Deputetët e LDK-së për dhe kundër presidentit

kuvendi thaciProcesi i zgjedhjes së Hashim Thaçit president nuk kaloi pa kundërshtime, e frikë, se mos llogaritjet nuk po dalin ashtu siç i pati planifikuar koalicioni qeverisës, në marrëveshjen e vitit 2014. Disa deputetë brenda koalicionit qeverisës patën deklaruar se nuk do të përkrahin Thaçin president.

Por dje, kur edhe u zgjedh Thaçi president i vendit, vetëm katër nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk morën pjesë në seancë. Të tjerët që pritej të mos ishin aty, e që me prezencën e tyre në sallë i mundësuan kuorumin Thaçit, thanë se votuan kundër.

Mundësia e dështimin në llogaritje u pa në raundin e parë të votimeve në Kuvend, ku kandidatit për president, Hashim Thaçit, partnerët e koalicionit ia dhanë vetëm 50 vota. 27 fletë-votime mbetëm të pa-vlefshme dhe katër vota shkuan për kandidatin tjetër, gjithashtu nga PDK, Rafet Rama.

Në votimin e dytë, Thaçit iu shtuan votat, derisa kandidatit tjetër i ranë, dhe numri i fletë-votimeve të pa-vlefshme nisi të pakësohej. Për Thaçin votuan 64 deputetë, për Rafet Ramën 2, dhe 15 fletë-votime mbetën të pa-vlefshme.

Marrëveshja e koalicionit qeverisës nisi të marrë pak fuqi në raundin e tretë, (siç thotë Kushtetuta, presidenti mund të zgjidhet me 61 vota), ku Thaçi në mori 71. Duke mbet kështu 10 të pa-vlefshme, nga disa deputetë të LDK-së dhe të Listës Serbe.

Nëse dhjetë nga deputetët e LDK-së do të bojkotonin seancën e djeshme, llogaritur pastaj edhe mungesën e tre partive opozitare, me automatizëm në sallë do të mungonte kuorumi për zhvillimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit. Meqë Kushtetuta e kërkon që të pranishëm në sallë, për zgjedhjen e Presidentit, të jenë dy të tretat e deputetëve (80 deputetë).

Megjithatë, dje, vetëm pesë deputetë të LDK-së mungonin në sallë.

Vjosa Osmani që ishte më e zëshmja kundër zgjedhjes së Thaçit president, veproi ashtu siç edhe pati paralajmëruar, se nuk do të marrë pjesë fare në seancë, meqë në atë mënyrë do të kontribuonte në bërje të kuorumit.

Anton Quni, Adem Salihaj, Hatim Baxhaku e Shpejtim Mulliqi, gjithashtu bojkotuan seancën për zgjedhjen e presidentit.

Një ditë pas zgjedhjes së Presidentit, ata deklaruan për arsyet pse nuk morën pjesë në seancë.

Sipas deputetit Adem Salihaj, zëri i elektoratit të LDK-së ka bërë që mos të shkojë në seancë.

“Dje ,kur po mbahej seanca e zgjedhjes së Thaçit president, disa nga ne deputetët nuk ishim aty, sepse na thirri ndërgjegjja jonë dhe zëri e elektoratit të LDK-së, të cilit i ishim betuar sa e sa herë se kurrë nuk do të bëjmë koalicion me PDK-në dhe kurrë nuk do ta votojmë Thaçin president. Siç e dinë të gjithë, LDK-ja gjithmonë e ka mbajtur Thaçin përgjegjës për vrasjen e njerëzve më mirë e më atdhetarë të LDK-së dhe të Kosovës. Kur rezultati nuk po shkonte në favor të zgjedhjes së Thaçit president dhe deputetët e LDK-së po mundoheshin të luftonin me ndërgjegjen e tyre, përnjëherë u zbraz salla e kuvendit dhe nuk mbeti asnjë deputet aty. Ku shkuan, ku i dërguan, a i zuri peng SHIK-u diku në një skutë të kuvendit dhe po u kërcënohej se do t’ua bënte më zi se atyre tjerëve ? Megjithatë, në fund u kthyen, ndonëse me fytyra të zbehura. E votuan Thaçin me shumicë dërmuese votash. I lumtur për këtë ,i pari ia uroi Isa Mustafa, kryetari i LDK-së. Deputetët e LDK-së dolën nga salla pa duartrokitur dhe kokulur. Por, thashë, së paku, mirë që janë gjallë. Se fytyra nuk i bie copë askujt, thotë populli”, ka shkruar Salihaj në llogarinë e tij në facebook.

Ndërsa, Hatim Baxhaku ka shkruar se vendimin për mos-pjesëmarrje në seancë e ka marrë pa asnjë imponim nga askush.

“Dje në seancën e Kuvendit të Kosovës u zgjodh Kryetari i Kosovës dhe kjo ngjarje padrejtësisht dhe pa asnjë arsye po duket se po shkakton një debat jo të dobishëm në LDK. Dua t’ju bëjë me dije të gjithë qytetarëve të Kosovës, anëtarësisë dhe simpatizuesve te saj se vendimi im për mos-pjesëmarrje në Seancën e Kuvendit për zgjedhje të Kryetarit te Kosovës ka qenë krejtësisht i pavarur, dhe pa imponim nga askush. Për këtë vendim jam udhëheqë nga parimi se po bëjë më të mirën në interes të përgjithshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj në radhë të parë dhe pastaj interesave të LDK-se dhe aspak nga interesa të mija personale, ka shkruar Baxhaku në facebook.

Tutje, Baxhaku ka ftuar LDK-në që mos të dyshohet në besnikërinë Rugoviane, për secilin deputet, dhe të punojnë në forcimin e LDK-së.

Sipas tij, duhet lejuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa që të vazhdojë punën, siç ka thënë ai në të mirë të Kosovës.

Deputetja Alma Lama, e cila mori pjesë në seancë dje, por tha se ka votuar kundër, ka sqaruar se ka qenë para një vendimi të vështirë, si shumë deputetë tjerë të LDK-së.

Sipas saj, ajo dje me prezencën e saj në sallë, ka zgjedhë shtetin dhe logjikën demokratike.

Kjo është një pjesë e shkëputur nga shkrimi i deputetes, në llogarinë e saj, facebook.

Unë dje zgjodha SHTETIN, stabilitetin institucional dhe logjiken demokratike. E konsideroj ketë veprim si vazhdimësi e qëndrimeve te mia te mëparshme. E kuptoj se mund të ketë votues ose përkrahës te mi dje janë ndjere te zhgënjyer, por kur je ne politike, ke përgjegjësi te mëdha, jo vetëm privilegje. Unë nuk kam hyre ne politike për te marre vendime populiste, por vendime te duhura ne te mire te vendit. Gjithsesi, duke bere detyrën time si deputete, duke mos e bojkotuar seancën, dhe duke votuar sipas bindjeve te mia, ne rastin konkret KUNDER, jam e bindur se kam vepruar drejt, për interesat e shtetit dhe stabilitetit te Kosovës. Ketë gjë nuk pres ta kuptojnë njerëzit irracionale, përkrahësit e partive opozitare, apo ata qe e shohin politiken me tifozllek, por pres ta kuptojnë te gjithë njerëzit racionale dhe largpamës te këtij vendi; ata qe mendojnë me koke te ftohte”, ka shkruar Lama.

Pjesë e seancës së djeshme ishin edhe deputeti Armend Zemaj, Arben Gashi, Doruntinë Maloku, Teuta Rugova e Melihate Tërmkolli. Persona këta, qëndrimi i të cilëve lidhur me seancën e djeshme, është diskutuar shumë herë.

Megjithë kundërshtimet e tre partive opozitare, gazin lotsjellës, pakënaqësitë e disa aktivistëve jashtë Kuvendit dhe të disa prej deputetëve të koalicionit qeverisës, ky i fundit dje arriti të zbatojë marrëveshjen e koalicionit, të vitit 2014. Marrëveshje kjo që nxjerrte Isa Mustafën kryeministër dhe Hashim Thaçin president.

Me 71 vota për, 10 të pavlefshme, pa opozitën në seancë dhe me pjesëtarë të sigurimit brenda sallës, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi u zgjodh president.

Zyrtarisht, ai pritet të marrë mandatin 5 vjeçar, me datën 7 prill, kur edhe i përfundon mandati presidentes Atifete Jahjaga. /KosovaPress/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>