Në Kuvendin e Kosovës, disa deputetë, qoftë nga radhët e partive në pushtet, apo edhe në opozitë,kanë ngritur shqetësimet e tyre në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shpalljen antikushtetuese të dy vendimeve të qershorit të vitit 2015 të Gjykatës Supreme në lidhje me pronat e manastirit të Deçanit.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese kishte sjellë si efekt kthimin e 24 hektarëve tokë në pronësi të këtij manastiri.
Por, ky aktgjykim, nga disa deputetë të Kuvendit u cilësua si diskriminues dhe i padrejtë. Pavarësisht faktit se vendimet e Kushtetueses nuk mund të kontestohen, ata kërkuan nga Kuvendi që të intervenojë dhe t’i anulojë ato.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka deklaruar se institucionet në nivel qendror e lokal nuk janë treguar të vëmendshme në lidhje me këtë çështje.
“Qytetarët e Deçanit, jo vetëm ata që kanë të drejtën pronësore, historike, por edhe të tjerët në përgjithësi, e kanë parë këtë pjesë të Deçanit si të vetmen arterie për zhvillim ekonomik dhe krijimit të kushteve më të mira për jetesë për banorët e atjeshëm”, ka thënë Zemaj.
Sipas tij, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë zonë ishte i padrejtë. Ndërkaq paraqet edhe, si deklaroi ai, një vazhdimësi të vendimeve të mëhershme që kishin marrë institucionet e Serbisë në Kosovë në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Për të njëjtën temë ka folur edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, sipas të cilit, deputetët kanë të drejtë të ngritin shqetësime edhe në lidhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi që anëtarët e saj i zgjedh vet Kuvendi.
Konjufca tha se Gjykata Kushtetuese në fakt, ka vendosur që t’ia jap manastirit të Deçanit, 24 hektarë tokë nga pronat shoqërore me arsyetimin se këtij manastiri po i kthehet një hapësirë tokësore që i ishte marrë më 1946.
“Ajo që po ndodh është legjitimimi i vendimeve të Milosheviqit, të viteve të ’90-ta”, ka thënë Konjufca.
Ky vendim, ka vijuar ai, është diskriminues dhe i padrejtë dhe si i tillë do të duhej anuluar.
“Si rrjedhojë, të gjitha këto vendime që janë të kohës së Millosheviqit dhe kohës së viteve ’90-ta, duhet të anulohen këtu në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.
Ndryshe, aktgjykimi i Kushtetueses në lidhje me këtë zonë që është vënë nën mbrojtjen dhe pronën e manastirit të Deçanit është përcjellë edhe me disa protesta të banorëve të asaj zone.
Këto shqetësime, deputetët i kanë ngritur gjatë pjesës së parë të seancës së Kuvendit të Kosovës, në të cilën pas një bojkoti prej afërsisht 90 ditësh, është kthyer edhe subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërkohë që dy partitë tjera opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën po e vazhdojnë bojkotin e seancave. (rel)