Frank Schwabe, SPD, është kryetar i grupit parlamentar të Gjermanisë në Këshillin e Evropës
Frank Schwabe dhe Adis Ahmetoviç, dy deputetë të grupit parlamentar gjerman në Bundestag janë shprehur për anëtarësimin e Kosovës në KE
Pas deputetit të opozitës gjermane, Michael Brand, CDU, edhe poltikanët e pozitës socialdemokrate, Frank Schwabe dhe Adis Ahmetović, kanë shprehur në një deklaratë të përbashkët për media, publikuar të premten, më 13.05. mbështetjen e tyre për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës:
“Ne mirëpresim dhe mbështesim aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kosova, si i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, është pjesë integrale e Evropës dhe e familjes evropiane. Kjo duhet theksuar shprehimisht, veçanërisht duke pasur parasysh luftën në Ukrainë”, kanë shkruar dy deputetët. Schwabe është kryetar i delegacionit parlamentar të Gjermanisë në Këshillin e Evropës, ndërsa Ahmetoviç raportues kryesor për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Punëve të Jashtme për grupin parlamentar të socialdemokratëve në Parlamentin Gjerman.
Adis Ahmetoviç, është raportues i grupit parlamentar të SPD-së, për Ballkanin Perëndimor.
Ata janë shprehur besimplotë se Kosova do t’i arrijë dy të tretat e nevojshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe kanë theksuar përkushtimin e tyre në kuadër të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.
Dy deputetët e shohin anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës edhe “si një shans për të bërë progres në këto dy çështje”.
Dy politikanët socialdemokratë, parti, së cilës i përket edhe kancelari Olaf Scholz, përforcojnë kësisoj edhe njëherë me këtë deklaratë përkushtimin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor. Qeveria aktuale, e përbërë nga socialdemokratët (SPD), Të Gjelbrit, dhe liberalët (FDP) e ka shpallur Ballkanin e Perëndimor prioritet qysh në marrëveshjen e koalicionit qeveritar.
Më parë edhe deputeti i CDU-së, Michael Brand, kishte kërkuar nga qeveria gjermane që të ndërmarrë hapa konkrete për të mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj në Këshillin e Evropës.
“Tani është e rëndësishme që qeveria federale jo vetëm të bisedojë, por edhe të veprojë në mënyrë aktive. Kancelari Federal dhe Ministrja e Jashtme i kanë siguruar personalisht lidershipit kosovar mbështetjen e tyre. Kjo tani duhet të reflektohet në veprime konkrete”, kishte shkruar Brand në deklaratën e tij për media, të së enjtes, më 12.05., menjëherë pasi Kosova dorëzoi aplikimin në Strasburg. (ash)