Gjykata Themelore në Beograd ka marrë një vendim me të cilin e detyron Serbinë të dëmshpërblejë me para gjashtë shqiptarë nga Drenasi të cilët gjatë vitit 1999 u torturuan nga MUP-i serb.
Mediet kosovare raportojnë se dëmshpërblimet për Behram Sahitin, Elmira Musliun, Enver Balecijun, Faton Halilin (13) dhe Sadik Limanin së bashku me nipin e tij Agimin, do të jenë nga 1041 deri në 3080 euro.
Sipas Qendrës për Ligj Humanitar në Serbi (FHP), viktimat ishin marrë nga pjesëtarë të MUP-it serb dhe ishin dërguar në një burg në Lipjan e pastaj në Zabel të Pozharevacit. Që nga momenti i arrestimit ata ishin të ekspozuar ndaj torturave dhe abuzimeve ditore.
“Për shkak të torturave dhe trajtimit joadekuat, që të gjashtë viktimat sot vuajnë pasoja të rënda fizike dhe psikologjike”, thuhet në deklaratën e FHP-së, e cila në vitin 2010 në emër të viktimave kishte ngritur një aktakuzë kundër Serbisë, duke kërkuar dëmshpërblim prej 3330 dhe 4100 eurosh për vuajtje psikologjike si pasojë e përkeqësimit të aktiviteteve jetësore nga tortura dhe arrestimi i pabazë.
FHP-ia vlerëson se vendimi i Gjykatës ka bazë, për shkak të shkeljeve themelore të të drejtave të njeriut, por nuk e ka justifikuar dëmshpërblimin e vogël ndaj të dëmtuarve, duke shtuar se mënyra e gjykimit tregoi qëllimin për minimizimin e marrjes së përgjegjësisë për torturat e ushtruara nga Serbia ndaj shqiptarëve në masë te gjerë në vitin 1999. (shekulli)