Chulick: Kosova të punojë me partnerët për anëtarësim në organizatat euro-atlantike

Chulick AlbinZëvendës ndihmësja e sekretarit amerikan të Shtetit për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick, u bëri thirrje të martën autoriteteve në Kosovë që të punojnë me partnerët e tyre për anëtarësimin në organizatat euro-atlantike si dhe të trajtojë shqetësimet lidhur me komunitetin serb.

 

Kosova dështoi javën e kaluar të anëtarësohet në Këshillin e Evropës pasi refuzoi të hedhë hapa drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që u vendos si kusht nga një pjesë e vendeve anëtare.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’i dëgjojë këshillat e partnerëve të saj më të afërt në mënyrë që të garantojë një rezultat pozitiv kur del në një votim”, tha zonja Chulick gjatë një bisede me një grup gazetarësh në Prishtinë.

 

Zonja Chulick e cila qëndroi në Prishtinë ku u takua me udhëheqësit e vendit tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin një Kosovë demokratike, të begatë dhe shumë etnike. Ajo tha se qeveria e Kosovës duhet të punojë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

Ajo tha se ka ngritur shqetësimin lidhur me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në Kosovë.

“Duke i ditur edhe përgjegjësitë që i ka Banka Qendrore e Kosovës, ne vazhdimisht i kemi shprehur shqetësimet tona për mënyrën e zbatimit. Nuk kemi ndjerë se ajo e ka marrë në konsideratë mënyrën se si do t’i ndikojë komunitetet, sidomos komunitetin serb. Ndaj, jemi duke e vëzhguar situatën dhe jemi të shqetësuar”, tha zonja Chulick duke nënvizuar se Kosova është shtëpi e shumë serbëve etnikë dhe ata meritojnë t’i mbajnë familjet dhe bizneset e tyre këtu.

 

Zonja Chulick tha Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbesin të angazhuara në rajon, pavarësisht zhvillimeve që mund të pasojnë zgjedhjet presidenciale amerikane, që pritet të mbahen në fillim të muajit nëntor.

“Oportunistët politikë mund të përpiqen t’i shfrytëzojnë rrethanat ndërkombëtare në dobi të tyre në çdo kohë, por ne jemi syçelë ndaj atyre përpjekjeve, jo vetëm këtu në Kosovë, por në mbarë botën”, tha ajo duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kontribuojmë për një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm dhe më të sigurt.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>