Blinken: Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE, rruga e vetme për Kosovën e Serbinë

Blinken KosovaSekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të enjten në Tiranë se bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, janë rruga e duhur për përparimin e Kosovës dhe Serbisë.

 

Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin përsëritjen e asaj çfarë ka ndodhur në vitet e 90-ta në rajonin e Ballkanit, fillimisht në Bosnjë e pastaj edhe në Kosovë.

“Për këtë arsye jemi të angazhuar t’i mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin dhe Evropën. Sa i takon Kosovës dhe Serbisë, bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë rruga e vetme e duhur dhe jemi të angazhuar të bëjmë gjithçka që duhet për të mbështetur të dyja vendet që të përshkojnë këtë rrugë”, tha zoti Blinken.

Ai përgëzoi rolin e Shqipërisë për qëndrueshmërinë rajonale, integrimin dhe përparimin rajonal.

“Ky është shtegu që qartazi i vë të gjithë drejt një të ardhmeje më të mirë. Ne e dimë se cila është alternativa pasi e kemi përjetuar, e kemi parë. Prandaj jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbështetur të gjitha vendet e rajonit që ta ndërmarrin këtë rrugë dhe t’i mbështesim bisedimet e lehtësuara nga BE-ja”, tha zoti Blinken.

Sekretari Blinken nuk komentoi mospajtimet ndërmjet qeverisë amerikane dhe qeverisë së Kosovës rreth vendimit të autoriteteve në Prishtinë për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Ndihmësi i zotit Blinken, James O’Brien i tha të martën Zërit të Amerikës se qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara, duke mos u bashkërenduar rreth kësaj çështjeje.

I pyetur nga gazetarët rreth komenteve të zotit O’Brien, të mërkurën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndonëse theksoi se Shtetet e Bashkuara paraqesin mikun dhe partnerin më të rëndësishëm që ka Kosova, nuk la të nënkuptohet se do të tërhiqet nga vendimi për dinarin.

Të enjten ambasadori amerikan në Prishtinëm, Jeff Hovenier u shpreh i brengosur me siç tha, deklaratat pas asaj interviste që sugjerojnë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara nuk janë ndikuar dhe se nuk mund të ndikohen nga kjo situatë.

“Më duhet të jem i qartë, kjo thjeshtë nuk është e vërtetë”, tha ambasadori Hovenier, duke nënvizuar se kjo çështje tashmë ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>