Intervistë me veprimtarin e LPK-së, Ibrahim Kelmendi (2)
Treshja e Shtabit (Thaçi, Syla, Haliti) e sabotoi dhe e shpërdoroi luftën e UÇK-së
“Kosova Sot”: Edhe zëdhënësi i UÇKsë, Ali Uka u vra. Ai banonte me Hashim Thaçin, i cili kurrë nuk ka folur për këtë rast. Çka fshihet pas kësaj vrasjeje?
Ibrahim Kelmendi: Në prag të luftës pati ndodhur një vrasje goxha e bujshme në Tiranë, sidomos për shkak të barbarisë së saj. Është fjala për gazetarin Ali Uka, i cili në Tiranë po afirmohej si zëdhënës i UÇK-së. Për atë vrasje është dyshuar edhe Hashim Thaçi, shoku i Ali Ukës, meqë nuk duhet ta ketë duruar afirmimin e tij aksidental. Rastësisht pata takuar babanë e Ali Ukës, i cili kishte ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në gjykimin për vrasjen e djalit të tij. Atë e takova të bujtina e Tafilit, ku po flija edhe unë (meqë e paguanim krevatin 5 DM në natë për individ). Mënyra si u zhvillua seanca ishte një farsë që më irritoi. Aty nuk u fol fare me kë kishte banuar Ali Uka, as se ishte arrestuar si i dyshuar për vrasje Hashimi, por po kryhej një formalitet për të gjykuar atë vrasje, sikur e kishte bërë një kushëri i tij, që kishte ardhur në Tiranë nga Cyrihu. Atë e mbanin të burgosur në burgun psikiatrik në Elbasan dhe i kishin caktuar diagnozën e të sëmurit psikik. I kam harruar detajet, por di që pata raportuar gjerësisht për atë farsë gjyqë- sore në gazetën “Zëri i Kosovës” (mars ose prill 1998).
“Kosova Sot”: Po babai i Ali Ukës, te kush dyshonte për vrasjen e djalit?
Ibrahim Kelmendi: Nuk më kujtohet tamam.
“Kosova Sot”: Kush e ka dirigjuar në të vërtetë luftën e UÇK-së, këta që sot marrin merita e rrahin gjoks, apo ishin shërbimet sekrete, sidomos ai francez?
Ibrahim Kelmendi: Luftën e UÇK-së nuk e ka dirigjuar askush, por e ka bërë UÇK-ja e vegjëlisë çlirimtare në Kosovë, e cila ka sfiduar bandën sabotuese e komplotiste të treshes famëkeqe! UÇK-në, shpërthimi i kryengritjes së armatosur në mars të vitit 1998, pas plojës ose epopesë se Jasharëve, e zuri të goditur rëndë nga vrasjet e burgosjet që u kishin bërë forcat serbe pjesëtarëve të saj, si dhe sabotimi e komplotet që i kishin bërë Xhaviti e Azemi gjatë viteve 1994- 1998. Vegjëlia çlirimtare, kryengritëse, u vetë-organizua në zona, formoi shtabet e zonave, e bëri luftën siç diti e mundi, duke sfiduar sabotimet financiare, në armatim, organizim, që ia bënte “shtabi” i bandës së treshes, i cili e kishte selinë në hotele e restorante të Tiranës. Fatkeqësisht, ndërkombëtarët i afirmuan po këta tre, meqë i kishin kapur si marioneta të shërbimeve të huaja që duhet të kenë qenë. Mbaj mend kur me pati thënë Sekretari i Shtetit gjerman, Wolfgang Ischinger, se po i vinte gjynah për UÇK-në, si po e komprometonin çunat Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, duke i takuar të ngarkuarit ndërkombëtarë, duke marrë nga ata pyetje, duke simuluar sikur po i merrni përgjigjet nga Shtabi i Përgjithshëm dhe ua përcillnin atyre broçkullat e tyre…
Padronët i kanë dhënë garanci Thaçit
“Kosova Sot”: Cila ishte lidhja e Thaçit me shokë, me agjenturat franceze dhe a besoni se edhe sot e kësaj dite këto lidhje ekzistojnë?
Ibrahim Kelmendi: Hashim Thaçi kishte raporte “shoqërore” me francezin Arnaud, njësoj si ushtari me komandantin, që do të thotë, Hashimi vetëm ka zbatuar urdhrat e atij shërbimi filoserb, atëherë e sot. Nuk e di çfarë raporte duhet të kenë tani Hashimi dhe ai shërbim, por njihet praktika e shërbimeve të tilla – njëherë marionetë, përjetësisht marionetë (pos kur vetë shërbimet vendosin ta lirojnë). Mosbrengosja e Hashim Thaçit për Gjykatën Speciale, respektivisht angazhimi i tij që ajo të krijohet, përmban sigurinë që i është dhënë Hashimit nga padronët e tij! Unë kam përvojë si përkthyes në proceset gjyqë- sore në Gjermani. Për të zbuluar krimin e organizuar policitë hetimore fusin në radhët e tyre spiunë. Spiunit i lejohet për kamuflim të luajë rolin e narkodilerit, ta zëmë, por kur ndodh procesi gjyqësor, ai nuk gjykohet, e shumta ai duhet të dëshmojë për të bëmat e strukturave të kapura. Kështu parashikoj të ndodhë edhe me Hashimin, pa zhurmë publike, do të garantojë Franca se e kishin rekrutuar dhe plasuar në UÇK për t’u informuar për “veprimtaritë terroriste” dhe të “krimit të organizuar” në Kosovë.
“Kosova Sot”: A mund të jetë edhe situata në Mitrovicën e pasluftësndarja e këtij qyteti në dysh dhe krejt pjesës veriore me komunat e tjera të shumicës serbe, pasoja e lidhjeve të fshehta dhe pazareve të Thaçit me shërbimet franceze?
Ibrahim Kelmendi: Pasojë kryesore duhet të ketë qenë vendimmarrja e Shtabit të Ushtrisë Franceze, ndërsa Hashimi, si marionetë e saj, vetëm ka luajtur rolin diversionist për të penguar forcat e UÇK-së që të mos provonin të pozicionoheshin me kohë edhe në ato pjesë, të cilat po vazhdon t’i mbajnë të pushtuara Serbia dhe KFOR-i i vendosur në atë zonë.
“Kosova Sot”: Çfarë raportesh kanë pasur mafiozët e shtabit të UÇK-së me Adem Jasharin, me familjen e të cilit sot janë zbehur raportet?
Ibrahim Kelmendi: Uroj ta korrigjoni diskualifikimin e vrazhdë “mafiozët e shtabit të UÇK-së”. Nuk kam informacion të konkretizuar. Di që ai “shtab”, i cili përbehej nga Nait Hasani, Xheladin Gashi, Rexhep Selimi, Sokol Bashota, etj., “grupin e Drenicës”, siç e quanin diskualifikueshëm, që komandohej nga Adem Jashari, duhet ta kenë sabotuar dhe nuk e kanë integruar fare në UÇK. Kështu duhet t’i kishin urdhëruar bosët Xhaviti e Azemi. Qysh në vitin 1996, nga UÇK-ja e Drenicës, janë kërkuar ndihma nga Lëvizja dhe Fondi në Gjermani, meqë ai “shtab” po e sabotonte. Me Adem Jasharin dhe bashkëluftëtarët e tij mbanin lidhje Ali Ahmeti, Fehmi e Ramiz Lladrovci. Xhaviti dhe Azemi po i sabotonin edhe përmes ndikimit të tyre në Kryesi të Lëvizjes. E kam me të dëgjuar, por jo të thashethemeve ordinere, se kundër Hashimit dhe Kadri Veselit UÇK-ja e Drenicës duhet të kishte marrë vendim që t’u ndalohet hyrja në atë zonë. Ali Ahmeti duhet të ketë intervenuar që ai dënim të anulohej… (Më gjerësisht mund t’a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)