Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, tha se Kurti dhe Vuҫiq kanë dallime të qarta në mënyrën se si e shohin zgjidhjen përfundimtare të statusit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, në Bruksel përfundoi pa ndonjë marrëveshje. Gjithësesi dy palët ranë dakord që në ditët e ardhshme të vazhdojnë diskutimet.
Në një konferencë shtypi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili së bashku me të ngarkuarin e BE-së për bisedime Mirosllav Lajqak, ishin ndërmjetësues në takimin Kurti-Vuҫiq tha: “Fatkeqësisht ende nuk kemi arritur marrëveshje sot, jo, më vjen keq. Por ky nuk është fundi i rrëfimit meqë të dy udhëheqësit u pajtuan që procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimet do të vazhdojnë në ditët në vijim. Ka ende kohë deri më 1 shtator. Pra sot nuk pati marrëveshje, por ne nuk dorëzohemi, ne duhet të vazhdojmë diskutimet, duhet të kërkojmë zgjidhje, procesi do të vazhdojë”.
Borell: Koha kërkon zgjidhje dhe jo shtim tensionesh
Pika kryesore në të cilën BE-ja nguli këmbë ishte arritja e një marrëveshjeje në lidhje me reciprocitetin e Prishtinës për dokumentet e udhëtimit të Serbisë dhe targat e makinave. Takimi i 18 gushtit, ndërmjet Kurtit dhe Vuҫiqit, erdhi pas tensioneve të 31 korrikut në veriun e Kosovës, ku serbët lokal bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit. Prishtina zyrtare e shtyu zbatimin e tij deri më një shtator. Shefi i diplomacisë evropiane, zoti Borrel tha se “ky nuk është momenti për të ngritur tensionet, është koha të kërkohen zgjidhje dhe për të zgjidhur çështjet e hapura për shumë kohë”.
“U thashë edhe dy udhëheqësve se ky ishte një takim për menaxhimit të krizës, jo një takim i zakonshëm. Synimi i këtij takimi ishte të qetësojmë situatën në teren”, tha Borrel, duke u shprehur i bindur që “si kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, e kuptuan se nuk ka një alternativë përveç bisedimeve për të zgjidhur çështjet e hapura.”
Borrel shtoi se Kurti dhe Vuçiq kanë dallime të qarta ndërmjet tyre “në mënyrën se si e shohin zgjidhjen përfundimtare të statusit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Borell: Kurti dhe Vuçiq kanë dallime të qarta në qëndrime
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, para takimit tre palësh zhvilluan takime të ndara me zotin Borrel dhe zotin Lajҫak. Gjatë këtyre takimeve sipas shefit të diplomacisë evropiane, “është biseduar për marrëveshjen gjithpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Ne po ashtu u përqendruam për vazhdimin e rrugës drejt normalizimit gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë. Të dy liderët patën mundësi që të tregonin në detaje lidhur me këtë marrëveshje gjithëpërfshirëse, teksa tensionet aktuale në terren janë simptoma të problemit më të gjerë të statusit të pazgjidhur të raporteve”, tha Josep Borrell, duke shtuar se “çështja e normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është lart në agjendën e tij”. Sipas tij, qëndrimi I BE-së është i qartë që “liderët e Kosovës dhe Serbisë do të mbahen përgjegjës për çdo përshkallëzim të situatës në terren”.
Zyra e kryeministrit të Kosovës lëshoi një deklaratë të shkurtër për media duke njoftuar për temat që u diskutuan në takim. “Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.
Vuçiq thërret për takim në Beograd përfaqësuesit e serbëve të Kosovës
Mediet në Serbisë ndërkaq, shkruajnë shkruajnë se ndörsa në Bruksel po zhvilloheshin takime në kuadër të dialogut, Kosovë-Serbi, presidenti Vuçiq ka thirrur pör një takim në Beograd përfaqësuesit e serbëve nga Kosova. Takimi do të mbahet të dielën, më 21 gusht.
Një ditë më parë, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, zhvilluan takime të ndara me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe më vonë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, si dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Albin Kurti ka insistuar që Kosova është për reciprocitet me Serbinë.
“Nuk është se e kemi bërë shtyrjen që të bëjmë edhe shtyrje tjera. Shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator dhe me atë rast kemi dëshmuar me datën 1 gusht se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”, deklaroi një ditë më parë Kurti.
Presidenti Vuҫiq tha se ai ka rikonfirmuar “vendosmërinë e Serbisë për të bërë gjithçka që të ruajë paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin, si dhe të arrijë zgjidhje kompromisi përmes dialogut, por pa presion dhe ultimatume”.
dpa