Për takimin në Paris ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri,Josep Borell, ka reaguar edhe ky i fundit. Përmes një njoftimi në Twitter, Borell thotë se në Paris ka pasur takime intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, për dialogun e lehtësuar nga BE dhe rrugën përpara.
“Theksoj nevojën për të respektuar të gjitha angazhimet e dialogut. Sigurimi i paqes dhe stabilitetit në terren në këtë moment kritik është thelbësor”, ka shkruar Borell.
Ndërsa në këtë takim me shefin e BE-së, kryeministri Kurti ka thënë se propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq para gazetarëve tha se shqiptarët vazhdojnë ta kenë mbështetjen gjermane e britanike. “Është e qartë se gjermanët janë ata që i mbështesin për të gjitha aktet ilegale në BE, dhe jashtë BE-së është Britania e Madhe”, deklaroi Vuçiq.
rtk