Liqenati – Rugovë – Vija ndarëse mes Kosovës dhe Malit të Zi
Kuvendi i Kosovës fillon një debat shkencor-profesional për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, me përballjen e Komisionit shtetëror dhe ekspertëve të fushës me deputetët e Kuvendit.
Janë rreth 110 pjesëmarrës në debatin e sotëm shkencor e profesional, nga të cilët shumica deputetë të Kuvendit si dhe ekspertë e përfaqësues të shoqërisë civile në vend dhe ata të institucioneve të Kosovës.
Debatin do ta hap kryetari i Kuvendit dhe pritet që pjesëmarrësve t’u drejtohen edhe udhëheqës të institucioneve në Kosovë, por gjithashtu edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë.
Gjatë ditës do të prezantohen faktet nga Komisioni shtetëror që ka punuar në procesin e demarkacionit, por edhe ekspertët e ndryshëm, përfshirë edhe ata të opozitës.
Pavarësisht rezultatit të tryezës për debat të thirrur nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës dhe klimës që mund të krijohet, procesi i miratimit të marrëveshjes së debatueshme për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi, pritet të kalojë në një seancë të rregullt brenda gjysmës së dytë të muajit gusht, thonë burime të afërta me procesin.
Qeveria e Kosovës, thuhet se, brenda pak ditësh mund ta dërgojë në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi, duke kërkuar pajtimin e shumicës për të kaluar një kusht të domosdoshëm evropian.
Mësohet se drafti i ri që pritet ta diskutojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë javëve në vijim, do të përmbajë një klauzolë të veçantë me të cilën do të kërkohet që, siç thuhet, “çështjet kontestuese të rinegociohen me Malin e Zi”.
Ky thuhet të jetë një prej kompromiseve që mund të jenë arritur me opozitën, e cila ka kundërshtuar fuqishëm ratifikimin e marrëveshjes meMalin e Zi, për shkak të, siç thotë, humbjes së një pjese të territorit të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë mëson se deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mund të vendosin që në vend të këtij formulimi të kërkojnë “arbitrazh ndërkombëtar” në diskutimin për Marrëveshjen për Demarkacion, që do të organizohej brenda javësh në Kuvend, dhe që si diskutim do të shënonte edhe një hap përpara në përmbushjen e një kushti të rëndësishëm evropian.
Nëse për asgjë tjetër, debati i Kuvendit të Kosovës, që pritet të mbledh për herë të parë palët në ‘konflikt’, do të mund të vlerësohet si një mënyrë për të tejkaluar një situatë të pamundshme të krijuar në Kosovë dhe për t’i hapur asaj rrugën për dy procese të rëndësishme: liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit dhe vazhdimin e punës për ndërtimin e Gjykatës Speciale.
Kushti i liberalizimit të vizave për Kosovën, i vënë nga Komisioni Evropian në rekomandimin e tij për lëvizjen e lirë të qytetarëve për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi, përfundimisht duhet të plotësohet me fillimin e muajit shtator, kur Parlamenti Evropian do të duhej të votonte mbi raportin e raportueses Tanja Fajon për t’i hapur rrugën Këshillit Evropian që ta bëjë të njëjtën gjë.
Nëse Kosova kalon afatet e përcaktuara, dhe jo më larg se deri më 20 tetor, procesi i liberalizimit të vizave do të shtyhej për një periudhë të pacaktuar kohore, me cilësimin se ajo nuk mund të menaxhojë proceset e brendshme.
Gjithsesi se votimi në Kuvendin e Kosovës, në çfarëdo forme do të mund të shpëtonte edhe qeverinë aktuale të Kosovës e cila është gjendur përballë një konfrontimi të rëndë më opozitën, që po kundërshton Marrëveshjet e nënshkruara prej saj.
Me bllokadën që çon drejt problemeve edhe me partnerin e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës është detyruar që të kërkojë përmes deputetëve të saj e në bashkëveprim me Lëvizjen Vetëvendosje një zgjidhje përmes tryezës për debat duke e cilësuar atë si të domosdoshëm për të nxjerrë vendin nga situata e krijuar.
Tryeza, i thanë Radios Evropa e Lirë zyrtarë të partive në pushtet, do të zbardhë edhe agjendën e Kuvendit në ditët në vijim. (REL)