“Der Standard”: Bildt ose Ahtisaari ndërmjetësues në krizën e Kosovës?

Kosova Artikel bildGazeta austriake “Der Standard” shkruan se për të dalë nga kaosi politik në Kosovë po kërkohet një ndërmjetësues ndërkombëtar. Qeveria e Kosovës ka negociuar pas dyerve të mbyllura për bashkësinë e komunave serbe, qytetarët ndihen të përjashtuar. Ekspertë të Kosovës si Johanna Deimel nga Shoqata Gjermane për Evropën Juglindore kërkojnë që Lëvizja Vetëvendosje të merret seriozisht dhe të mos injorohet nga bashkësia ndërkombëtare.

Prej muajsh Kosova gjendet në një qorrsokak politik. Pas dhënies së pëlqimit nga Qeveria e Kosovës për të themeluar një bashkësi të komunave serbe në Kosovë, opozita ka bllokuar disa herë punën e parlamentit dhe ka zhvilluar protesta publike – herën e fundit të shtunën që shkoi, me ç’rast si asnjëherë më parë mijëra kosovarë dolën në rrugë për të protestuar kundër elitës politike.

Mediumet perëndimore kanë qëndruar kryesisht indiferente ndaj krizës në Kosovë. Asnjë nga gazetat e mëdha gjermane nuk ka shkruar gjerësisht për betejën politike në Kosovë mes partive qeveritare dhe opozitës. Gazeta austriake “Der Standard” shkruan të mërkurën se besimi i kosovarëve është zbehur, mes tjerash, edhe për shkak se Serbia ka bllokuar hyrjen e Kosovës në UNESCO. Pa iu referuar ndonjë burimi kjo gazetë shkruan se përballë krizës politike që po dominohet nga gazi lotsjellës, vezët dhe spreji, thirrjet për një ndërmjetësues po bëhen gjithnjë e më të zëshme. “Thuhet se ai jo patjetër duhet të jetë nga Bashkimi Evropian, një si Martti Ahtisaari duhet të vijë, është përmendur edhe emri i suedezit Carl Bildt. Po mendohet po ashtu të angazhohet edhe Komisioni i Venedikut”.

“Der Standard” shkruan se marrëveshja për bashkësinë e komunave serbe po hidhet poshtë edhe për shkak se Qeveria e Kosovës ka negociuar me Serbinë pas dyerve të mbyllura. Qytetarët e Kosovës, sipas gazetës nga Vjena, po ndihen të përjashtuar nga ky proces dhe nuk kanë ide ç’po ndodh. Shqiptarët e Kosovës po ashtu kanë frikë se me këtë marrëveshje Beogradi do të përzihet edhe më shumë në Kosovë.

“Gjithë dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës po ecën kryesisht keq. Përkundër përpjekjeve shumëvjeçare (vetëm në nivel të lartë janë zhvilluar 40 takime) janë zbatuar vetëm katër prej 17 pikave. Por kriza është më e gjerë. Të rinjtë kosovarë nuk po shohin perspektivë për shkak të varfërisë dhe papunësisë dhe janë tepër të zhgënjyer me qeveritarët. Vetëm 20 për qind janë të kënaqur me punën e parlamentit – më 2008 kanë qenë, sipas OKB-së, 51,4 për qind. Vetëm 13,9 për qind i besojnë gjykatave”, shkruan “Der Standard”.

Sipas gazetës austriake e vetmja parti në Kosovë që fokusohet më shumë në problemet përmbajtësore është Lëvizja Vetëvendosje, e cila injorohet nga bashkësia ndërkombëtare. Ekspertë të Kosovës si Johanna Deimel nga Shoqata Gjermane për Evropën Juglindore kërkojnë që kjo parti të merret seriozisht dhe të krijohen kontakte me partitë në BE. Brenda kësaj partie ka edhe “forca të arsyeshme – si kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti”. Gazeta austriake “Der Standard” është e bindur se “Vetëvendosje është e vetmja alternativë ndaj dy partive qeverisëse PDK dhe LDK, të cilat konsiderohen të korruptuara”. /dialogplus.ch/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>