Në një draft-statut të publikuar të hënën nga organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), parashihet që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë të formohet në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës.
I përbërë nga 7 kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të këtij asociacioni, përfshirë simbolet.
Për krijimin e tij, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që zhvillohet në Bruksel.
Me gjithë trysninë e faktorit ndërkombëtar, Kosova, deri më tash, nuk e ka zbatuar këtë marrëveshje. Kryeministri Albin Kurti, në disa raste, ka përsëritur se në Kosovë nuk mund të formohen asociacione njëetnike.
Duke prezantuar draft-statutin, përfaqësuesi i organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë, Rene Schlee, tha se gjatë hartimit të tij, janë kujdesur që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Marrëveshjen e Brukselit.
“Ky është një projekt i pragmatizmit politik, sepse ne kemi menduar se do të vijë koha kur do të ishte i nevojshëm statuti i Asociacionit”, tha ai.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 18 janar, Schlee ka thënë se beson se ky draft “është një bazë e mirë, e cila pas publikimit meriton të diskutohet nga aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë”.
Kush e ka nënshkruar marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe çfarë parasheh ajo?
Çfarë parasheh draft-statuti?
Sipas këtij dokumenti, Asociacioni parashihet t’i ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Statuti do të miratohet nga një kuvend themelues i Asociacionit, i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse.
Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të hyjë në fuqi pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Sipas dokumentit, anëtare të këtij asociacioni mund të jenë dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca. Anëtarësimi është vullnetar dhe çdo anëtar duhet t’i përmbahet statutit.
Asociacioni, sipas dokumentit të prezantuar, do të ketë të drejta të plota në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, në fushën e edukimit, planifikimit urban, si dhe rural.
“Asociacioni ka të drejtë të ketë buxhet të tijin, llogari bankare, prona, si dhe të angazhohet në transaksione financiare”, thuhet po ashtu në draft-statutin e prezantuar nga Friedrich-Ebert-Stiftung.
Një ndër nenet flet edhe për objektivat e Asociacionit, të cilat, siç thuhet, janë: forcimi i demokracisë lokale, duke lehtësuar, financuar ose promovuar aktivitete që avancojnë pjesëmarrjen qytetare dhe praktikat demokratike, si dhe përfaqësimi i interesave të rëndësishme për demokracinë lokale.
Në draft-statut thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe kompetenca të tjera shtesë, që mund të delegohen nga autoritetet qendrore, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Sa i takon strukturës organizative, neni 6 parasheh që Asociacioni të ketë: kuvendin e Asociacionit, kryetarin e Asociacionit, nënkryetarin e Asociacionit, këshillin e Asociacionit dhe bordin e Asociacionit.
Neni 15 parasheh që Asociacioni të angazhohet me autoritetet qendrore të Kosovës në shkëmbimin e informacioneve, në frymën e promovimit të demokracisë dhe multietnicitetit, bazuar në sistemin ligjor të Kosovës.
Sa i takon rregullimit ligjor, neni 16 parasheh që Qeveria e Kosovës, përmes një akti juridik, t’i japë Asociacionit statusin e subjektit juridik.
“Kjo përfshin të drejtën e zotërimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme” dhe të “bashkëpronësisë së shoqërive që ofrojnë shërbime lokale brenda fushëveprimit të Asociacionit”.
Shpenzimet e Asociacionit parashihet të jenë subjekt i auditimeve nga autoritetet kompetente, përfshirë Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës.
Sipas dokumentit në fjalë, Asociacioni do të financohet nga kontributet e anëtarëve të tij, të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, pasuritë e tij të luajtshme ose të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe mbështetja financiare e shoqatave dhe organizatave të tjera, vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Republikën e Serbisë.
Sipas draft-statutit, Asociacioni do të përjashtohet nga detyrimet dhe taksat në arritjen e objektivave të tij, në të njëjtën mënyrë sikurse komunat pjesëmarrëse.
Qeveria dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës parashihet që të kenë qasje në rishikimin e buxhetit vjetor të Asociacionit, përpara se ai të miratohet.
E pyetur nga REL-i se si e komenton këtë draft-statut, Qeveria e Kosovës tha se “për normalizim të plotë të marrëdhënieve [me Serbinë] nevojitet që në qendër të jetë njohja reciproke, jo Asociacioni i komunave me shumicë serbe”.
Para publikimit të draft-statutit, zyrtarë të partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje – u takuan me zotin Schlee.
Në komunikatën dërguar mediave u tha se në këtë takim “u ritheksua qëndrimi i LV-së [Lëvizjes Vetëvendosje] kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshjeje tjetër mbi baza etnike”.
“Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë, brenda kornizave ligjore dhe kushtetuese”, u tha po ashtu në komunikatë.
Deri më tash, nuk ka komente nga Beogradi, por kur Friedrich-Ebert-Stiftung ka paralajmëruar publikimin e draft-statutit rreth dhjetë ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kjo nuk është punë e organizatave joqeveritare.
Publikimi i draft-statutit ndodh vetëm një ditë para se Ambasada amerikane në Prishtinë të organizojë një diskutim me përfaqësues politikë, qeveritarë dhe të shoqërisë civile për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ky diskutim me “partnerët alternativë” është paralajmëruar nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, qysh në dhjetor.
Kurti, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 27 janar, ka thënë se nuk ka marrë ftesë për këtë diskutim, por ministri për Komunitete në Qeverinë e tij, Nenad Rashiq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Çfarë e dallon ‘Asociacionin’ nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK)?
I themeluar në vitin 2001, Asociacioni i Komunave të Kosovës është organizatë jofitimprurëse dhe anëtarë të tij janë autoritetet lokale të Kosovës.
Autoritetet lokale anëtarësohen në këtë asociacion nga Kuvendi i Asociacionit, pas vendimit të marrë në Kuvendin Komunal.
AKK-ja angazhohet që në Kosovë të zbatohen rregullat nga Karta Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Mision i këtij asociacioni është të krijojë qeverisje lokale efikase, të qëndrueshme dhe demokratike.
Ai, po ashtu, angazhohet që të nxisë decentralizimin e pushtetit, përmes mbështetjes praktike dhe bashkëpjesëmarrjes mbi baza të barabarta, mes autoriteteve qendrore dhe atyre lokale.
Mes tjerash, Asociacioni i Komunave të Kosovës fokusohet në rritjen e njohurive dhe kapaciteteve të komunave për të siguruar kualitete të larta dhe efektive në shërbimet lokale, si dhe në demonstrimin se komunat e Kosovës janë të barabarta.
Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes së vitit 2013, të arritur në Bruksel, parasheh që pjesë e këtij organizimi të jenë vetëm komunat që kanë shumicë të banorëve serbë: Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca.
Qeveria e tanishme e Kosovës e ka kundërshtuar më së shumti idenë e formimit të një asociacioni njëetnik, por edhe nga qeveritë e kaluara është konsideruar si një mekanizëm që mund t’i sjellë telashe Kosovës, pasi do të kishte qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.
Siç thuhet në marrëveshje, Asociacioni do të ketë për qëllim t’i përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural, si dhe të ekonomisë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.
Chollet dhe Escobar: Është koha të themelohet Asociacioni
Komuniteti ndërkombëtar, javëve të fundit, e ka rritur trysninë mbi Qeverinë e Kosovës që të nisë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka qëndruar në fillim të janarit në Prishtinë, ku ka thënë se SHBA-ja është e angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani – përfshirë atë për Asociacionin.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se “Asociacioni në formën e Republikës Sërpska është një vijë e kuqe që SHBA-ja s’do ta lejojë”.
Këtë kërkesë, Chollet e ka përsëritur edhe më 30 janar në një tekst bashkautorial me Escobarin, i cili është publikuar nga disa media lokale në Kosovë.
Chollet dhe Escobar kanë thënë se ndër qëllimet më të rëndësishme të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor është që të ndihmojnë në krijimin e kushteve për “marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, por si çështje kritike në këtë qëllim e kanë cilësuar themelimin e Asociacionit.
“Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe, për të bashkërenditur çështjet dhe shërbimet, si: arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse”, kanë shkruar Chollet dhe Escobar.
Ata kanë thënë se e kundërshtojnë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë zgjidhje.
Më herët, Kurti, duke iu përgjigjur një kërkese të SHBA-së që Kosova të vendosë në tryezë propozimet për formimin e Asociacionit, ka thënë se çështja mund të zgjidhet brenda kornizës së marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në Serbi insistojnë se nuk mund të ketë dialog për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Kosovën, pa themelimin e këtij asociacioni.
rel