Gjykata Penale e Brukselit, më 23 nëntor ka dënuar në mungesë tre shtetas të Serbisë, për vrasjen e Enver Hadrit, veprimtar për të drejtat e njeriut dhe të drejtat politike të shqiptarëve të Kosovës.
Enver Hadri ishte vrarë me 22 shkurt të vitit 1990 në lagjen Sen Zhil në Bruksel. Siç thuhet, nga një automjet në lëvizje ishte shtënë me armë zjarri mbi Hadrin, i cili ishte goditur për vdekje në kokë.
Lajmin për vendimin e Gjykatës Penale të Brukselit e ka konfirmuar vajza e të ndjerit, Teuta Hadri përmes një komunikate për medie, në të cilën thuhet se Bozhidar Spasiq, ish- shef i Shërbimit të Sigurimit të shtetit jugosllav, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, janë dënuar për vrasje me paramendim të Enver Hadrit.
Teutra Hadri e ka vlerësuar vendimin e Gjykatës Penale të Brukselit si “fitore e madhe e drejtësisë mbi krimin politik”.
“Shpresojmë se edhe vrasjet e ngjashme politike të kryera kundër shqiptarëve apo kujtdo qoftë tjetër do të zbardhen deri në imtësi dhe organizatorët dhe vrasësit të marrin dënimin e merituar”,thuhet në letrën Teuta Hadrit, të cilën ua ka dërguar medieve.
Hydajet Hyseni, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Shoqatës së të Burgosurve politik të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Enver Hadri i takonte plejadës së patriotëve shqiptarë të Kosovës, që siç i vlerëson ai, ishin shndërruar në shtylla të qëndresës, ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare dhe të konsolidimit të saj.
Vrasja e tij nga strukturat e Sigurimit të shtetit të ish Jugosllavisë, ishte sikurse edhe vrasja e vëllezërve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, si dhe Kadri Zekës në Gjermani.
“Enver Hadri, po ashtu, është një nga shembujt më eklatant që flet vetvetiu, se pse ishte në Bruksel. Ishte, pikërisht, në përpjekjet për ta evropianizuar dhe për ta ndërkombëtarizuar çështjen e pazgjidhur shqiptare. Ky akt i funksionimit të drejtësisë në Belgjikë, uroj që të jetë shembull, model edhe për ndriçimin e rasteve të tjera, si dhe për të kërkuar atë që nuk është kërkuar në masë të duhur, përgjegjësinë shtetërore të Serbisë”, ka thënë Hyseni.
Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë e Qeverisë së Serbisë, Nela Kuburoviq, ka deklaruar se Belgjika deri më tash nuk ka dërguar kërkesë për ekstradimin e tre shtetasve të Serbisë.
Megjithatë, siç ka theksuar ajo, nuk ekziston një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Belgjikës për ekstradimin e ndërsjellë të shtetasve, kështu që Belgjika mund të kërkojë vetëm zbatimin e vendimit të plotfuqishëm të gjyqit.
“Kjo do të thotë që në rast se vendimi i gjyqit belg bëhet i plotfuqishëm, ky shtet mund të kërkojë që Vukotiq, Drashkoviq dhe Spasiq ta kryejnë dënimin në Serbi”, theksoi Kuburoviq.
Bozhodar Spasiq, të cilit Gjykata Penale e Brukselit ia ka shqiptuar dënimin, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ka thënë se nuk ka asnjë informatë zyrtare lidhur me rastin, që sipas tij i ka shkaktuar shqetësim.
“Unë planifikoj madje që ta padis shtetin e Belgjikës dhe familjen Hadri për shkak të shqetësimeve të ndryshme, për veprën penale të akuzës së rrejshme dhe kështu me radhë. Qysh kur ekzistojnë informatat se po zhvillohet një proces në Bruksel, unë nuk kam asnjë gjurmë të shkruar që dikush t’ më ketë informuar. Nuk kam asnjë thirrje me letër, madje nuk e di as për çka jam akuzuar në mënyrë që të mund të jap ndonjë përgjigje për ndonjë akuzë. Pra, nuk kemi marrë asnjë thirrje me shkrim e as me gojë”, tha Spasiq.
Ai ka shtuar se në vitin 1990, si shef i ekipit të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, ka pasur njohuri për vrasjen e Hadrit.
Zoran Mijatoviq, ish pjesëtar i Sigurimit të shtetit në ish-Jugosllavi, i cili kishte përcjellë migracionin shqiptar të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shërbimi ku ka punuar Spasiq i ka takuar nivelit federal. Ai thekson që nuk ka informata lidhur me aktivitetin e këtij niveli.
“Unë, në një kohë, në Qendrën e Beogradit, e kam udhëhequr sektorin për migracion. Por, në kohën time, kur unë kam qenë shef, mund të them se asnjë migrant nuk ka pësuar nga dora jonë. Se çfarë ka bërë shërbimi federal, këtë e dinë ata të cilët po i gjykojnë njerëzit të cilët kanë punuar në atë shërbim”, tha Mijatoviq.
Spasiq ka theksuar se nuk e ka ndërmend t’i dorëzohet organeve belge, për shkak se nuk e ka kërkuar këtë askush dhe madje nuk ka as fletë-arrest ndërkombëtar për të. (REL)