Analisti amerikan, Janusz Bugajski, bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Jamestown në Uashington, thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ai rus Vladmir Putin, po luajnë me kartën e Kosovës për të mbledhur nacionalistët dhe për të krijuar mosmarrëveshje. “Beogradi dhe Moska po llogarisin në përshkallëzimin e konfliktit në veri të Kosovës për të penguar zyrtarët perëndimorë nga marrja e ndonjë vendimi të ashpër për njohjen e ndërsjellë për shkak të frikës nga dhuna”, thotë ai.
Bugajski paralajmëron se “është vendosur skena për kriza të reja në Ballkanin Perëndimor, të cilat mund të shndërrohen në të dhunshme”.
Ai vlerëson se kombinimi i pamjaftueshmërisë së Bashkimit Evropian, mosvëmendja amerikane dhe tensionet në rritje lokale e kanë fuqizuar “qeverinë nacionaliste të Serbisë që të përshkallëzojë pretendimet e saj ndaj territoreve fqinje”.
Në kolumnën e tij të fundit mujore për portalin e Sarajevës istraga.ba, Buganjski thotë se rajoni është plot me mosmarrëveshje të pazgjidhura që i ofrojnë Moskës një thesar mundësish edhe madje edhe derisa ajo po e humb luftën në Ukrainë.
“Kremlini e sheh Ballkanin si një aset strategjik ku mund të minojë rolin e institucioneve perëndimore dhe të pretendojë se NATO nuk ka arritur të sigurojë stabilitet”, thekson Bugajski, transmeton Telegrafi.
“Aleati kryesor i Putinit në rajon është Aleksandar Vuçiq, me të cilin është në simbiozë. Moska po ndihmon Beogradin në ndërtimin e një ‘bote serbe’, sipas së cilës të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet të zgjeruar.
Në këmbim, thotë ai, Serbia i lejon Rusisë të zgjerojë shtrirjen e saj rajonale përmes marrëveshjeve energjetike, depërtimit të inteligjencës, bashkëpunimit ushtarak dhe dezinformimit.
Buganjski thotë se Beogradi kohët e fundit nënshkroi një kontratë të re furnizimi me gaz me Gazprom të Rusisë dhe po ritransmeton kanalet televizive propagandistike të Kremlinit RT dhe Sputnik pavarësisht ndalimit të tyre në të gjithë Evropën.
Sipas tij, vizita e fundit e ministrit të Brendshëm serb Aleksandar Vulin në Moskë vuri në dukje mbështetjen e fortë të Beogradit për imperializmin rus në këmbim të ndihmës së Kremlinit për të “ngrirë” Kosovën dhe për të mbrojtur Serbinë në rast të një konfrontimi të drejtpërdrejtë me NATO-n.
“Përderisa mediat serbe po lëshojnë dezinformata të vazhdueshme kundër Kosovës, Vuçiq po riciklon justifikimet që çuan në luftë dhe gjenocid në vitet ’90-ta kur ai ishte ministër i Informacionit i Millosheviqit. Nocioni se serbët po persekutohen në Kosovë duhet të pasqyrojë gjithashtu pretendimet e sajuara të Rusisë kundër Ukrainës”, thotë Buganjski, transmeton Telegrafi.
Më tej ai thotë se negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të regjistrojnë disa marrëveshje, si në marrëveshjen e fundit për lirinë e lëvizjes, por pa një afat të caktuar për njohjen ndërshtetërore, ato do të vazhdojnë pafundësisht.
Vuçiq dhe Putin, thekson Bugajski, po luajnë me kartën e Kosovës për të mbledhur nacionalistët dhe për të krijuar mosmarrëveshje.
“Beogradi dhe Moska po llogarisin në përshkallëzimin e konfliktit në veri të Kosovës për të penguar zyrtarët perëndimorë nga marrja e ndonjë vendimi të ashpër për njohjen e ndërsjellë për shkak të frikës nga dhuna”.
Ai thotë se Moska gjithashtu bashkëpunon ngushtë me kreun e entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, ambicia e të cilit është të ndajë Bosnjën dhe të krijojë një shtet tjetër serb.
Sipas Bugajskit, Moska i ofron Dodikut forma të ndryshme të ndihmës ekonomike, ushtarake dhe propagandistike.
“Sanksionet gjysmake të BE-së nuk arritën ta pengonin Dodikun, ndërsa ambiciet e nacionalistëve kroatë për të krijuar një entitet të tretë etnik në Bosnje e ndihmuan gjithashtu atë dhe klientët e tij në Moskë”.
Ai gjithashtu thotë se “në mënyrë paradoksale, lëvizjet për të minuar integritetin boshnjak u ndihmuan gjithashtu nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), zyrtarët e së cilës me sa duket nuk e kuptojnë se konsolidimi i çifligjeve etnike në Bosnje përmes zgjedhjeve të njëanshme është një recetë për konflikt të armatosur”.
“Mali i Zi është i destabilizuar edhe nga sulmi ndaj institucioneve të tij të pavarura nga partitë nacionaliste serbe që janë të lidhura ngushtë me regjimin rus”, thekson eksperti amerikan dhe njohës i mirë i situatës në Ballkan.
Sipas tij, kjo përfshinë kërkesat e fundit për autonomi serbe në disa komuna jugore.
“Fatkeqësisht, besimi i qeverive perëndimore se aktivistët e supozuar kundër korrupsionit do të jenë udhëheqës efektivë ka dështuar. Jeta e shkurtër e qeverisë së Dritan Abazoviqit nuk është befasuese duke pasur parasysh gatishmërinë e saj për të minuar sovranitetin malazez, duke nënshkruar marrëveshje të privilegjuara me Kishën Ortodokse Serbe – një organizatë që nuk e njeh shtetësinë malazeze”, transmeton Telegrafi.
“Për më tepër, pretendimet se qeveria ka luftuar kundër korrupsionit janë të shterpe dhe hipokrite kur aleatët e saj më të afërt janë liderët partiakë dhe fetarë që u korruptuan nga Moska dhe në bashkëpunim me zyrtarët serbë”, thotë Bugajski.
Analisti amerikan vlerëson se “një hetim mbi lidhjet e paligjshme ruse të çdo lojtari të madh politik do të ishte një shkak i denjë për gazetarët dhe organizatat joqeveritare malazeze, si dhe për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit”.
Sipas tij, Shqipëria do të mund të futet në konfliktin rajonal nga subversioni rus.
“Depërtimi i fundit në objektet ushtarake shqiptare dhe sulmet ndaj tre ushtarëve të saj është një provokim i qartë për të trazuar vendin dhe për të krijuar probleme të reja për NATO-n. Sulmi në bazë [ushtarake] kishte për qëllim provokimin e konflikteve midis autoriteteve dhe opozitës dhe largimin e vëmendjes nga fushatat irredentiste serbe”.
Buganjski vlerëson se “mbështetja e Tiranës për nismën Ballkani i Hapur, një projekt gjeostrategjik i krijuar për të rritur rolin rajonal të Serbisë dhe depërtimin ekonomik të Moskës, nuk do të sigurojë imunitetin e Shqipërisë nga konflikti”.
Sipas tij, pretendimet e disa liderëve të BE-së për “autonominë strategjike” të Evropës tingëllojnë absurde kur ata nuk janë në gjendje të sigurojnë sigurinë në një rajon që dëshiron të anëtarësohet në BE.
Buganjski thotë se, Bashkimi Evropian ka zvarritur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ndërsa anëtarësimi për Bosnjën dhe Kosovën është një perspektivë e largët.
“Stabiliteti në Maqedoninë e Veriut është minuar nga Bullgaria anëtare e BE-së, qeveria e së cilës mbetet e zhytur në mosmarrëveshje të pazgjidhura historike me Maqedoninë dhe në mënyrë të pavetëdijshme po e ndihmon Moskën të destabilizojë më tej rajonin”.
Bugajski thotë se administrata e Biden po i lejon gjithashtu Rusinë të depërtojë në rajon duke pranuar pretendimet e Vuçiqit se ai është properëndimor dhe nuk dëshiron të largojë mbështetësit e tij duke sanksionuar Rusinë.
“Ia vlen të kujtojmë se si Sllobodan Millosheviqin fillimisht e mashtroi Uashingtonin kur thoshte se ishte garantuesi i paqes dhe integritetit të Jugosllavisë në fillim të viteve 1990. Koha e balancimit ka kaluar – ose Serbia është një vend evropian ose është e lidhur me Rusinë perandorake, e cila kërkon të çmontojë botën perëndimore”, thotë Bugajski.
“Për të shmangur një zjarr të ri, duhet të mbrohen plotësisht edhe objektivat e politikës agresive të Serbisë”.
“Si Bosnja dhe Hercegovina, ashtu edhe Kosova kanë nevojë për një rrugë drejt anëtarësimit në NATO, dhe forcat properëndimore në Mal të Zi kanë nevojë për mbështetje më të fortë që do të largojë nacionalistët pro-Moskë të promovuar nga Vuçiq. Pa një udhërrëfyes të qartë për të garantuar sigurinë rajonale, Uashingtoni dhe Brukseli do ta gjejnë veten duke u përpjekur të shuajnë më shumë zjarre në vend që të çarmatosin zjarrvënësit”, përfundon Bugajski në kolumnen për istraga.ba. /Telegrafi/