Ekskluzive: Marrëveshja e MSA-së

Marreveshja MSA Nenshkrimi

MARRËVESHJA E ASOCIIMIT
NDËRMJET BASHKIMIT EVROPIAN
DHE SHTETEVE TË TIJ ANËTARE, NË NJËRËN ANË,
DHE KOSOVËS, NË ANËN TJETËR

 
KAPITULLI I

PRODUKTET INDUSTRIALE
NENI 21

Përkufizimi

1.    Ky Kapitull do të aplikohet për produktet që e kanë origjinën në BE ose në Kosovë të cilat janë të renditura në Kapitujt 25 deri 97 të Nomenklaturës së Kombinuar, me përjashtim të produkteve të renditura në Shtojcën I, paragrafin I, pikën (ii) të Marrëveshjes për Bujqësi të OBT-së.

2.    Tregtia mes Palëve për produktet të cilat mbulohen nga Traktati i cili themelon Komunitetin Evropian për Energji Atomike, do të zhvillohet në përputhje me atë Traktat.
NENI 22

Koncesionet e BE-së për produktet industriale

1.    Detyrimet doganore për importet drejt BE-së dhe ngarkesat që kanë ndikim të njëjtë do të shfuqizohen me hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshje për produktet që kanë origjinë në Kosovë.

Kufizimet sasiore për importet drejt BE-së dhe masat të cilat kanë efekt të njëjtë, për produktet që e kanë origjinën në Kosovë, do të shfuqizohen në ditën e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshje.
NENI 23

Koncesionet e Kosovës për produktet industriale

1.    Tarifat doganore për importet në Kosovë të produkteve industriale që e kanë origjinën në BE përveç atyre të listuara në Shtojcën I do të shfuqizohen me hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshje.

2.    Ngarkesat që kanë efekt të njëjtë me tarifat doganore për importe në Kosovë do të shfuqizohen me hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshje mbi produktet industriale me origjinë nga BE-ja.

3.    Tarifat doganore mbi importet në Kosovë të produkteve industriale me origjinë nga BE-ja të cilat janë të listuara në Shtojcën I, do të ulën në mënyrë progresive dhe do të shfuqizohen në përputhje me afatin kohor të përcaktuar në atë Shtojcë.

4.    Kufizimet sasiore për importet në Kosovë të produkteve industriale që e kanë origjinën në BE dhe masat me efekt ekuivalent, do të shfuqizohen në datën e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshje.
NENI 24

Detyrimet dhe kufizimet në eksport

1.    BE-ja dhe Kosova, me hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshje do të shfuqizojnë çdo tarife dhe ngarkese doganore mbi eksportet që kanë efekt ekuivalent në tregtinë ndërmjet tyre.

2.    BE-ja dhe Kosova, me hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshje do të shfuqizojnë çfarëdo kufizimi sasior për eksportet dhe masat ekuivalente.

 

 
NENI 25

Zvogëlimet më të shpejta në detyrimet doganore

Kosova deklaron gatishmërinë e saj për të zvogëluar tarifat doganore në tregtinë me BE-në më shpejt se sa parashihet në nenin 23, në rast se situata ekonomike e përgjithshme e saj dhe situata e sektorit ekonomik në fjalë e lejojnë këtë.

KSA-ja do të analizojë situatën në këtë aspekt dhe do të jap rekomandime relevante.
KAPITULLI II

BUJQËSIA DHE PESHKATARIA

NENI 26

Përkufizimi

1.    Ky Kapitull do të zbatohet për tregtinë e produkteve bujqësore dhe të peshkatarisë që e kanë origjinën në BE ose në Kosovë.

2.    Termi ”produkte bujqësore dhe të peshkatarisë” u referohet produkteve të listuara në Kapitujt 1 deri 24 të Nomenklaturës së Kombinuar, si dhe produkteve të renditura në Shtojcën I, paragrafin I, piken (ii) të Marrëveshjes për Bujqësi të OBT-së.

3.    Ky përkufizim përfshin produktet e peshkut dhe të peshkatarisë të mbuluara në Kapitullin 3, krerët 1604 (Peshk i përgatitur ose i konservuar, havjar dhe zëvendësuestë havjarit të përgatitur nga vezët e peshkut) dhe 1605 (Krustacet, molusqet dhe pa-kurrizorë të tjerë ujorë, të përgatitur apo të konservuar (me përjashtim të tymosur)), dhe nën-krerët 0511 91(mbetje peshku), 2301 20 (Miellrat, ushqimet dhe sferat prej peshku ose krustaceve, molusqeve apo pa-kurrizorëve tjerë ujorë, të papërshtatshëm për konsum njerëzor) përveç 1902 10 (“pasta të mbushura që përmbajnë peshk, krustace, molusqe apo pa-kurrizorë tjerë ujorë më shumë se 20% të peshës”).

Kjo gjithashtu përfshin nën-krerët 1212 21 00 (alga deti dhe alga tjera), me përjashtim tënën-kreut 1603 00 (Ekstraktet dhe lëngjet e peshkut apo krustaceve, molusqeve apo pa-kurrizorëve tjerë ujorë) dhe me përjashtim të nën-kreut 2309 9010 (Përgatitjet e llojit për përdorim në ushqimin e kafshëve: tretjet e peshkut), si dhe 1504 10 dhe 1504 20 (yndyrat, vajrat dhe fraksionet e tyre, të peshkut, të rafinuara ose jo, por jo të modifikuara kimikisht):

Vajrat e mëlçisë së peshkut dhe fraksionet e tyre;
Yndyrat, vajrat dhe fraskionet e tyre, të peshkut, përveç vajrave të mëlçisë).
NENI 27

Produktet e përpunuara bujqësore

Protokolli I përcakton masattregtare për produktet bujqësore të përpunuara, të listuara në të.

 

NENI 28

Koncesionet e BE-së mbi importet e produkteve bujqësore që e kanë origjinën në Kosovë

1.    Që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, BE-ja do të shfuqizojë të gjitha kufizimet sasiore, dhe masat me efekt të njëjtë mbi importet e produkteve bujqësore që e kanë origjinën në Kosovë.

2.    Që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, BE-ja do të shfuqizojë detyrimet doganore dhe pagesat me efekt të njëjtë për importet e produkteve bujqësore që e kanë origjinën në Kosovë, përveç atyre të krerëve 0102 (gjedhe të gjalla), 0201, (mish gjedhi, i freskët ose i ftohur) 0202 (mish gjedhi, i ngrirë), 1701 (Sheqer nga kallami ose nga panxhari dhe sakarozë kimikisht e pastër, në formë të ngurtë), 1702 (Sheqerna tjera, duke përfshirë laktozën, maltozën, glukozën dhe fruktozën kimikisht të pastra në formë të ngurtë; shurupet e sheqerit që nuk përmbajnë aromatizues ose ngjyrosës; mjaltë artificiale, qoftë e përzier ose jo me mjaltë natyrale; karamel) dhe 2204 (Verërat nga rrushi i freskët, përfshirë verërat e fortifikuara; mushti i rrushit përveç atij të cekur në kreun 2009) i Nomenklaturës së Kombinuar.

Për produktet e mbuluara me Kapitujt 7 dhe 8 të Nomenklaturës së Kombinuar, për të cilat Tarifa e Përbashkët Doganore parasheh zbatimin e detyrimeve doganore ad valorem dhe një detyrim specifik doganor, eliminimi do të zbatohet vetëm ndaj pjesës ad valorem të detyrimit.

3.    Që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, BE-ja do të rregullojë detyrimet doganore të aplikueshme për importet në BE të produkteve të “mishit të viçit të ri” të përcaktuara në Shtojcën II dhe me origjinë në Kosovë në 20% të detyrimit ad valorem dhe 20% të detyrimit specifik siç është përcaktuar në Tarifën e Përbashkët Doganore, brenda kufirit të një kuote tarifore vjetore prej 475 tonësh e shprehur në peshën e mbetjeve të kafshëve.
NENI 29

Koncesionet e Kosovës për produktet bujqësore

1.    Që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, Kosova do të shfuqizojë të gjitha kufizimet sasiore dhe masat me efekt të njëjtë mbi importet e produkteve bujqësore që e kanë origjinën në BE.

2.    Që nga data e hyrjes në fuqi e kësaj Marrëveshjeje, Kosova do të:

(a)    shfuqizojë tarifat doganore të aplikueshme për importet e produkteve të caktuara bujqësore që e kanë origjinën në BE, përveç atyre të listuara në Shtojcën III;

(b)    shfuqizojë në mënyrë progresive tarifat doganore të aplikueshme për importet e produkteve të caktuara bujqësore që e kanë origjinën në BE, të listuara në Shtojcën IIIa, IIIb dhe IIIc dhe në përputhje me afatin kohor të cekur në atë Shtojcë.

3.    Tarifa e aplikueshme për produkte të caktuara të listuara në Shtojcën IIId do të jetë tarifa bazë e aplikuar në Kosovë që nga data 31 dhjetor 2013.

 

 

 

NENI 30

Protokolli i verërave dhe pijeve alkoolike

Masat e zbatueshme për produktet e verës dhe pijeve alkoolike të referuara në Protokollin II janë përcaktuar në atë Protokoll.
NENI 31

Koncesionet e BE-së për produktet e peshkut dhe peshkatarisë

1.    Që prej hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjejeje, BE-ja do të heq të gjitha kufizimet sasiore dhe masat që kanë të njëjtin efekt në importet e produkteve të peshkut dhe peshkatarisë me origjinë nga Kosova.

2.    Që nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshje, BE-ja do të heq të gjitha detyrimet doganore dhe masat që kanë të njëjtin efekt për produktet e peshkut dhe peshkatarisë me origjinë në Kosovë, përveç atyre të listuara në Shtojcën IV. Produktet e listuara në Shtojcën IV do t’u nënshtrohen dispozitave të përcaktuara aty.
NENI 32

Koncesionet e Kosovës për produktet e peshkut dhe peshkatarisë

1.    Që prej hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, Kosova do të heq të gjitha kufizimet sasiore dhe masat që kanë të njëjtin efekt në importet e produkteve të peshkut dhe peshkatarisë me origjinë në BE.

2.    Që prej hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, Kosova do të heq të gjitha tarifat doganore dhe masat që kanë të njëjtin efekt për produktet e peshkut dhe të peshkatarisë me origjinë në BE, përveç atyre të listuara në Shtojcën V. Produktet e listuara në Shtojcën V do t’u nënshtrohen dispozitave të përcaktuara aty.
NENI 33

Klauzola e shqyrtimit

Duke marrë parasysh vëllimin e tregtisë së produkteve bujqësore dhe të peshkatarisë ndërmjet Palëve, ndjeshmëritë e tyre të veçanta , rregullat e politikave të përbashkëta të BE-së, politikat e Kosovës për bujqësi dhe peshkatari, rolin e bujqësisë dhe të peshkatarisë në ekonominë e Kosovës, si dhe zhvillimet në kuadër të OBT-së, KSA-ja do të ekzaminojë, jo më vonë se tri vite pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, produktet një nga një dhe mbi një bazë të ndërsjellë të rregullt dhe të përshtatshme mundësitë për t’i ofruar koncesione të mëtejshme njëri-tjetrit me synim zbatimin e një liberalizimi më të madh të tregtisë së produkteve bujqësore dhe të peshkatarisë.
NENI 34

Klauzola e masave mbrojtëse
në lidhje me bujqësinë dhe peshkatarinë

Pavarësisht nga dispozitat e tjera të kësaj Marrëveshjeje dhe në veçanti të nenit 43, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e veçantë të tregjeve të bujqësisë dhe të peshkatarisë, në rast se importet e produkteve që kanë origjinën nga njëra Palë, të cilat u nënshtrohen koncesioneve të dhëna sipas neneve 27, 28, 29, 30, 31 dhe 32, shkaktojnë çrregullime serioze në tregjet ose mekanizmat rregullues të brendshëm tek cilado Palë, të dyja Palët do të fillojnë menjëherë konsultimet në kuadër të Komitetit për Stabilizim-Asociim për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme. Përderisa në pritje të kësaj zgjidhjeje, Pala në fjalë mund të marrë masat që ajo i konsideron të nevojshme.
NENI 35
Mbrojtja e treguesve gjeografikë
për produktet bujqësore dhe të peshkatarisë
dhe ushqimeve tjera përveç verërave dhe pijeve alkoolike

1.    Kosova do të ofrojë mbrojtje për treguesit gjeografikë të BE-së të regjistruar në BE sipas Rregullores (BE) Nr. 1151/2012 të Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të datës 21 nëntor 2012 mbi skemat e cilësisë për produktet bujqësore dhe ato ushqimore, në përputhje me kushtet e përcaktuara në këtë Nen. Treguesit gjeografikë të Kosovës do të kenë të drejtën të regjistrohen në BE sipas kushteve të përcaktuara në këtë Rregullore.

2.    Treguesit gjeografikë të referuar në paragrafin 1 do të mbrohen nga:

(a)    çdo përdorim i drejtpërdrejtë apo i tërthortë komercial i një emri të mbrojtur:

(i)    për produkte të krahasueshme që nuk janë në përputhje me specifikimet e produktit të emrit të mbrojtur, ose

(ii)    në atë masë që një përdorim i tillë shfrytëzon reputacionin e një treguesi gjeografik;

(b)    çdo keqpërdorim, imitim apo evokim, edhe në qoftë se origjina e vërtetë e produktit apo shërbimit është cekur apo nëse emri i mbrojtur është përkthyer apo shoqëruar me shprehje të tilla si “stili”, “lloji”, “metoda”, “siç prodhohet në”, “imitim”, “aromë”, “sikurse” ose shprehje të ngjashme;

(c)    çdo tregues tjetër i rremë ose çorientues lidhur me prejardhjen, origjinën, natyrën ose cilësitë thelbësore të produktit, në paketimin e brendshëm apo të jashtëm, në materialin reklamues ose dokumentet që ndërlidhen me atë produkt dhe paketimin e produktit në një kuti që mund të jep një përshtypje të rreme në lidhje me origjinën e tij;

(d)    çdo praktikë tjetër që mund të çorientojë konsumatorin për origjinën e vërtetë të produkteve të ngjashme.

3.    Një emër i propozuar për regjistrim që është tërësisht ose pjesërisht i njëjte me një emër tashmë të mbrojtur, nuk do të mbrohet përderisa nuk ekziston dallim i mjaftueshëm në praktikë ndërmjet kushteve të përdorimit lokal dhe tradicional dhe prezantimit të homonimit të mbrojtur më pas dhe emrit tashmë të mbrojtur, duke marrë parasysh nevojën për të siguruar trajtim të barabartë të prodhuesve në fjalë dhe që konsumatorët të mos çorientohen. Një homonim që e bënë konsumatorin të besojë se produktet vijnë nga një territor tjetër nuk do të regjistrohen edhe në qoftë se emri është i saktë për sa i përket territorit aktual, rajonit ose vendit të origjinës së produkteve në fjalë.

4.    Kosova do të refuzojë regjistrimin e një marke tregtare, përdorimi i së cilës korrespondon me situatat e referuara në paragrafin 2.

5.    Markat tregtare, përdorimi i të cilave korrespondon me situatat e referuara në paragrafin 2, të cilat janë të regjistruara në Kosovë apo janë krijuar përmes përdorimit, nuk do të përdoren pas pesë viteve të hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje. Megjithatë, kjo nuk do të zbatohet për markat tregtare të regjistruara në Kosovë dhe për markat tregtare të krijuara përmes përdorimit të cilat janë në pronësi të shtetasve të vendeve të treta, me kusht që ato nuk janë të një natyre të tillë që mund të mashtrojë në ndonjë mënyrë publikun sa i përket cilësisë, specifikimit dhe origjinës gjeografike të mallrave.

6.    Çdo përdorim i treguesve gjeografikë të mbrojtur në pajtim me paragrafin 1 si terma tradicionalë në gjuhën e zakonshme dhe si emër i përbashkët për mallrat e tilla, ose për produktet që janë tregtuar në mënyrë të ligjshme me këtë term në Kosovë, do të pushojnë së ekzistuari më së largu pesë vite pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje.

7.    Kosova do të sigurojë që mallrat e eksportuara nga territori i saj pesë vite pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, të mos përbëjnë shkelje të këtij neni.

8.    Kosova do të ofrojë mbrojtjen e referuar në paragrafët 1 deri 7 me iniciativë të saj, si dhe me kërkesë të palës së interesuar.
KAPITULLI III

DISPOZITAT E PËRBASHKËTA
NENI 36

Fushëveprimi

Ky Kapitull do të zbatohet për tregtinë e të gjitha produkteve ndërmjet Palëve, përveç rasteve kur parashihet ndryshe në ketë Kapitull ose në Protokollin I.
NENI 37

Koncesionet e përmirësuara

Ky Titull në asnjë mënyrë nuk do të ndikoj në aplikim, në baza të njëanshme, të masave më favorizuese nga cilado nga Palët.
NENI 38

Pezullimi

1.    Që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshje, nuk do të vendosen tarifa të reja doganore për importet ose eksportet ose detyrime të reja me efekt të njëjtë, dhe nuk do të rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

2.    Që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshje, nuk do të vendosen kufizime sasiore të reja për importet ose eksportet, apo masa të reja me efekt të njëjtë dhe nuk do të bëhen kufizime të mëtejshme mbi ato ekzistuese në tregtinë ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

3.    Pa paragjykuar koncesionet e bëra me nenet 28, 29, 30, 31 dhe 32, paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni nuk do të kufizojnë në asnjë mënyre ushtrimin e politikave përkatëse bujqësore dhe të peshkatarisë së BE-së dhe Kosovës ose marrjen e ndonjë mase në kuadër të atyre politikave, për aq kohë sa nuk ndikon në regjimin e importeve në Shtojcat II deri V dhe në Protokollin I.
NENI 39

Ndalimi i diskriminimit fiskal

1.    BE-ja dhe Kosova do të përmbahen nga marrja e masave ose praktikave me natyrë fiskale të brendshme, që drejtpërsëdrejti ose tërthorazi shkaktojnë diskriminim ndërmjet produkteve të njërës Palë dhe produkteve të ngjashme që e kanë origjinën nga territori i Palës tjetër. Aty ku një masë apo praktikë e tillë ekziston, BE-ja dhe Kosova, sipas nevojës do të shfuqizojnë ose anulojnë atë.

2.    Produktet e eksportuara në territorin e njërës Palë nuk mund të përfitojnë nga rimbursimi për tatimin e tërthortë të brendshëm që kalon shumën e tatimit të tërthortë të vendosur mbi to.
NENI 40

Tarifat e natyrës fiskale

Dispozitat lidhur me shfuqizimin e tarifave doganore për importet zbatohen edhe për detyrimet doganore me natyrë fiskale.
NENI 41

Bashkimet doganore, zonat e tregtisë së lirë,
Marrëveshjet ndërkufitare/kufitare

1.    Kjo Marrëveshje nuk pengon vazhdimin apo krijimin e bashkimeve doganore, zonave të tregtisë së lirë apo marrëveshjeve për tregtinë kufitare/ndërkufitare, përveçse në rastet kur ato ndryshojnë rregullat tregtare të parashikuara nga kjo Marrëveshje.

2.    Gjatë periudhave transitore të përcaktuara në nenin 20, kjo Marrëveshje nuk do të ndikon në zbatimin e marrëveshjeve preferenciale specifike që rregullojnë lëvizjen e mallrave, qoftë të parashtruara në Marrëveshjet kufitare/ndërkufitare të arritura më parë ndërmjet një ose më shumë Shteteve Anëtare dhe Kosovës, ose që kanë rrjedhur prej marrëveshjeve dypalëshe të përcaktuara në TitulliKreunn II të arritura nga Kosova për të promovuar tregtinë rajonale.

3.    Konsultimet ndërmjet Palëve zhvillohen në kuadër të KSA-së lidhur me Marrëveshjet që referohen në paragrafët 1 dhe 2, dhe kur kërkohen, për çështje tjera të rëndësishme që lidhen me politikat e tyre përkatëse të tregtisë ndaj vendeve të treta. Veçanërisht në rast se një vend i tretë anëtarësohet në BE, konsultimet e tilla do të zhvillohen në mënyrë që të garantohet marrja parasysh e interesave të ndërsjella të BE-së dhe Kosovës siç është përcaktuar në këtë Marrëveshje.
NENI 42

Dumpingu dhe subvencioni

1.    Kjo marrëveshje nuk i pengon Palët që të ndërmarrin veprime për mbrojtjen e tregtisë në përputhje me paragrafin 2 të këtij neni dhe nenit 43.

2.    Nëse njëra nga Palët zbulon se në tregtinë me Palën tjetër po ndodh dumpingu dhe/ose subvencionimi kundërveprues, kjo Palë mund të ndërmarrë masat e duhura kundrejt kësaj praktike në përputhje me Marrëveshjen e OBT-së për Zbatimin e Nenit VI të GATT 1994 ose me Marrëveshjen e OBT-së për Subvencionet dhe Masat Kundër-balancuese dhe legjislacionin e brendshëm lidhur me ato marrëveshje.
NENI 43

Klauzola për masa mbrojtëse

1.    Palët pajtohen që të zbatohen rregullat dhe parimet e nenit XIX të GATT 1994 dhe Marrëveshja e OBT-së për Masat Mbrojtëse.

2.    Pavarësisht nga paragrafi 1, Pala importuese mund të ndërmarrë masat e duhura mbrojtëse bilaterale sipas kushteve dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara në këtë nen, ku çdo produkt i njërës Palë importohet në territorin e Palës tjetër në sasi të tilla të rritura dhe në kushte të tilla që shkakton ose rrezikon të shkaktoj:

(a)    dëme serioze ndaj industrisë vendase të produkteve të ngjashme ose që janë drejtpërsëdrejti konkurruese, në territorin e Palës importuese; ose

(b)    çrregullime serioze në cilindo sektor të ekonomisë apo vështirësi që mund të sjellin përkeqësim serioz të situatës ekonomike në një rajon të Palës importuese.

3.    Masat mbrojtëse dypalëshe kundrejt importeve të Palës tjetër nuk duhet të tejkalojnë nivelin e nevojshëm për riparimin e problemeve, siç është përcaktuar në paragrafin 2, të cilat janë shfaqur si rezultat i aplikimit të kësaj Marrëveshje. Masat e miratuara mbrojtëse duhet të konsistojnë me pezullimin e rritjes ose zvogëlimin e margjinës së preferencave të ofruara me këtë Marrëveshje për produktin përkatës deri në një kufi maksimal që korrespondon me normën bazike tarifore të referuar në nenin 20, paragrafin 4(a) dhe (b) dhe paragrafin 5 për të njëjtin produkt. Masa të tilla duhet të përmbajnë elementë të qarta që në mënyrë progresive dërgojnë drejt eliminimit të tyre më së voni në fund të periudhës së vendosur dhe nuk do të ndërmerren për një periudhë më të gjatë se dy vite.

Në rrethana shumë të jashtëzakonshme, masat mund të zgjaten për një periudhë shtesë maksimale prej dy vitesh. Asnjë masë mbrojtëse dypalëshe nuk do të zbatohet për importin e një produkti që më parë i është nënshtruar një mase të tillë për një periudhë të barabarte me atë gjate së cilës masa ishte aplikuar me pare, me kusht që periudha e mos-aplikimit të jete të paktën dy vite që nga skadimi i masës.

4.    Në rastet e përcaktuara në këtë nen, përpara marrjes së masave të parashikuara në të, ose në rastet kur aplikohet paragrafi 5 (b) i këtij neni, sapo të jetë e mundur BE-ja ose Kosova do t’i japin KSA-së të gjithë informacionin relevant të kërkuar për një ekzaminim të hollësishëm të situatës me synim për të kërkuar zgjidhje të pranueshme nga të dy Palët.

5.    Për zbatimin e paragrafëve 1, 2, 3 dhe 4 aplikohen dispozitat e mëposhtme:

(a)    Problemet që lindin nga situata e referuar në këtë nen i kalohen menjëherë për shqyrtim KSA-së, i cili mund të marrë çfarëdolloj vendimi të nevojshëm për t’i dhënë fund këtyre problemeve.

Nëse KSA-ja ose Pala eksportuese, brenda 30 ditëve pasi çështja i është kaluar për shqyrtim KSA-së nuk ka marrë një vendim për t’i dhënë fund këtyre problemeve ose kur nuk është arritur ndonjë zgjidhje tjetër e kënaqshme, Pala importuese mund të miratojë masat e duhura për të zgjidhur problemin në përputhje me këtë nen. Gjatë përzgjedhjes së masave mbrojtëse përparësi duhet dhënë atyre që pengojnë më pak funksionimin e aranzhimeve të vendosura në këtë Marrëveshje. Masat mbrojtëse do të ruajnë nivelin/margjinën e preferencave të ofruara nga kjo Marrëveshje.

(b)    Kur rrethanat e jashtëzakonshme dhe kritike kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe e bëjnë të pamundur informacionin ose shqyrtimin paraprak, siç mund të jete rasti, Pala përkatëse, në situatat e përcaktuara në këtë nen, mund të aplikoj menjëherë masa të përkohshme të nevojshme për tu përballur me situatën dhe e informon menjëherë Palën tjetër për këtë.

Masat mbrojtëse i njoftohen menjëherë KSA-së, dhe do t’i nënshtrohen konsultimeve periodike brenda këtij organi, veçanërisht me synimin për të përcaktuar një kalendar veprimesh për anulimin e tyre sapo të lejojnë rrethanat.

6.    Në rast se BE-ja ose Kosova, ju nënshtrohen importet e produkteve që rrezikojnë të shkaktojnë vështirësitë e përmendura në këtë nen, një procedure administrative që ka për qëllim sigurimin e shpejtë të informacionit për tendencën e rrjedhave tregtare, pra do të informoj Palën tjetër.
NENI 44

Klauzola e pamjaftueshmërisë

1.    Kur pajtueshmëria me dispozitat e këtij TitulliKreun sjell:

(a)    një pamjaftueshmëri serioze, ose një rrezik për artikujt ushqimorë ose produkte tjera thelbësorë për Palën eksportuese; ose

(b)    ri-eksportim në një vend të tretë të një produkti ndaj të cilit Pala eksportuese mban kufizime sasiore për eksportin, tarifat ose masat për eksport që kanë efekt të njëjtë, dhe kur situata e përmendur më sipër shkakton, ose mund të shkaktoj vështirësi të mëdha për Palën eksportuese, atëherë ajo Palë mund të marrë masat e duhura në përputhje me kushtet dhe procedurat e vendosura në këtë nen.

2.    Gjatë përzgjedhjes së masave duhet dhënë përparësi atyre masave që ndikojnë më pak negativisht në funksionimin e aranzhimeve të kësaj Marrëveshje. Këto masa nuk zbatohen në mënyrë të atillë që të shkakton diskriminim arbitrar ose të pajustifikueshëm ku mbizotërojnë të njëjtat kushte, ose një kufizim i tërthortë në tregti dhe duhet të eliminohen kur kushtet nuk e arsyetojnë më mbajtjen e tyre.

3.    Përpara marrjes së masave të parashikuara në paragrafin 1 ose, sapo të jetë e mundur në rastet kur zbatohet paragrafi 4, BE-ja ose Kosova do t’i japin KSA-së të gjithë informacionin përkatës, me qëllim që të kërkohet një zgjidhje e pranueshme për Palët. KSA-ja mund të dakordohet për çfarëdo mase të nevojshme për t‘i dhënë fund vështirësive. Nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje brenda 30 ditëve pasi çështja i është kaluar KSA-së, Pala eksportuese mund të zbatojë masat e përmendura në këtë nen për eksportimin e produktit përkatës.

4.    Kur rrethanat e jashtëzakonshme dhe kritike kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe e bëjnë të pamundur informimin ose shqyrtimin paraprak, siç mund të jete rasti, BE-ja ose Kosova mund të zbatojnë sa më parë masat parandaluese të nevojshme për të trajtuar situatën dhe do të informojnë Palën tjetër menjëherë për këtë.
5.    Çdo masë e zbatuar sipas këtij neni i njoftohet menjëherë KSA-së dhe i nënshtrohet konsultimeve periodike brenda atij organi, në veçanti me qellim të përcaktimit të një kalendari veprimesh për eliminim e tyre sapo ta lejojnë rrethanat.
NENI 45

Monopolet shtetërore

Sa i përket monopoleve shtetërore me karakter tregtar, Kosova do të sigurohet se që nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshje të mos ekzistojnë diskriminime lidhur me kushtet sipas të cilave prokurohen dhe tregtohen mallrat ndërmjet qytetarëve të Shteteve Anëtare dhe qytetareve të Kosovës.

NENI 46

Rregullat e origjinës

Përveç kur përcaktohet ndryshe me këtë Marrëveshje, Protokolli III parashtron rregullat e origjinës për zbatimin e dispozitave të kësaj Marrëveshje.
NENI 47

Kufizimet e autorizuara

Kjo Marrëveshje nuk përjashton ndalimet apo kufizimet e importeve, eksporteve ose mallrave transite të justifikuara në bazë të moralit publik, politikave publike, ose sigurisë publike; mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së njerëzve, kafshëve ose bimëve; mbrojtjes së thesareve me vlerë artistike, historike ose arkeologjike, ose mbrojtjes së pronësisë intelektuale, industriale dhe tregtare, ose të rregullave që ndërlidhen me arin dhe argjendin. Megjithatë, ndalimet ose kufizimet e tilla nuk do të përbëjnë diskriminim arbitrar ose kufizim të tërthortë në tregtinë ndërmjet Palëve.
NENI 48

Dështimi për të ofruar bashkëpunim administrativ

1.    Palët bien dakord që bashkëpunimi administrativ është i domosdoshëm për zbatimin dhe kontrollin e trajtimit të privilegjuar të dhënë sipas këtij TitulliKreun dhe theksojnë angazhimin e tyre për të luftuar parregullsitë dhe mashtrimin në dogana dhe çështjet relevante.

2.    Kur njëra Palë, në bazë të informacionit objektiv, ka konstatuar mungesën e bashkëpunimit administrativ dhe/ose parregullsi apo mashtrim sipas këtij TitulliKreun, ajo Palë (referuar në ketë nen si “Pala në fjalë”) mund të pezulloj përkohësisht trajtimin privilegjues të produktit/produkteve përkatëse në përputhje me këtë nen.

3.    Për qëllimet e këtij neni, mungesa e bashkëpunimit administrativ do të thotë, përveç të tjerash:

(a)    mosrespektim i përsëritur i detyrimeve për të verifikuar statusin e origjinës së produktit/produkteve përkatës;

(b)    refuzim i përsëritur ose vonesë e panevojshme për të kryer dhe/ose komunikuar rezultatet e një verifikimi pasues për dëshminë e origjinës;

(c)    refuzim i përsëritur ose vonesë e panevojshme në marrjen e autorizimit për kryerjen e misioneve të bashkëpunimit administrativ për të verifikuar vërtetësinë e dokumenteve ose saktësinë e informacionit të nevojshëm për dhënien e trajtimit preferencial në fjalë.

Për qëllimet e këtij neni, konstatimi i parregullsive ose mashtrimit mund të bëhet, përveç tjerash, kur ka një rritje të shpejtë, pa shpjegime të kënaqshme të importeve të mallrave që tejkalojnë nivelin e zakonshëm të prodhimit dhe kapacitetit eksportues të Palës tjetër, e cila lidhet me informacionet objektive që kanë të bëjnë me parregullsitë ose mashtrimet.

4.    Zbatimi i pezullimit të përkohshëm u nënshtrohet kushteve të mëposhtme:

(a)    Pala që ka bërë një konstatim mbi bazën e informacionit objektiv, të mungesës së bashkëpunimit administrativ dhe/ose parregullsive ose mashtrimit do të njofton pa vonesa të panevojshme Komitetin e Stabilizim-Asociimit për konstatimin e tij së bashku me informacionin objektiv dhe do të fillon konsultimet me Palën tjetër pranë Komitetit të Stabilizim-Asociimit, në bazë të gjithë informacioneve përkatëse dhe konstatimeve objektive, me synim arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dyja Palët.

(b)    Në rast se Palët kanë filluar konsultimet në kuadër të Komitetit të Stabilizim-Asociimit sipas pikës(a) dhe kanë dështuar të bien dakord për një zgjidhje të pranueshme brenda tri muajsh pas njoftimit, Pala e prekur mund të pezullojë përkohësisht trajtimin preferencial përkatës të produktit/produkteve përkatëse. Pezullimi i përkohshëm do t’i njoftohet menjëherë Komitetit të Stabilizim-Asociimit.

(c)    Pezullimet e përkohshme në bazë të këtij neni do të kufizohen në nivelin minimal të nevojshëm për të mbrojtur interesat financiare të Palës së prekur. Ato nuk zgjasin për më shumë se gjashtë muaj, periudhë e cila mund të rinovohet. Pezullimet e përkohshme i njoftohen Komitetit të Stabilizim-Asociimit menjëherë pas miratimit të tyre. Ato u nënshtrohen konsultimeve periodike në kuadër të Komitetit të Stabilizim-Asociimit, veçanërisht me synimin për t’i përfunduar ato sapo të mos ketë më kushte për zbatimin e këtyre pezullimeve.

5.    Njëkohësisht me njoftimin e Komitetit të Stabilizim-Asociimit sipas paragrafit 4a) të këtij neni, Pala e prekur duhet të publikojë një njoftim për importuesit në Gazetën e saj Zyrtare. Njoftimi për importuesit duhet të tregojë për produktin në fjalë se në bazë të informacioneve objektive, është konstatuar mungesa e bashkëpunimit administrativ dhe/ose e parregullsive apo mashtrimeve.
NENI 49

Në rast të gabimit të bërë nga autoritetet kompetente në menaxhimin e duhur të sistemit preferencial të eksportit dhe në veçanti gjatë zbatimit të Protokollit III, ku ky gabim shpien në pasoja lidhur me tarifat e importit, Pala Kontraktuese që përballet me këto pasoja mund t’i kërkojë KSA-së shqyrtimin e mundësive për miratimin e të gjitha masave të duhura që synojnë zgjidhjen e situatës.
TITULLIKREU V

Themelimi,
OFRIMI I SHËRBIMEVE DHE KAPITALI
NENI 50

Përkufizimi

Për qëllime të kësaj marrëveshje:

(1)    “Kompani e BE-së” dhe “Kompani e Kosovës” do të thotë një kompani e themeluar në përputhje me ligjet e Shtetit Anëtar, ose të Kosovës, dhe që ka zyrat e saj të regjistruar ose administratën qendrore apo vendin parësor të biznesit në territorin e BE-së apo të Kosovës. Megjithatë, nëse një kompani ka të regjistruar zyrën e saj vetëm në territorin e BE-së apo të Kosovës, atëherë kompania do të konsiderohet kompani e BE-së apo kompani e Kosovës nëse veprimtaria e saj posedon një lidhje reale dhe të vazhdueshme me ekonominë e një nga Shteteve Anëtare ose të Kosovës;

(2)    “Filial” i një kompanie nënkupton një kompani e cila kontrollohet në mënyrë efektive nga një kompani tjetër;

(3)    “Degë” e një kompanie nënkupton një vend biznesi i cili nuk gëzon personalitet juridik dhe që ka statusin e përhershëm, si një shtrirje e kompanisë amë, që ka një menaxhim dhe është e pajisur materialisht për të negociuar çështje biznesi me palët e treta, kështu që këto të fundit, ndonëse janë në dijeni, se në rast nevoje do të ekzistoj lidhja juridike me kompaninë amë, zyra qendrore e së cilës ndodhet jashtë vendit, nuk janë të detyruar të bashkëpunojnë direkt me një organ të tillë amë, por mund të bëjnë transaksione biznesi në vendin e biznesit që përbën shtrirjen;

(4)    “Themelimi” nënkupton të drejtën për të zhvilluar një veprimtari ekonomike duke themeluar kompani, përfshirë filialet dhe degët në BE ose në Kosovë;

(5)    “Veprimtari” nënkupton ushtrimin e veprimtarive ekonomike;

(6)    “Veprimtari ekonomike” në parim përfshin veprimtaritë me një karakter industrial, tregtar ose profesional si dhe veprimtaritë artizanale;

(7)    “Shtetas i BE-së” dhe “qytetar i Kosovës” nënkuptojnë një person fizik i cili është shtetas i Shtetit Anëtar apo qytetar i Kosovës;

(8)    “Shërbime financiare” nënkuptojnë veprimtaritë e përshkruara në Shtojcën VI.
KAPITULLI I

THEMELIMI
NENI 51

1.    Kosova duhet të lehtësoj ngritjen e veprimtarive në territorin e saj nga kompanitë e BE-së. Për këtë qëllim, pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, Kosova duhet të ofrojë:

(a)    për sa i përket vendosjes së kompanive të BE-së në territorin e Kosovës, trajtim jo më pak të favorshëm se ai që i ofron kompanive të saj ose kompanive të një vendi të tretë, cilado qoftë më e mirë;

(b)    për sa i përket veprimtarive të filialeve dhe degëve të kompanive të BE-së në territorin e Kosovës pas themelimit të tyre, trajtim jo më pak të favorshëm se ai që i ofrohet kompanive dhe degëve të saja ose të një filiali apo dege të një kompanie të një vendi të tretë, cilado qoftë më e mirë.

2.    Pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, BE duhet të ofrojë:

(a)    për sa i përket vendosjes së kompanive Kosovare, trajtim jo më pak të favorshëm se sa atë që ofrohet nga BE-ja për kompanitë e saja ose kompanitë e një vendi të tretë, cilado qoftë më e mirë;

(b)    sa i përket veprimtarive të filialeve dhe degëve të kompanive Kosovare të vendosura në territorin e saj, trajtim jo më pak të favorshëm se atë të ofruar nga BE për kompanitë dhe degët e saja ose filialit dhe degës së një kompanie të një vendi të tretë, të vendosura në territorin e tyre, cilado qoftë më e mirë.

3.    Palët nuk duhet të miratojnë asnjë rregull apo masë të re e cilat paraqet diskriminim lidhur me vendosjen e kompanive të cilësdo Palë në territorin e tyre ose në lidhje me veprimtaritë e tyre, pasi që janë themeluar, në krahasim me kompanitë e tyre.

4.    Pavarësisht këtij neni,

(a)    që nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshjeje, filialet dhe degët e kompanive të BE-së, gëzojnë të drejtën për të përdorur dhe marrë me qira pasuri të patundshme në Kosovë;

(b)    filialet dhe degët e shoqërive të BE-së, duhet që brenda pesë viteve nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshje, të gëzojnë të drejtën e përvetësimit dhe gëzimit të drejtave të pronësisë mbi pasuritë e patundshme sikurse kompanitë Kosovare dhe, për sa i përket të mirave publike/ mallrave me interes të përbashkët, të njëjtat drejta të gëzuara nga kompanitë Kosovare, respektivisht ku këto të drejta janë të domosdoshme për kryerjen e veprimtarive ekonomike për të cilat ato janë vendosur.
NENI 52

1.    Bazuar në nenin 54, Palët mund të rregullojnë vendosjen dhe veprimtarinë e kompanive në territorin e tyre, përderisa këto rregullore nuk diskriminojnë kompanitë e palëve tjera në krahasim me kompanitë e veta.

2.    Për sa u përket shërbimeve financiare, pavarësisht nga dispozitat tjera të kësaj Marrëveshjeje, Pala nuk duhet të pengohet që të marrë masa për arsye kujdesi paraprak, përfshirë mbrojtjen e investitorëve, depozituesve, personave të siguruar ose personave të cilët kanë detyrime financiare për të shlyer tek një ofrues i shërbimeve financiare, ose për të siguruar integritetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Masat e tilla nuk përdoren si mënyrë për të shmangur detyrimet e Palëve sipas kësaj Marrëveshje.

3.    Në këtë Marrëveshje asgjë nuk interpretohet në mënyrë të atillë që të detyrojë Palën të bëjë publike informacione lidhur me punët dhe llogaritë e klientëve individualë ose çfarëdo informacioni konfidencial ose pronësor që disponojnë subjektet publike.

 

 
NENI 53

1. Ky kapitull nuk paragjykon dispozitat e Traktatit të Komunitetit të Transportit me Ballkanin Perëndimor dhe të Marrëveshjes Shumëpalëshe për vendosjen e një Zone të Përbashkët Evropiane të Aviacionit të nënshkruar më 9 qershor 2006.

2. Në kuadër të fushëveprimit të politikës së transportit të BE, KSA mund të bëjë rekomandime në rastet specifike për përmirësimin e vendosjes dhe veprimtarive në zonat e trajtuara nga paragrafi.

3. Ky Kapitull nuk do të zbatohet për shërbimet e transportit detar.
NENI 54

1.    Neni 51 dhe 52 nuk përjashtojnë zbatimin e rregullave të veçanta nga Pala lidhur me vendosjen dhe veprimtarinë në territorin e saj të degëve të shoqërive të një Pale tjetër jo të krijuar në territorin e Palës së parë, të cilat justifikohen me dallime legjislative ose teknike ndërmjet degëve të tilla, krahasuar këto me degët e shoqërive të vendosura në territorin e saj ose për sa u përket shërbimeve financiare, për arsye të kujdesit.

2.    Dallimi në trajtim nuk e tejkalon atë që është domosdoshme për shkak të dallimeve legjislative ose teknike, apo për sa u përket shërbimeve financiare, për arsye të kujdesit.
KAPITULLI II

OFRIMI I SHËRBIMEVE
NENI 55

1.    Një kompani e BE-së e vendosur në territorin e Kosovës ose një kompani Kosovare e vendosur në BE gëzon të drejtën të punësojë, ose të ketë të punësuar përmes një prej filialeve ose dege të saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi në vendin pritës të vendosjes së kompanisë, përkatësisht në territorin e BE-së dhe të Kosovës, punonjësit të cilët janë shtetas të BE-së apo qytetarë të Kosovës, me kusht që punonjësit e tillë të jenë personel kyç siç përcaktohet në paragrafin 2 dhe që janë punësuar ekskluzivisht nga kompania, filialet apo degët.

2.    Personeli kyç i kompanive të sipërpërmendura, referuar më poshtë si “organizata”, janë “të transferuar brenda-kompanisë” siç përcaktohet në pikën (c) të këtij paragrafi në kategoritë e mëposhtme, me kusht që organizata të jetë një person juridik dhe që personat e interesuar të kenë qenë të punësuar prej saj ose partnerë me të (por jo aksionerë me shumicën e aksioneve), të paktën gjatë atij viti që paraprin një lëvizje e tillë:

(a)    Personat që punojnë në një pozicion drejtues në një organizatë, të cilët drejtojnë kryesisht menaxhimin e ndërmarrjes, dhe që mbikëqyren në mënyrë të përgjithshme ose marrin udhëzime kryesisht nga bordi i drejtorëve ose i aksionerëve të biznesit ose ekuivalentëve të tyre, duke përfshirë këtu:

(i)    drejtimin e ndërmarrjes ose të një departamenti apo nën-divizioni të saj;

(ii)    mbikëqyrjen dhe kontrollin e punës së nëpunësve tjerë mbikëqyrës, specialistëve apo menaxherëve;

(iii)    autoritetin që personalisht të punësoj dhe shkarkoj, ose të rekomandojë rekrutimin, shkarkimin ose veprime të tjera në lidhje me personelin;
(b)    Persona të punësuar në një organizatë, të cilët zotërojnë njohuri të veçanta që janë thelbësore në shërbimet e ndërmarrjes, mjetet kërkimore, teknika ose menaxhim. Vlerësimi i njohurive të tilla mund të pasqyrojë, përveç njohurive specifike të cilat lidhen me ndërmarrjen, një nivel të lartë kualifikimi që i referohet një lloj pune ose tregtie ku nevojiten njohuri teknike të veçanta, përfshirë edhe anëtarësimin në një profesion të akredituar;

(c)    I “transferuari brenda korporatës” përkufizohet si person fizik i punësuar brenda një organizate në territorin e një Pale, dhe i transferuar përkohësisht në kontekst të vazhdimit të veprimtarive ekonomike në territorin e Palës tjetër; organizata përkatëse duhet të ketë vendin parësor të biznesit të saj në territorin e njërës Palës dhe transferimi të ndodhë në një ndërmarrje (degë, filial) të asaj organizate, duke ndjekur me efikasitet veprimtarinë ekonomike në territorin e Palës tjetër.

3.    Hyrja dhe qëndrimi i përkohshëm në territor

(Marrëveshja e MSA-së u siguruar nga gazetarja e RTK-së Valdete Osmani.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>