Chollet i kërkon Kurtit ta pranojë planin e BE-së për marrëveshje me Serbinë

Nga takimi Chollet - Kurti në PrishtinëPor rrit SHBA presionin edhe ndaj Prishtinës? Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Chollet kërkon pranimin e propozimit të -BE nga Kosova, një ditë pas deklatarës së Vuçiqit se Serbia do mund të ketë pasoja.

 

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i kërkoi kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që ta pranojë propozimin evropian apo siç njihet nisma franko-gjermane për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Këtë kërkesë, Chollet ia bëri kryeministrit Kurti vetëm një ditë pasi Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se Serbia do të përballet me pasoja politike dhe ekonomike nëse nuk e pranon planin franko gjerman.

Chollet tha se ”fola me Albin Kurtin për të diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës që ta pranojë atë. Ndër temat kryesore ishte edhe partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, shkroi Chollet në Twitter.

Chollet u shpreh, se me kryeministrin e Kosovës ka biseduar edhe për çuarjen përpara të diskutimeve për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. “Ne diskutuam gjithashtu për rëndësinë e karakterit multietnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në kontekstin e dialogut me Serbinë dhe nevojën që serbët e Kosovës të kthehen në institucione”, shkroi Chollet. Dy javë më parë këshilltari amerikan i Departamentit të Shtetit ishte për vizitë në Kosovë dhe Beograd.

 

Pozicionet e kundërta

Ende qeveria e Kosovës nuk ka dalë me qëndrim të qartë nëse e pranon planin franko gjerman, por më herët kryeministri Kurti ka thënë se ky plan është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme. Serbia insiston që Prishtina zyrtare ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni një-etnik. Marrëveshja për krijimin e këtij asociacioni është arritur qysh në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Nismën për ta diskutuar çështjen e Asociacinit të Komunave me Shumicë serbe e ka ndërmarrë Ambasada Amerikane në Prishtinë e cila paralajmëroi që më datën 31 janar do të ketë një diskutim për këtë asociacion, dhe ku ka ftuar udhëheqës të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë. “Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë rreth angazhimit për Asociacionin, në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në një njoftim të Ambasadës amerikane.

Pjesëmarrjen në këto diskutime e ka konfirmuar një ministër serb në qeverinë e Albin Kurtit, Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili tha se “pret të jetë një takim i mirë”. Rashiq  u emërua në pozitën e ministrit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhjetorin e shkuar, kur Goran Rakiq, kryetar i Listës Srpska dha dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare për targat e  paligjshme serbe në veri të Kosovës.

 

Një ditë më parë ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një konferencë për medie në Beograd, tha se “plani franko gjerman de fakto u shndërrua si kornizë e re e bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nuk do të ketë asnjë përparim nëse nuk bashkëpunojmë për këtë”. “Tashmë ky plan është plan i të gjitha vendeve të bllokut, përfshirë edhe atyre që nuk e njohin Kosovën”, tha Vuçiq.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christofer Hill, nga ana e tij,  tha se e “mirëpret synimin e Serbisë për ta shqyrtuar propozimin evropian”, ndërsa, Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell, ritheksoi se pret “angazhim konstruktiv” të palëve rreth propozimit evropian, ndërsa vlerësoi pozitivisht “ndërhyrjen publike të presidentit Vuçiç për këtë çështje”. Kreu i diplomacisë evropiane e “nënvizoi rëndësinë që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet që dalin nga bisedimet, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në një njoftim të Bashkimit Evropian.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>