Të ndodhur përballë presionit ndërkombëtar, ekzekutivi dhe legjislativi i vendit pritet t’i kthehen sërish përpjekjeve për themelimin e Gjykatës Speciale.
Të premten e kaluar, Kuvendi dështoi t’i miratojë ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të kësaj gjykate. Por analistët politikë rekomandojnë që mos të përsëritet e njëjta që ndodhi në atë seancë, ngase sipas tyre, kjo Kosovës do t’i kushtojë shumë në arenën ndërkombëtare.
Themelimi i Gjykatës Speciale është detyra më e madhe me të cilën është ballafaquar Qeveria e Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vlerësojnë analistët politikë, sipas të cilëve, themelimi i kësaj gjykate mbetet kushti kryesor për vazhdimin e raporteve të mira të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Analisti Artan Muhaxhiri thotë se nëse nuk kalohet ky test, do të ketë pasoja shumë të mëdha për të ardhmen ndërkombëtare të Kosovës. Ai thotë se nuk bën të përsëritet ajo që ndodhi në seancën e javës së kaluar.
“Ajo që ndodhi të premten ishte një neglizhencë e liderëve kosovarë dhe ishte një episod i pakëndshëm në raportet mes Kosovës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, gjë që nuk guxon të përsëritet në të ardhmen. Pra shteti i Kosovës nuk e ka luksin që ta përsërit atë gabim të së premtes, i cili do t’i kushtojë shumë në arenën ndërkombëtare”, tha Muhaxhiri për Radio Kosovën.
Ndërsa analisti Imer Mushkolaj thotë se institucionet nuk kanë rrugëdalje tjetër dhe se duhet ta themelojnë Gjykatën Speciale, pasi që është obligim ndërkombëtar, të cilin madje edhe një pjesë e opozitës e ka përligjur kur ka votuar letërkëmbimin e presidentes Jahjaga me ish shefen e diplomacisë evropiane.
“Sa më herët që ne çlirohemi nga barra e së kaluarës aq më mirë për ne, për shkak se do të mund të shkojmë tutje dhe absolutisht për ne, sidomos në këtë kohë shumë të ndijshme, edhe për shkak të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi, është e panevojshme që të bëhet kjo lojë politike ose partiake për interesat e kujtdoqoftë”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.
Mushkolaj thotë se Kosova ka humbur shumë gjatë viteve të pasluftës duke mos marrë iniciative për themelimin e një gjykate që do të merrej me krimet e luftës, ndërsa propozimin e opozitës pas dështimit të votimit në Kuvend, e quan të vonuar dhe qesharak.
“Propozimet shumë të vonshme të opozitës për mua janë qesharare, për faktin se edhe opozita priti se çfarë po ndodhë në Kuvend, në mënyrë që të dalë me propozime konkrete”, tha Mushkolaj.
Ndryshe, pas dështimit të ndryshimeve kushtetuese në seancën e javës së kaluar, është rritur presioni ndërkombëtar për themelimin e Gjykatës Speciale. Me këtë presion është përballur kryeministri Isa Mustafa gjatë vizitës në Berlin ku u prit nga kancelarja gjermane Angela Merkel. E në të njëjtën kohë mesazhin amerikan për themelimin e kësaj gjykate, tek presidentja e Kosovës dhe institucionet tjera, e përcolli përfaqësuesi i Kongresit amerikan, Eliot Engel, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. (rtk)