Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se kufiri i Kosovës me Malin e Zi i përshkruar që nga viti 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë, përputhet me kufirin e propozuar në vitin 2015.
Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e përcaktuar nga Komisioni Shtetëror i Kosovës për shënimin e kufirit është në pajtim me dokumentet dhe hartat e përdorura që nga vitit 1940 e deri më sot.
Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në Prishtinë, thuhet se “baza e Komisionit për shënimin e kufirit ka qenë Kushtetuta jugosllave e vitit 1974, e cila e ka definuar kufirin e Kosovës me anë të kufijve administrativë komunalë, që janë të ndarë në zona kadastrale. Kjo bazë e përcaktimit të vijës kufitare është përdorur edhe në Propozimin Gjithëpërfshirës të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisaarit dhe në Kushtetutën e vitit 2008 të Republikës së Kosovës”.
Në njoftim thuhet se pas një rishikimi të hartave që nga viti 1940 e deri më tani, përfshirë edhe ato që janë përdorur nga komisioni për përcaktimin e kufirit, Departamenti Amerikan i Shtetit “ka kuptuar se vija e përcaktuar së voni përputhet ngushtë me kufirin e definuar në Kushtetutën e vitit 1974. Kufijtë që ne i kemi përshkruar që nga viti 2008, përputhen në hollësi me kufirin e propozuar në vitin 2015”.
Në përfundim të njoftimit tërhiqet vëmendja se “përfundimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit është një kusht i BE-së për liberalizimin e vizave dhe është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane”.
Më 26 gusht, Kosova dhe Mali i Zi, nënshkruan marrëveshjen për shënimin e kufirit, e cila nxiti reagimet e partive opozitare në Kosovë, të cilat vlerësojnë se me të Kosova humbë rreth 9 mijë hektarë tokë.
Duke kundërshtuar këtë marrëveshje si dhe atë të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, partitë opozitare bllokuan punën e parlamentit që nga 22 shtatori, duke hedhur gaz lotsjellës.
Ato i kërkojnë qeverisë të anulojë marrëveshjet apo t’i hedh ato në referendum, në të kundërtën sipas tyre vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Qeveria u ka bërë thirrje partive opozitare që të hapin dialogun, ndërsa është zotuar se do të pres dhe do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, zbatimi i së cilës është pezulluar në pritje të këtij vendimi. Ajo është shprehur e gatshme që duke përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtarë, të diskutojë lidhur me shënimin e vijës kufitare më Malin e Zi.
Kriza politike bëri që edhe sekretari amerikan i shtetit John Kerry të bëjë thirrje kundër dhunës në parlament. Gjatë vizitës së dy dhjetorit në Prishtinë ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin asnjë marrëveshje “që do të kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës.
Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat u hapën më 14 dhjetor, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor. (voa)