Takimin e djeshëm në Bruksel ndërmjet kryeministri të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka përmendur sot edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.
Nëpërmjet një komunikate për media, Uashingtoni i ka mirëpritur bisedimet konstruktive mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së, por thotë se mbetet një punë e vështirë në të ardhmen.
Megjithatë, sipas Departamenti Amerikan i Shtetit, mbetet një punë e vështirë përpara, derisa ka thënë se themelimi i Asociacionit mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë. Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së”, thuhet në reagimin DASH-it.
Progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas DASH, mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e 27 shkurtit, u pajtuan se nuk kanë më nevojë të diskutojnë për propozimin evropian për normalizimin e raporteve.
Bashkimi Evropian ka thënë se palët kanë shprehur gatishmëri që të punojnë në zbatimin e propozimit evropian, që synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve.
rtk