procese alternative t’i krijojë konkurrencë Bashkimit Evropian”, tha zoti Bislimi.

Zoti Bislimi thotë se aktualisht me palën serbe ka vetëm një dakordim, që çështja e personave të zhdukur duhet të trajtohet me përparësi. Por, delegacioni i Kosovës e ka shpallur si person të papranueshëm kryetarin e Komisionit për Persona të Zhdukur në qeverinë e Serbisë, Velko Odalloviç, i cili është pjesë e delegacionit serb për bisedime me Kosovën.

Zoti Odalloviç sipas zyrtarëve të qeverisë, ka qenë udhëheqës i partisë së Slobodan Millosheviçit gjatë viteve 1997 deri 1999 në Kosovë.

Zoti Bislimi thotë se Kosova shumë shpejt do të fillojë me procedurat për shpalljen e zoti Odalloviç si person të padëshirueshëm në Kosovë.

“Nuk është problem përkatësia etnike e zotit Odalloviç por e kaluara e tij që ne besojmë se është e kaluar kriminale. Zoti Odalloviç ka pas ndalesë edhe të futjes në Bashkimin Evropian për disa vite me një vendim të datës 30 maj të vitit 2000 ka edhe raste tjera apo dëshmi që tregojnë se roli i tij gjatë para dhe gjatë luftës ka qenë shumë destruktiv. Kështu që për shembull është e papranueshme që zoti Andin Hoti djali i personit më prominent të zhdukur në luftë ta ketë përballë dikë që mund të jetë edhe është mbase përgjegjës për zhdukjen e prindit të tij. Kjo nuk i kontribuon çështjes për të cilën këto grupe janë zgjedhur dhe dërgon sinjalin se Serbia nuk është e interesuar për zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve”, tha ai.

Kosova ka paralajmëruar edhe fillimin e reciprocitetit për tabelat e regjistrimit të makinave me Serbinë. Zëvendëskryeministri Bislimi thotë se problemi i tabelave nuk është problem i mbetur, por i trajtuar në të kaluarën dhe që nuk zbatohet njësoj nga të dyja palët.

Aktualisht qytetarët e Kosovës për të kaluar nëpër territorin e Serbisë duhet të heqin tabelat me shenjën RKS, por kjo nuk ndodhë me makinat me tabela të Serbisë që hyjnë në Kosovë.

“Nga data 15 shtator ne do të aplikojmë procedurat e ngjashme me ato që aplikon Serbia. Në qoftë se bashkësia ndërkombëtare mendon që kjo është e padrejtë adresa dihet se ku duhet të stopohet kjo. Duhet të detyrohet Beogradi të pranojë faktin se Kosova i dizajnon tabelat e saj të veturave dhe jo Serbia”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Bislimi thotë se Serbia po mundohet që në bisedimet e Brukselit të negociojë për temat që tashmë janë përmbyllur.

“Ata po synojnë që dialogu të reduktohet në çështje të segmentuara parciale të së kaluarës në mënyrë që procesi të zgjatet në pafundësi, ne nuk kemi interes që procesi të zgjatet në pafundësi, për ne është me rëndësi të definohen elemente që janë të nevojshme”, thotë ai.

Delegacionet teknike të Kosovës dhe Serbisë zhvilluan për dy ditë bisedime në Bruksel por pa ndonjë përparim.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>