Christoph Heusgen: Asociacioni nuk përbën rrezik për Kosovën

Presidenti i Konferencës së Sigurisë në Mynih Christoph HeusgenPresidenti i Konferencës së Mynihut tha të martën në Berlin se Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një kompromis mes tyre. Si bazë mund të shërbejë modeli i afrimit të Gjermanisë me RDGJ-në.

 

Presidenti i Konferencës së Sigurisë në Mynih, Christoph Heusgen, është optimist se mund të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Në kuadër të një bisede me Shoqatën e Korrespondentëve të Huaj, të martën, 14.06.22, në Berlin, Heusgen i tha Deutsche Welle, se që të arrihet kjo, Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë së pari detyrat e tyre.

 

Çudi nga befasimi i Vuciçit

Njëra nga këto është njohja e Kosovës nga Serbia, të cilën e kërkoi së fundmi edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij javën e kaluar në Beograd. Heusgen i tha DW se kjo nuk është një kërkesë e re.

 

“Prandaj jam pak i befasuar që presidenti i Serbisë u tregua kaq i habitur. Ka shumë vite që po kërkohet kjo. Ne kemi ofruar mundësinë e një marrëveshje sipas modelit të dy Gjermanive, Republikës Federale Gjermane dhe RDGJ. Marrëveshja e atëhershme në vitin 1971, hapi mundësinë e krijimit të marrëdhënieve diplomatike me mes dy Republikave, dhe kjo bëri të mundur edhe njohjen e RDGJ-së dhe anëtarësimin e saj në OKB”, tha Heusgen. “Këto tema janë prej kohësh në rendin e ditës. Prandaj u çudita shumë që presidenti serb u tregua i befasuar”, shtoi Heusgen. Heusgen tha gjithashtu se duhen bërë përparime edhe në njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së.

 

Kosova të zbatojë marrëveshjet e Brukselit

Përveç njohjes nga ana e Serbisë, sipas Heusgen, edhe Kosova duhet të lëvizë përpara në dialog me Serbinë. Ai tha se duhet të zbatojë marrëveshjet e miratuara në Bruksel, ndër to edhe marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti refuzon deri më tash ta zbatojë këtë marrëveshje, pasi ai thotë se ky projekt mund të shkaktojë një  “Republika Srpska” të dytë në Ballkan.Heusgen nuk e sheh këtë rrezik. Ai i tha DW, se ka edhe shtete të tjerë federale mund të shërbejnë si model, siç është për shembull modeli i shtetit federal gjerman, ku landet kanë kompetenca për disa çështje, si kultura, rendi, etj. “Vetëm temat e mëdha, siç janë politika e jashtme dhe e mbrojtjes, duhet të jenë në dorë të qeverisë në kryeqytet”, i tha Heusgen DW.

Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe u arrit në prill 2013, ndërmjet kryeministrave të atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e ish të ngarkuarës së BE-së  për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Catherine Ashton.

Christoph Heusgen ka qenë prej vitit 2005 këshilltar i ish-Kancelares gjermane Angela Merkel për çështje të sigurisë. Prej vitit 2017 dhe deri në vitin 2021 ai ishte përfaqësues Gjermanisë në OKB. Prej vitit 2021 ambasadori Heusgen u emërua President i Konferencës së Sigurisë në Mynih, post të cilin e mori në dorëzim nga ambasadori gjerman, Wolfgang Ischinger.

 

Konferenca e Sigurisë në Mynih zhvillohet çdo vit në muajin shkurt dhe mbledh politikanë, ushtarakë, sipërmarrës, OJQ dhe ekspertë nga vende të ndryshme të botës për të zhvilluar bisedime jashtë rendit protokollar dhe diplomatik. Prej shumë vitesh aty marrin pjesë rregullisht edhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>