Boehler: Përparimi ekonomik në interes të popujve të Kosovës dhe Serbisë

BoehlerShefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, Adam Boehler, përgëzoi të enjten gjatë një konference online me gazetarë, udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë për angazhimin e tyre, siç tha, në përpjekjet e përbashkëta për normalizim të marrëdhënieve ekonomike në mes të dyja vendeve.

Komentet e zotit Boehler pasojnë nënshkrimin e letrave të interesit me Kosovën dhe Serbinë në fund të muajit që po e lëmë pas, për të ndihmuar financimin e Autostradës së Paqes, ndërmjet të dyja vendeve.

“Mund të jetë shumë e vështirë të lihen prapa problemet e vjetra dhe të mendohet për të ardhmen ekonomike. Por të dy presidentët, ai i Kosovës dhe Serbisë e kanë kuptuar se përparimi i bashkëpunimit ekonomik shkon në interes të popujve të të dyja vendeve, krijon vende pune si dhe krijon një mjedis ku njerëzit flasin për fuqinë ekonomike të secilit vend dhe jo për një konflikt të vjetër. Kështu që ne jemi shumë të lumtur ta mbështesim një gjë të tillë sepse besojmë që me të vërtetë sjell zhvillim dhe përparim edhe për Kosovën edhe për Serbinë, dhe jo për njërën të humb kundruall tjetrës, por të ketë përparim për të gjithë”, tha ai.

Nënshkrimi i letrave pasoi dakordimin e të dyja palëve më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Zoti Boehler tha se zbatimi i projekteve që do të mbështesë korporata që ai drejton do të kërkojë pak kohë, por ritheksoi përkushtimin e madh të kësaj korporate për t’i përmbyllur ato projekte me sukses.

“Kjo do të marrë një kohë, disa javë, disa muaj, nuk është diçka e menjëhershme por është e vërtetë. Ajo çka më pëlqen për këtë Agjenci është se, siç edhe e dini, Shtetet e Bashkuara janë në mes të një procesi zgjedhor por Agjencia dhe përkushtimi ynë për të investuar në vendet në zhvillim nuk do të ndryshojnë pavarësisht nga administrata në Amerikë”, tha ai.

Muajin e kaluar, në përpjekje për të lehtësuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, zoti Boehler vizitoi Prishtinën dhe Beogradin ku edhe u hap zyra e korporatës e cila pritet të shërbejë për tërë rajonin me qëllim sic u tha të “lehtësimit të zbatimit të projekteve me përparësi si Autostrada e Paqes”.

Delegacioni amerikan nënshkroi deklaratë të përbashkët me Kosovën dhe Serbinë, e cila, siç thuhet, garanton zbatimin e projekteve, ndërsa ambasadori Richard Grenell, i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se vizita është dëshmi e përkushtimit për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në Ëashington.

Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar tashmë që të krijojnë një grup punues, i cili do të ndihmojë qeveritë e të dyja shteteve për të zbatuar projektet e marrëveshjes së 4 shtatorit, si dhe të ofrojnë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës.

Kosova dhe Serbia, do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare amerikane për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të jetësuar: Autostradën e paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdarë, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme etj.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>