Debate të ashpra për Kosovën në Këshillin e Sigurimit

KBTakimi i Këshillit të Sigurimit për Kosovën ka filluar të mërkurën, më 21 tetor, me gjysmë ore vonesë, sepse Rusia kërkonte largimin e ministres së Jashtme të Kosovës si dhe simboleve të Kosovës.

Rusia e cila mbanë kryesinë e radhës në Këshillin e Sigurimit kërkoi që në fillim largimin e ministres së Jashtme të Kosovës si dhe simbolet e Kosovës nga sfondi i seancës, me shpjegimin se me këtë po “shkeleshin rregullat”. Flamuri nuk u largua, dhe takimi vazhdoi siç ishte planifikuar. Takimi ishte virtual, ndërsa në takim morën pjesë edhe ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq si dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Problemet me pandeminë

Shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Zahir Tanin foli fillimisht për problemet me pandeminë Corona, si një nga sfidat që ka hasur Kosova shtatë muajt e fundit. Që kur ka filluar në mars, kriza e COVID -19 ka kaluar në faza të ndryshme. Pandemia ka pasur ulje ngritje, por edhe periudha stabile, ndërkohë që ka shpërthyer sërish tani. Infrastruktura e shëndetit publik në Kosovë nuk ka qenë në gjendje t’i përgjigjet pandemisë me shpejtësinë e përhapjes. Por Kosova nuk është lënë vetëm, tha Tanin, dhe tregoi për ndihmat ndërkombëtare. Tanin foli më tej për takimet e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Uashington dhe Bruksel, duke thënë se ato ”demonstrojnë potencialin për arritjen e progresit kur burimet ndërkombëtare kombinohen me lidershipin në bazë”. Tanin foli edhe për rëndësinë që ka pjesëmarrja e grave në të gjitha nivelet e procesit të paqes. Por më së shumti vëmendje në debatet në vijim iu kushtua gjendjes në Kosovë dhe qëndrimeve të kundërta mes palëve. Ndërsa debatet treguan se palët nuk kanë lëvizur aspak nga qëndrimet e tyre të mëparshme.

Daçiqi sikur po lexon raportin e kaluar…

Fjalimi i ministrit të Jashtëm serb Daçiq ishte shumë i ngjashëm me të kaluarat, u shpreh ambasadori gjerman në OKB, Christoph Heusgen. “Kur dëgjoj të flasë ministrin serb Ivica Daçiq, më krijohet përshtypja se ka kopjuar fjalimin e herës kaluar”, tha ai.

Daçiq tha se “Serbia e merr seriozisht dialogun me Kosovën por ajo nuk zbaton marrëveshjet e arritura 10 vjet më parë” dhe “shkel marrëveshjen e arritur në Uashington, duke vazhduar lobimin për njohjen”. Ai mori në mbrojtje serbët që jetojnë në Kosovë, duke cituar pjesë nga raporti i UNMIK-ut, ku thuhet se “është rritur numri i incidenteve kundër pjesëtarëve të komunitetit serb”. Daçiq tha se personat e zhvendosur nuk janë duke u kthyer në Kosovë dhe se Prishtina synon rishikim të historisë, duke thënë se kishat serbe në Kosovë nuk janë serbe. “Ka 20 vjet që Serbia ka bërë çfarë është e nevojshme për të dënuar ata anëtarë të UÇK që kanë bërë krime kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe Metohi”, tha ministri Daçiq, i cili foli edhe për Dhomat e Specializuara, shqetësimin e palës serbe për aktivitetet e KFOR-it, i cili patrullon kufijtë bashkë me Policinë e Kosovës, si dhe planet e Kosovës për të futur shërbimin e detyruar ushtarak prej 3 muajsh. Në fund ai kontestoi edhe njohjet e Kosovës duke thënë se është “fake neës” pohimi se Kosovën e kanë njohur 116 vende. Sipas tij, Kososva do të merrte vetëm 92 vota pro, po të votohej sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB.

Haradinaj: Kosova është shtet dhe kjo duhet të kuptohet

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, iu drejtua Këshillit të Sigurimit me fjalët se “duhet kuptuar që Kosova është një shtet krejtësisht i pavarur dhe sovran, aspak ndryshe nga Estonia, Belgjika apo Gjermania” dhe se “pranimi i këtij realiteti është baza për zgjidhjen e çështjeve që ndan Kosovën dhe Serbinë”.

Duke folur për krimet e forcave ushtarake jugosllave dhe spastrimit etnik ajo tha se “populli i Kosovës vazhdon të kërkojë drejtësi”. Ministrja Haradinaj-Stublla foli për fushatën serbe kundër njohjes së Kosovës dhe strukturat kriminele në veri të Kosovës. Ajo shprehu keqardhje që  Serbia “refuzon të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës për të luftuar krimin” dhe që kjo gjë nuk është përmendur në raportin e UNMIK-ut. Ministrja tha se “Serbia po keqpërdor kishën ortodokse”. Ajo tregoi për moszbatimin e marrëveshjes teknike 33të nënshkruar nga Serbia në Bruksel dhe shkeljen e marrëveshjes së Uashingtonit për personat e pagjetur, diversifikimin e energjisë, refuzimin e furnizuesve të pabesueshëm të G5 dhe ndalimin e fushatës për “çnjohje” të Kosovës. Ministrja Haradinaj tha se rruga e vetme përpara është rruga e pajtimit, por Serbia duhet të pranojë Kosovën si shtet, të verë para drejtësisë krimet e së kaluarës dhe të kthejë trupat e të zhdukurve. Edhe ambasadori gjerman pranë OKB, Christoph Heusgen mendon kështu.

Heusgen: pala serbe sikur ka harruar krimet e veta

Heusgen tha se “jemi duke dëgjuar për krimet e bëra nga kosovarët”, por “kurrë nuk dëgjuam diçka për krimet, pastrimin etnik dhe zhvendosjen masive të bëra në vitet 1998, 1999 kundër kosovarëve”. Duke folur për fushatën serbe kundër njohjeve të Kosovës, ai tha se “miqtë tanë serbë po i venë stërkëmbçin vetes sepse ata duan të futen në BE. Ata duhet të mundohen që Kosova të njihet prej të tjerëve, dhe prej tyre në fund”, sepse njohja e Kosovës është kusht që Serbia të pranohet në BE.

Ambasadori Heusgen thotë se diskutimet e bëra për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, tregojnë se moszgjidhja e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë mbetet burim tensioni jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për gjithë rajonin.

Deklarata e përbashkët

Në mbyllje të takimit vendet europiane dolën me një deklaratë të përbashkët. Belgjika, Estonia, Franca, Gjermania si dhe Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Irlanda, e quajnë dialogun Prishtinë Beograd, nën mbikqyrjen e BE, obsionin e vetëm për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Ata i bëjnë thirrje aktorëve politikë në Kosovë dhe Serbi të punojnë së bashku për të krijuar konsensusin politik. Ata shprehën mbështetjen për të dërguarin special të BE, Miroslav Lajçak. Lajçak nuk u lejua të fliste para Këshillit të Sigurimit, sepse kundërshtoi Rusia.

Edhe ambasadorja amerikane në OKB, Cherith Norman Chalet, mendon se diskutimet do të kishin qenë më të plota, po të ishte dëgjuar edhe përfaqësuesin special i BE. Ajo e quajti 4 shtatorin, “ditë vërtet historike në Shtëpinë e Bardhë” ku presidenti Trump mirëpriti kryeministrin Avdullah Hoti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq. Marrëveshjet do të krijojnë kushtet për bashkëpunim më të gjerë, rritjen e besimit dhe vazhdimin e dialogut, tha ajo.

“Normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës mbetet synim si për SHBA ashtu edhe për BE”. Marrëveshja e arritur me ndërmjetësimin e SHBA, plotëson bisedimet e organizuara nga BE. Ambasadorja Norman Chalet, tregoi edhe një herë për qëndrimin amerikan ndaj UNMIK-ut: misioni e ka përfunduar detyrën dhe duhet mbyllur.

Edhe sekretari politik i ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar pranë OKB, Thomas Phipps, mbështet rishikimin e rolit të UNMIK-ut.

Vassily Nebenzia, ambasadori rus pranë OKB, e filloi fjalimin e tij duke mbështetur ministrin serb Daçiq, që e quan gjendjen në Kosovë, “turbulente”. Ai vlerëson UNMIK-un si të vetmin organizëm ndërkombëtar që vepron në Kosovë në bazë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit dhe “duhet mbështetur në vazhdimin e punës efektive”. Ai i bëri thirrje BE që të kërkojë nga të dy palët zbatimin e marrëveshjeve, përfshirë dhe atë për komunat serbe që të kenë fuqi ekzekutive. Ai foli për të drejtat e komuniteteve joshqiptare, të cilat nuk janë përmirësuar, dhe foli për shumë nga çështjet që tha ministri serb Daçiq.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>