Dy te arrestuar në veri të Kosovës për rastin Ivanoviq

policePolicia e Kosovës ka arrestuar sot një oficer policor në veri të vendit dhe një person tjetër të dyshuar për lidhje me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, në fillim të vitit 2018.

Aksioni i Policisë së Kosovës është zhvilluar në orët e para të ditës së mërkurë në veri të Kosovës. Policia bën të ditur se është në kërkim edhe të një personi të tretë, njoftoi zëdhënësi i policisë, Baki Kelani. “Ky operacion policor është realizuar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore”, thotë Kelani. Gjatë operacionit është arrestuar një nëpunës i policisë, i përfshirë në urdhërarrest. Ndërsa një pjesëtar tjetër i policisë është në kërkim. Kelani bën të ditur se gjatë operacionit është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar, tek i cili është gjetur edhe një armë.

Dyshohet edhe shefi i policisë në veri

Nuk bëhet i ditur identiteti i oficerit të arrestuar policor, por mediet lokale serbe njoftojnë se është arrestuar Rade Basara. Basara dyshohet për fshehje provash. Tek qytetari tjetër i arrestuar janë gjetur armë të paligjshme. Ndërsa personi i tretë që po kërkohet nga policia është Zheljko Bojiq, komandant i policisë në veriun Mitrovicës. Ndaj operacionit të policisë së Kosovës në veri e banuar me shumicë serbe, reagoi Beogradi zyrtar, i cili ka akuzuar Prishtinën se “po përpiqet të fajësojë serbët dhe Serbinë” për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Politikani serb ishte udhëheqësi i nismës qytetare serbe, “Liria, Demokracia, Drejtësia”. Ai është vrarë me armë zjarri më 16 janar të vitit 2018 në veri të Mitrovicës, në hyrje të zyrës së tij.

Beogradi mbronë Radoiçiqin

Në nëntor të vitit 2018, 10 muaj pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar. Nga ajo kohë është në kërkim Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, që në zgjedhjet e 6 tetorit mori 10 vende në Parlamentin e Kosovës. Lista “Srpska” e ka mbështetjen e qeverisë së Beogradit. Milan Radoiçiq, strehohet në Serbi. Presidenti i Serbisë Vuçiq pohon vazhdimisht se Radoiçiqi është i pafajshëm dhe nuk ka lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Por Beogradi nuk ka dhënë informacionse se kush tjetër mund të ketë vrarë Ivanoviqin.

Prishtina zyrtare pohon se i dyshuari kryesor në rastin e vrasjes së Ivanoviqit mbete pikërisht Milan Radoiçiq, nënkryetar i listës Srpska. “Në angazhimin tonë për të sjellë para drejtësisë vrasësit e politikanit kosovar të nacionalitetit serb, Oliver Ivanoviq, ne kemi marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe e kemi proceduar tutje fletëarrestin ndërkombëtar për të dyshuarin kryesor Milan Radoiçiq. Pavarësisht pengesave në hetime që janë shkaktuar nga pushteti në Serbi, si institucione përgjegjëse që sigurojnë rendin dhe ligjin, ne nuk jemi zbrapsur dhe kemi qenë të pa kompromis në ndjekjen e të dyshuarve, që të njëjtit të sillen para drejtësisë”, pati deklaruar ministri kosovar i Drejtësisë Abelard Tahiri.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>