Dialogu në Bruksel përfundon pa takim trepalësh

BesnikNë Bruksel përfunduan të mërkurën bisedimet midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me zyrtarët evropianë, por pa takim trepalësh mes tyre.

Delegacionin e Kosovës gjatë dy ditëve negociata e udhëhoqi zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ndërsa atë të Serbisë shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Bislimi, pas takimit të fundit me përfaqësuesin e BE-së në bisedime, Mirosllav Lajçak, tha se janë zhvilluar disa takime dypalëshe me zyrtarët evropianë dhe se tema të diskutimit kanë qenë: energjetika, të zhdukurit e luftës dhe përfaqësimi në nismat rajonale.

Bislimi i hodhi poshtë akuzat e Serbisë se pala kosovare është fajtore për mungesën e takimit trepalësh.

Ai tha se ekziston një “marrëveshje parimore”, në bazë të së cilës, në takimet e përbashkëta diskutohen vetëm temat për të cilat bien dakord të dyja palët.

Bislimi tha se pala kosovare nuk dëshiron të diskutojë tani për çështje që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë, sepse ato, sipas tij, duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Një ditë më herët, shefi i delegacionit të Serbisë, Petkoviq, ka thënë se ka insistuar që të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër.

Ky asociacion është pjesë e një marrëveshjeje që është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

BE-ja, në disa rase, ka bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjes, por Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka thënë se nuk do të lejojë formimin e këtij asociacioni.

Bislimi tha se në takimet në Bruksel është biseduar edhe për lirinë e lëvizjes, si dhe për rastin kur Serbia, sipas tij, e ka shkelur në mënyrë flagrante marrëveshjen për lëvizje të lirë, duke mos lejuar që boksierët nga Kosova të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që është mbajtur javë më parë në Beograd.

Bislimi shfaqi shpresën se do të mund të gjendet një zgjidhje, që do të mundësojë që edhe qytetarët në veri të Kosovës të paguajnë rrymën.

Ata nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike qysh pas përfundimit të luftës, më 1999.

Bislimi tha se është folur edhe për, siç u shpreh, pengesat që i ka bërë Serbia Kosovës në transferimin e 100 mijë eurove, të dedikuara për Preshevën.

Në fund të tetorit, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022, duke i ndarë dy milionë euro për Luginën e Preshevës.

Bislimi tha se ka biseduar me zyrtarët evropianë edhe për lejimin e vizitës së Petkoviqit në Kosovë dhe sqaroi se autoritetet e Kosovës ia kanë ndaluar atij vizitat, për shkak të “gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes”, që ka përdorur gjatë vizitave të mëparshme.

Lajçak, si ndërmjetësues i dialogut, shkroi të martën në Twitter se është koha për “përparim të vërtetë” në bisedime.

Kësaj deklarate i dha mbështetje të mërkurën edhe i ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Nicholas Giacobbe.

Këtë javë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka paralajmëruar mundësinë e një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para fundit të vitit.

Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se është i gatshëm për këtë proces, por ka shtuar se takimi i radhës me Vuçiqin do të varet nga dialogu në nivel negociatorësh.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Qëllim i dialogut thuhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>