Xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi, fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Tokio. Ajo të shtunën mundi në finale japonezen Funa Tonaki, duke i siguruar Kosovës medaljen e parë në këto lojëra.
Distria Krasniqi u shpall fituese në kategorinë deri në 48 kilogramë.
Duke përgëzuar Distria Krasniqin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkroi ne rrjetet sociale se “ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës”.
Kjo është medalja e dytë e artë olimpike për Kosovën pas fitore së Majlinda Kelmendit po në xhudo në Lojërat Olimpike ne Rio në vitin 2016.
Në lojërat e sivjetme Kosova merr pjesë në garat në xhudo, mundje, not dhe atletikë. Kosova u anëtarësua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në dhjetor të vitit 2014.
Lojërat Olimpike Verore në Tokio, ishin paraparë të mbaheshin në verën e vitit 2020, por u shtynë për shkak të pandemisë së COVID-19.
voa