Deklarimi i plotë për media i kryeministrit Kurti pas takimit me Përfaqësesuen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas

AlbinPyetja: z.Kryeministër, ishte ky takimi juaj i parë me zonjën Kallas në cilësinë e saj si shefe e re e diplomacisë Evropiane. A mund të na tregoni cilat ishin temat që ishin në fokus të bisedave?

Kryeministri Kurti: Unë e falënderoj edhe publikisht znj. Kallas për mikpritjen sot, e i dëshiroj shumë suksese në punën, detyrën e saj të re.

Nga liderët që ka Evropa sot, besoj që znj.Kallas është në kohën e duhur, në vendin e duhur.

Ne kemi shpresa të mëdha që Republika e Kosovës dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojë shumë sa i përket vlerave evropiane demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes e sigurisë në përgjithësi.

Me zonjën Kallas diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por gjithashtu edhe raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë.

Për të parën, unë theksova që kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur. Njëkohësisht edhe kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat edhe rezultuan me vrasjen e rreshterit tonë policor, Afrim Bunjaku. Kryekrimineli i bandës që kreu këtë, mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Pra, ne kërkojmë në atë takim çdoherë, në çdo takim dorëzimin e Millan Radoçiqit autoriteteve të Kosovës, ku tashmë Prokuroria ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij prej mbi dyzet veta.

Në anën tjetër, insistuam që të mos diskutohet vetëm për dialogun, por gjithmonë kur përmendet dialogu, të përmendet Marrëveshja Bazike. Ne kemi një marrëveshje me Serbinë, e ka edhe një Aneks të Zbatimit nga Ohri. Marrëveshja Bazike është e arritur e rëndësishme, ajo duhet të respektohet dhe duhet të zbatohet e garanci për këtë është pikërisht nënshkrimi i saj.

Dhe natyrisht që diskutuam edhe për sulmin e fundit që na u bë në Kosovë, eksplodimi i kanalit Ibër-Lepenc në Zubin Potok të Kosovës. Me këtë rast u rrezikua që më shumë se gjysma e popullsisë së vendit tonë, pra nën sulm ka qenë popullsia civile, të ngelet edhe pa ujë, edhe pa energji elektrike.

Kemi pasur punë jashtëzakonisht profesionale nga organet tona të shtetit dhe kemi arritur që ta sanojmë dëmin, por duhet të marrim edhe masa shtesë që asgjë e ngjashme të mos përsëritet.

Po zhvillohet një hetim për këtë gjë. Ka njerëz të arrestuar, ka material të konfiskuar, përfshirë këtu edhe armatim e municion, me theks tek fakti që nga 74 distinktiva/emblema që u konfiskuan, njëzet prej tyre janë ruse, të njësive të ndryshme ruse, të tjerat janë serbe përgjithësisht. Është edhe një emblemë e UÇK-së aty, që na bën të mendojmë që dikush ka dashur që hetimin e ardhshëm të mundshëm ta drejtojë në pistë të gabuara apo siç quhet sot nga NATO-ja ‘false flag operation’, sepse nuk ka shpjegim ndryshe ajo emblemë e UÇK-së aty, por janë njëzet emblema të Rusisë në mesin e 74 sosh.

Ne kërkojmë mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë që të na ndihmojnë në këtë aspekt. Kosova nuk ka dilema, integrimi në Bashkimin Evropian dhe integrimi në NATO nuk kanë alternativë, sepse ne nuk duam të kemi alternativë dhe dëshirojmë që ky proces të përshpejtohet.

Do të kemi edhe darkë me presidentin Antonio Costa dhe me liderët e tjerë të Ballkanit. Është shumë mirë që znj. Kallas, zëvendëspresidente e Komisionit Evropian dhe përgjegjëse për Politikën e Jashtme e të Sigurisë, qysh në ditët e para të detyrës së saj të re menjëherë është interesuar për çështjen e Ballkanit Perëndimor dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që duhet të normalizohen me atë Marrëveshje Bazike, e cila në qendër e ka së paku njohjen de facto.

 

Pyetja: A ju shpalosi zonja Kallas idetë e saj se si e sheh vazhdimin e procesit të dialogut?

Kryeministri Kurti: Takimi i sotëm duket që ka qenë më shumë për të na dëgjuar neve, do të dëgjojë edhe të tjerët nga rajoni dhe nuk ka dyshim që në vitin e ardhshëm do ta intensifikojë procesin për paqe e siguri, për integrim edhe zhvillim, natyrisht duke punuar edhe me ekipin e saj. Se çfarë forme përmbajtje do të merr kjo, vështirë ta dimë tash. Por ky takim ishte takim informues në detyrën e saj të re, në një situatë kur ajo dëshiron të tregojë përkushtimin e saj për Ballkanin Perëndimor qysh në ditën e dytë apo tretë të punës dhe kjo natyrisht që është një shenjë e mirë dhe shpresëdhënëse edhe për vendin tonë që ka shumë pritje nga znj. Kallas, por njëkohësisht edhe për gjithë rajonin dhe liderët, të cilët janë demokratë e paqedashës.

Pyetja: Dy herë Bashkimi Evropian për një vit e më pak ka cilësuar sulmet ndaj Kosovës si sulme terroriste. Këtë të fundit e ka shtuar edhe akt sabotimi. Marrë parasysh se janë ndryshuar strukturat, struktura e kaluar nuk ka pas disponim politik që të shkohet tutje me pasoja eventuale ndaj Serbisë.

 

Cili është disponimi sot me funksionaren e re në politikën e jashtme evropiane?

Kryeministri Kurti: Kjo varet shumë prej dinamikave të 27 vendeve, por ajo çka unë uroj është që Komisioni Evropian në këtë mandatin e dytë të presidentes Ursulla von der Leyen do të duket më shumë si Parlamenti Evropian sesa si Këshilli Evropian, ku siç kemi parë një ose dy shtete mund të vënë veto dhe t’i ngecin e ngelin që të gjithë prapa. Konsensusi si vlerë nuk është menduar si e drejtë vetoje, po është menduar si qasje dhe qëndrim që të mos lihet asnjëri prapa, e jo që të ngelen që të gjithë prapa. Andaj, unë uroj dhe besoj që Komisioni Evropian në këtë mandatin e dytë të Presidentes von der Leyen, do të jetë më shumë një komision që udhëheq se sa që menaxhon dhe në këtë mënyrë do ta shpëtojnë e përparojnë kontinentin mbarë të cilit ne i përkasim.

Qartazi, nuk mund ta ndryshojmë as gjeografinë, as historinë, por mund ta ndryshojmë dhe duhet ta ndryshojmë të ardhmen për të mirë dhe për këtë kërkohet lidership i fuqishëm i Brukselit për çfarë populli i Kosovës është edhe falënderues, por edhe kontribuues.

 

Pyetja: Në qershor i keni parashtruar disa kushte parakushte për të takuar në kuadër të dialogut me homologun e juaj nga Serbia. A keni tani disponim që t’i anashkaloni këto kushte, meqë motorin e dialogut e merr dikush tjetër?

Kryeministri Kurti: Unë kam kërkuar që të dorëzohet në Kosovë Millan Radoviqiqi. Kam kërkuar që të tërhiqet letra e ish-kryeministres, tash kryetare e Kuvendit, Bërnabiq, ku ajo praktikisht thotë që nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës, dhe të nënshkruhet marrëveshja. Unë nuk e kam ndryshuar qëndrimin tim, sepse Serbia s’ka ndryshuar. Pra, nuk pritet që të bëhen ndryshimet në Bruksel, duhet të bëhen ndryshimet në Beograd, sa i përket qasjes ndaj Kosovës, në mënyrë që unë ta rimendoj qëndrimin tim, lidhur me vazhdimin e dialogut, i cili edhe një herë po e them, asnjëherë nuk bën të përmendet pa u përmend fjala që kemi Barrëveshje bazike, por Serbia po e shkel. Ish-Komisioni Evropian, nuk i binte filikaqes kur kishim shkelje dhe nuk ka pasur as mirëbesim, as vullnet të mirë për zbatimin e marrëveshjes, të cilën e kanë pranuar. Beogradi nuk mund të thotë se nuk e ka pranuar marrëveshjen, por ata po dëshirojnë që tash ta sabotojnë realizimin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>