Borrell: Kosovës dhe Serbisë u kemi dorëzuar versionin e fundit të propozimit për marrëveshje

BorellShefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të martën në Tiranë se ka një moment të rëndësishëm në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, meqë të dyja palëve u është dorëzuar versioni i fundit i propozimit për një marrëveshje, duke ju referuar propozimit që u bë i njohur si nisma franko-gjermane e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

 

Zoti Borrell, i cili po merr pjesë në takimin e lartë të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, nuk dha ndonjë hollësi rreth propozimit, i cili nga ajo çfarë është thënë deri tani, nuk parasheh njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por një marrëveshje që siguron përparimin e të dyja vendeve drejt proceseve integruese.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç thanë sot në Tiranë se mbeten të përkushtuar në orientimin drejt bllokut, por dallimet janë shumë të thella ndërmjet palëve.

Presidentja Osmani tha se Kosova si vendi më proevropian do të paraqes kërkesën për anëtarësim në BE deri në fund të vitit, ndërsa nënvizoi se blloku duhet të lëvizë nga fjalët në vepra, posaçërisht kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave, duke shfaqur shpresën se Këshilli Evropian do të votojë në favor të tij me 15 dhjetor.

“Ky do të ishte një hap i madh papara për t’i dhënë një sinjal të qartë Ballkanit Perëndimor se ka rëndësi nëse u përmbaheni vlerave evropian apo jo, sepse nganjëherë, më duhet të pranojë se ka mesazhe të paqarta sepse në njërën anë keni vende që janë tërësisht në harmoni me BE-në dhe në anën tjetër keni vende që janë të harmonizuar me (Vladimir) Putinin. Nuk duhet trajtim i njëjtë sepse nëse sot jeni me Ukrainën ose me Rusinë duhet të ketë rëndësi”, tha presidentja Osmani, duke ju referuar refuzimit të deritashëm të Serbisë për t’iu bashkuara sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Presidenti serb tha se Serbia i di detyrimet e saj në rrugën evropiane dhe për harmonizimin me vendimet evropiane. Por, tha ai, “kemi situatë të ndryshme sa i përket tërësisë tokësore të Serbisë që është shkelur në mënyre të tmerrshme në vitin 1999 dhe në vitin 2008 dhe do të diskutojmë për këtë me udhëheqësit evropiane sot”.

Ai tha se gjatë nëntë muajve të fundit është thënë se “Serbia me udhëzimet e Federatës Ruse do të sulmojë të tjerët në Ballkan, të nxisë pasiguri e joqëndrueshmëri dhe ne e kemi përgënjeshtruar këtë jo me deklaratat tona por me vepra. Është lehte të bësh pretendime e falsifikime ndaj vendit tonë por në fund del e vërteta dhe njerëzit e shohin atë. Serbia është vend i pavarur dhe jemi në rrugën tonë evropiane dhe kështu do të mbetet”.

Javën e kaluar presidenti serb tha fillimisht se nuk do të marrë pjesë në takimin e Tiranës, duke reaguar me zemërim ndaj emërimit të ministrit të ri për komunitete në qeverinë e Kosovës Nenad Rashiç, një politikan i moderuar në vend të ish ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe. Ai përdori gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe ministrit Rashiç, por edhe ndaj, siç tha, reagimit të butë të Bashkimit Evropian.

Të martën ai tha se ndryshoi qëndrim ndaj pjesëmarrjes në takimin e Tiranës sepse “më mirë është të jesh në tryezë, sepse kur nuk jeni aty atëherë jeni në meny dhe disa mezi presin”.

“Për fat të keq Vuçiçi është vazhdimësi e mentalitetit që ekzistonte ne Serbi në vitet e 90-ta dhe është pikërisht ky mentalitet që çoi në luftëra e shkatërrime dhe vrasjen e 150 mijë civilëve”, tha të hënën presidentja Osmani.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>