Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë Ivica Daçiq ka thënë sot se absolutisht nuk ekziston kurrfarë mundësie e suspendimit të asaj që është arritur si marrëveshje në Bruksel.
Dhe se Beogradi kërkon përgjigje të qartë se cili është qëndrimi i Bashkimit Evropian për këtë çështje.
“Ne jemi shumë të pakënaqur nga situata në Kosovë lidhur me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit… Kjo që tani po ndodh në Prishtinë është diçka e paparë”, ka thënë ai gjatë konferencës së rregullt mujore me gazetarë.
Sipas tij, në asnjë marrëveshje që e kanë nënshkruar ai ose kryeministri serb Aleksandar Vuçiq nuk ekziston mundësia që kushdo në nivel të Beogradit apo Prishtinës ta suspendojë atë që është arritur si marrëveshje.
Esenca e Marrëveshjes së Brukselit, ka thënë Daçiq, është Asociacioni i Komunave Serbe, kurse kjo, sipas tij, momentalisht po suspendohet.
“Kur do të marrë vendim Gjykata Kushtetuese dhe çka nëse ai do të jetë negativ? Kjo është lojë me stabilitetin e rajonit, njësoj si kërkesa e Kosovës për anëtarësim në UNESCO”, ka thënë ai.
Përgjigjja e BE-së ndaj kësaj situata, sipas tij, është “e vakët si gjithnjë”.
“Kur duhet kritikuar Serbinë, është shumë lehtë që të gjendet dikush që do ta bëjë atë. Kurse kur duhet thënë fjalë të rënda për Prishtinën, u prehet gjuha”, ka thënë ai, duke shtuar: “Nuk presim që dikush të na do, por jemi pjesëmarrës të barabartë në këtë proces dhe duhet patjetër të na respektojnë”.
Për votimin për anëtarësim të Kosovës në UNESCO, që, sipas tij, pritet rreth 9 nëntorit, Daçiq është shprehur optimist se rezultati i votimit do të jetë në favor të Serbisë dhe ka porositur se qeveria serbe do të luftojë deri në fund kundër këtij anëtarësimi.
“Ne s’kemi punë më urgjente se kjo”, ka thënë ministri i Jashtëm serb, duke shtuar se “lufta do të jetë e madhe dhe me rezultat të pasigurt”.
Ai, megjithatë, ka shprehur optimizëm se votimi në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s do të jetë i favorshëm për Serbinë, duke cekur se ndër anëtarë t ka shumë vende që janë të vogla dhe të largëta, por vota e të cilave numërohet.
“Ditë e natë bisedojmë me të gjithë. Jam i bindur se kjo s’do të jetë aq e lehtë për Kosovën dhe kjo do të më kënaqë më shumë se çdo gjë tjetër”, ka thënë Daçiqi.
Ai ka paralajmëruar se më 4 nëntor do të marrë pjesë në debatin gjeneral të UNESCO-s, pas ë cilit do të dihet se kush ka të drejtë vote dhe kur saktësisht do të mbahet votimi për propozimin për anëtarësim të Kosovës./KosovaPress/