Asfiksimi apo pengesat në frymëmarrje mendohet të kenë qenë shkaktari i vdekjes të Astrit Deharit, aktivistit të Vetëvendosjes.
Pas gati 3 orë ekspertize në trupin e viktimës, është kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, i cili ka thënë se pengesat në frymëmarrje mund të kenë sjellë vdekjen 26-vjeçarin.
Megjithatë, ende nuk dihen shkaktarët që kishin shkaktuar këtë asfiksim, e të cilët do të dihen pas përfundimit të raportit të autopsisë.
Ndryshe, kryeprokurori i Prizrenit Sylë Hoxha ka mohuar se Dehari kishte konsumuar medikamente të cilat kishin çuar në vdekjen e tij, duke demantuar kështu drejtorin e policisë rajonale në Prizren, Nexhmi Krasniqin.
Ndërsa, përfaqësuesi ligjor i familjes Dehari, avokati Tomë Gashi, ka thënë se në rast nevoje, raporti i autopsisë do të dërgohet edhe në Angli për analizë të mëtutjeshme.
Ndryshe, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka konfirmuar se është ky institucion i cili do të hartojë raportin e autopsisë së Deharit dhe se mjekët e ftuar nga familja ishin vetëm në cilësinë e vëzhguesve.
Kryeprokurori Sylë Hoxha ka thënë se deri tash nuk ka të arrestuar lidhur me rastin e Deharit, por që hetimet janë duke vazhduar dhe është duke u punuar maksimalisht që rasti të zbardhet sa më shpejt.
26 –vjeçari Astrit Dehari në rrethana të pasqaruara vdiq këtë të premte në qendrën e paraburgimit në Prizren.
Ai po hetohej lidhur me dyshimin se bashke me pesë aktivistë të tjerë kishin planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, më 4 gusht të këtij viti. (koha)