Borrell nis të enjten vizitën në Ballkan

BorrellPërfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell do ta vizitojë Kosovën më 30 dhe 31 janar, për të vazhduar vizitën e tij në Serbi më 31 dhe 1 shkurt.

Para vizitës së tij në këto dy shtete Borrell ka thënë se me dëshirë do të realizojë vizitën e tij të parë zyrtare në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij kjo vizitë flet për përkushtimin e BE-së në rajon, stabilitetin dhe sigurinë.

“Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet gjatë mandatit tim dhe duke marrë parasysh vendosshmërinë time për të avancuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, dëshirova të vizitoj Kosovën dhe Serbinë, të parat në rajon. Ka shumë punë të rëndësishme përpara, duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Beogradit”, është cituar të ketë thënë Borrell.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Borrell do të takohet me liderët politikë, përfshirë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësues politikë dhe ata të shoqërisë civile.

Po në Kosovë, Borrell pritet të prezantojë një projekt të financuar nga BE-ja për përmirësimin e kualitetit të ajrit në Prishtinë.

Në Beograd, ai do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, përfaqësues politikë si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Për shkak të pozitës që ka në BE, Borrell pritet të ndërmjetësojë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ky dialog është pezulluar për shkak të taksës që autoritetet e Kosovës kanë vënë në importet serbe në nëntor të vitit 2018.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>