Vuçiq dhe Kurti mund të takohen gjatë shtatorit.
Kosova dhe Serbia po përgatiten aktualisht për një takim të mundshëm të nivelit të lartë gjatë muajit shtator mes dy udhëheqësve kryesorë politikë, kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Kjo u bë e ditur nga vetë krerët e të dy vendeve, gjatë forumit strategjik të Bledit në Slloveni, ku morën pjesë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit dhe udhëheqës të Bashkimit Evropian.
Lajçak: Subtanciale takimet e fundit me Kurtin dhe Vuçiqin
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se ka biseduar në Slloveni si me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për “hapat e ardhshëm” në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. “Kam zhvilluar dy takime të ndara, të rëndësishme dhe substanciale me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, shkroi Lajçak në Twitter, duke mos shpalosur detaje të tjera. Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se me Lajçakun “u bisedua për takimet e kaluara të mbajtura në Bruksel si dhe përgatitjet për takimin e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. “Dialogu duhet të jetë i drejtë dhe parimor, në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve dhe paqes e sigurisë së qëndrueshme e të përgjithshme”, tha Kurti, duke mos bërë të ditur, të ketë pasur bisedime në forumin e Bledit me presidentin e Serbisë, Vuçiq.
Vuçiq kundër kërkesave të reja të Kosovës për pranim në organizata ndërkombëtare
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq duke folur për marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë në këtë fazë të dialogut, tha se Prishtina zyrtare “do të fillojë me kërkesa të reja për pranim në organizata ndërkombëtare, nisur nga INTERPOL-i, UNESCO-ja dhe Këshilli i Evropës. Kjo nismë e Kosovës sipas presidentit të Serbisë “shkel zbatimin e marrëveshjen e Uashingtonit dhe do të sjellë paqëndrueshmëri shtesë në rajon. Puna jonë është të përgatitemi dhe t’i përgjigjemi kësaj”, tha Vuçiq.
Më 4 shtator të vitit të shkuar, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e SHBA-së, arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike. Pikë e kësaj marrëveshje ishte një moratorium një vjeçar që “Kosova nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, ndërsa “Serbia do të hiqte dorë nga fushata për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës”. Ky moratorium skadon me 04.09 të këtij viti. Zyrtarë nga Ministria e Jashtme e Kosovës kanë njoftuar se janë duke u bërë përgatitje për aplikim në disa organizata ndërkombëtare, duke mos shpalosur detaje tjera rreth kësaj çështjeje.
Problematika e përfaqësimit ligjor të Kosovës
Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 janë duke zhvilluar bisedime për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kreu i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhë, ndër të tjera, edhe çështjen e përfaqësimit ligjor të Kosovës në nisma të ndryshme rajonale. Josep Borrell këto komente i bëri në një përgjigje me shkrim që ju kërkua nga deputetë të Parlamentit Evropian, në pyetjen dërguar atij mbi “mungesën e koherencës në përfaqësimin ligjor të Kosovës”.
“Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve është baza më e mirë për tejkalimin e çështjes së përfaqësimit ligjor të Kosovës”, shkroi Borrell, duke theksuar se “autoritetet e Kosovës janë të interesuara që Kosova të mos përfaqësohet më nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) në forume rajonale”.
“BE-ja është e gatshme ta trajtojë këtë çështje, përfshirë edhe përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke pasur parasysh se organizatat si CEFTA kanë strukturat, procedurat dhe organet e tyre vendimmarrëse, të cilat gjithashtu përfshijnë edhe palët e tjera”, tha Josep Borrell. Kreu i diplomacisë evropiane rikujtoi se pas marrëveshjes së arritur në vitin 2012 në dialogun Kosovë-Serbi, “Kosova merr pjesë dhe flet vetë në forumet rajonale”, me kusht që tek emri i saj të vendosë një fusnotë. E fusnota është vendosur tek emri i Kosovës për të mos paragjykuar pikëpamjet e BE-së lidhur me statusin e Kosovës dhe fusnota është në harmoni me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
dw